100-vjet pavarësi: Kështu do të fliste Luigj Gurakuqi

660
Sigal

Ndërsa po bëhen përgatitje dhe ndërkohë që, po mbushet kalendari i veprimtarive për të nderuar figura të shquara historike të kombit shqiptar me rastin e 100- vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, të kujtojmë Luigj Gurakuqin, bashkëpunëtorin më të ngushtë të Ismail Qemalit, njëri prej figurave më të mëdha të kombit shqiptar, për të cilin Stefanaq Pollo ka shkruar se: ”Nuk ka ngjarje të madhe politike, shoqërore e kulturore në këtë çerek-shekulli, ku të mos ketë qenë prania e tij, ku të mos jetë ndier fjala, urtësia e vullneti i tij, ku të mos ketë spikatur patriotizmi e demokratizmi i tij.”   Figura e Luigj Gurakuqit, sipas tij, bëhet edhe më e madhe dhe më madhështore, ”po të kemi parasysh armiqtë e shumtë që duheshin përballuar, vështirësitë e mëdha që duheshin kapërcyer, komplotet dhe intrigat e kobshme që thureshin kundër atdheut, rreziqet e panumërta që i kanoseshin jetës së tij në çdo hap.”

Megjithëse është shkruar shumë për kontributet e mëdha të Luigj Gurakuqit, jo vetëm si njëri prej figurave udhëheqëse politike më të shquara të kombit, por edhe si poet, shkrimtar, linguist e mësues — Ernest Koliqi, i cili thotë se në vitin 1924 në Tiranë ka shërbyer si sekretar privat i Luigj Gurakuqit, në një artikull shkruar në vitin 1965 në revistën ”Shëjzat”, pasi e kishte njohur nga afër atë, nënvizon për lexuesin fuqinë frymëzuese dhe tërheqëse të Gurakuqit:  ”S’kam pa ndër Shqiptarë….. një tjetër që të kishte lidhje miqësore e politike aq të shumta e të ndryshme sa Gurakuqi.   Gegë e Toskë, qytetarë, katundarë, malësorë, priftën, popa e hoxhallarë, analfabetë dhe eksponentë të intelektualizmit, arbëreshë, të huaj që interesoheshin për Shqipëni, qindra e qindra vetësh, i drejtoheshin atij me një frymë të çuditshme besimi…. besonin në përpjekjet e tij të çdo lloji….” Në artikullin e tij përkujtimor me rastin e dyzet vjetorit të vrasjes së Luigj Gurakquit, Ernest Koliqi, si bashkëpunëtor i ngushtë dhe sekretar privat i kësaj figure të madhe të kombit shqiptar, shkruante se Luigj Gurakuqit i Madhi Zot i kishte falur aftësi e zotësi si rrallë ndonjë njeriu tjetër, por sipas Koliqit,  vetia që e dallonte Gurakuqin nga të tjerët e kohës së tij: ”Ishte ajo që me bashkue e me miqasue ndër vedi gjindën me mendesi, prirje, rritje në kundërshtim.  Përhapej nga zemra e Tij nji fuqi vëllaznuese e tillë sa me tubue rreth vetes burra me idena mesjetare, doktora te rij plot hov modernizues, anëtarë klerësh të ndryshme, bashkatdhetarë visesh të ndryshme, të rij rrymash të ndryshme. Mbretnonte harmonia aty ku Ai qëndronte. ” Luigj Gurakuqi e konsideronte detyrën e deputetit si të rëndë e me përgjegjësi të madhe, të një rëndësie kombëtare dhe si detyrë e shenjtë që ia kishte besuar populli.   Mbi rolin e Luigj Gurakuqit në kuvendin shqiptar, Koliqi sjellë kujtimet e tija duke thënë se ndërsa “në parlamentin shqiptar kumbojshin zane si ato të Fan Nolit, Ali Klisurës, Stavro Vinjaut e Bahri Omarit, të dënja me jehue në Dhomën e Komuneve (të Anglisë), Gurakuqi, kryetar i njoftun i opozitës kundërshtonte me matuni:  bashkë me kolegët që përmenda, përpiqej të jepte shembullin e nji kritike të fortë por jo fyese, ndërtuese jo rrënuese….” Roli patriotik,  ndërtues dhe bashkëpunues i Gurakuqit për të mirën e Shqipërisë njihej dhe respektohej nga shumë patriotë shqiptarë të asaj kohe.  Mihal Grameno i shkruante atij me 24 Korrik 1919 se: “Shqiptarët  kanë simpati dhe besim tek juve”, dhe  më 15 Tetor, 1919, Pandeli Cale i shkruan Gurakuqit, duke pasqyruar  në këtë mënyrë, besimin e tij të plotë në veprimtarinë patriotike  të tij,  duke i shkruar  Gurakuqit me një vendosmëri bindëse se: “Kini në dorë fatin e Shqipërisë… bëni detyrën patriotike si ju thotë ndërgjegjja”. Megjithëse fjalët e të tjerëve për Gurakuqin dhe veprimtarinë e tij hedhin dritë mbi këtë figurë të madhe të kombit shqiptar, janë fjalët e tija, ato që në të vërtetë pasqyrojnë vlerat dhe idealet e larta njerëzore të këtij patrioti dhe njeriu të madh, e të cilat sikur dëgjohen edhe sot si tepër aktuale.   Në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar me 21 Janar 1924, i frymëzuar nga nevoja e madhe për ndryshime politike, shoqërore dhe ekonomike, Gurakuqi iu drejtua anëtarëve të Kuvendit duke thënë se si përfaqësues të popullit,   “populli na ka tregue edhe udhën që do të ndjekim.  Populli na thotë:  Ky jam, këto nevoja kam, pra mbas dëshirës sime, mbas nevojave të mia, mbas zakoneve që kam, bani ligjet themelore që të mund të rroj i lirë dhe i lumtur si shqiptar.”

Për më tepër, në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, fjalët e tija edhe sot tingëllojnë si largpamëse e bujare dhe si të tilla duhet të shërbejnë sot dhe në të ardhmen, për të mbajtur gjallë kujtimin e veprës së tij të madhe në dobi të kombit shqiptar. Po të ishte gjallë në këtë 100-vjetor të Pavarësisë, Luigj Gurakuqi do të këshillonte kështu: ”…Nuk asht sot dita të përmendim ne për sa të liga ka shkuar Shqipënia në këtë mot të gjatë e sa ka vuar e po vuan akoma; dua vetëm të shtoj se ne këtë ditë fatbardhë, që do të mbetet e paharrueshme në kujtimet e shënjta të kombit tonë, lipset që zemrat e të gjithë shqiptarëve të lidhen, të bashkohen, të bahen një. Duke kujtuar e duke kremtuar ditën e sotshme duhet të përsëritim prapë besën që i dhamë shoqishoqit vitin që shkoi; e duke sjellun përpara sysh rreziqet e tmerrshme, që i vareshin Atdheut përmbi krye, e shpëtimin tonë të çuditshëm, t’a forcojmë dashuninë e vëllezëninë e t’i japim dorën njëni tjatrit për të mbajtun, për të rritun, për të shtuar mvehtësiën e Shqipënisë sonë të dashun.

“Ta dijmë mirë se çarjet, zihjet, anmiqësitë tona na turpërojnë përpara Evropës, e cila vitin që shkoi nxitoi duke njohun me një herë mvehtësiën tonë; u shtojnë rreziqet vëllëzënvet tanë të mjerë, që ditë më tjatrë po presin të lirohen nga zgjedha greke e të bashkohen me ne; e ma tepër u thyejnë zemrën atyne fatzesve, që patën rrezikun e math të mbeten jashtë Shqipënisë së lirë.”

(Marrë tekstualisht nga Luigj Gurakuqi: ”Mvehtësia e Shqipëniës”, 1913)

Në një artikull që Gurakuqi kishte shkruar në Paris në prag të 28 Nëntorit 1919, e në të cilin duket se ai i bën thirrje pikësëpari vetvetes, por dhe të tjerëve që të reflektojnë, por kjo është edhe një thirrje e sinqertë vëllazërore, nga ana e tij, që fatet e Atdheut të jenë mbi të gjitha, një thirrje që çuditërisht është gjithnjë aktuale.  Ai shkruante:

”E kremtja e 28 Nandorit duhet të jetë për ne të gjithë, jo vetëm një ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe një ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bajmë shqyrtimin e vetdijes sonë.  Në këtë ditë, duhet të vemë të gjithë dorën në zemër e të pyesim veten tonë nëse e kemi bamun gjithkund e gjithmonë detyrën që kishim përpara Atdheut.   T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet tona, të harrojmë hidhnimet e anmiqësitë që na ndajnë, t’i japim vëllaznisht dorën njani-tjetërit e të betohemi mbi besën e gjyshave tanë se sot e mbrapa do të përpiqemi me të vërtetë për të mirën e Atdheut, për lulëzimin e kombit, për nderin e flamurit tonë.”

Vet Luigj Gurakuqi, kishte shkruar se: “Një popull që nderon burrat e vet, një popull që pavdekëson kujtimin e tyne, jo vetëm ndër faqet e historisë, por edhe mbi rrasa e në monumente, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndiesi të holla, se njeh miradijen e ka dëshirë me u sjellun e me u drejtuem mbas shembullit të të Mëdhejvet të vet.”

Luigj Gurakuqi ishte dhe mbetet njëri ndër të Mëdhenjtë e kombit shqiptar. Fjalët e Luigj Gurakuqit flasin vet, jo vetëm për periudhën që ai jetoi, por edhe mund dhe duhet të shërbejnë si një fuqi frymëzuese për të gjithë, në këtë 100-vjetor të Pavarësisë.