Ylli Dylgjeri: Rama dhe Millosheviçi, dy mirëbërësit e Kosovës!

414
Temë e nxehtë diskutimi këto ditët e fundit në vend u bë “përplasja” e Naltgjatësisë së Rilindjes, z. Edi Rama, dhe Presidentes në detyrë të Kosovës, znj. Vjosa Osmani.
Znj. Vjosa Osmani, në vizitën zyrtare të rangut të lartë që kreu në Shqipëri, jo vetëm nderoi Kosovën me prezantimin serioz dhe staturën e lartë që mbajti si udhëheqëse shteti, jo vetëm na dha një model politikani dinjitoz, që i mungon Shqipërisë, por mbi të gjitha zgjoi nga gjumi mendjet tona me mesazhet e vyera që dha: Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territor; Shqipëria të përkrahë Kosovën dhe të dalë kundër gjenocidit serb; të hiqet kufiri (tra) mes vendeve tona.
Por, këto mesazhe zgjuan dhe plot lugetër rilindas. Duke qenë të paaftë të kuptojnë rëndësinë e këtyre fjalëve, duke qenë të kompleksuar që ato ua thotë një grua me kurajo dhe pa fshehur asnjë prapamendin, lukunia rilindase u turr në komente dhunuese e ofenduese, të ngjashme me dhunën që përjetojnë
çdo ditë nga kryetari i tyre. Ndërsa vetë Naltgjatësia
e Rilindjes, ose siç e kemi pagëzuar Skënderbeu Spiropalian, në mënyrën më të paturshme shkeli protokollet e shtetit dhe të mirësjelljes. Sepse ai nuk duron dot përballë një grua dinjitoze dhe sepse kjo grua guxoi t’i jepte shuplakën për të gjithë aventurën e tij në marrëdhëniet me Serbinë në dëm të interesave jo vetëm të Kosovës, por të të gjithë shqiptarëve, duke ia rrëzuar përtokë diplomacinë e Edi Ramës.
Por nuk u mjaftua me kaq. Si një burrec frikacak doli në konferencë shtypi për të denigruar pas krahëve Presidenten në detyrë të Kosovës duke përdorur ndaj saj të njëjtin fjalor vulgu si edhe lukunia e tij anonime që komenton poshtë e përpjetë portaleve.
Akuzoi për nacional folklorizëm vulgar, pikërisht njeriu që zemrën ia ngulfon turbo folku sllav i Goran Bregoviçit, një ndër përkrahësit e egër të gjenocidit ndër shqiptarët e Kosovës, të cilin na e bëri qytetar nderi të Tiranës. Dhe që për turpin tonë, ende e kemi
të tillë.
Përbuzi nacional folklorizmin duke e cilësuar vulgar, njeriu që hapësirën rreth Piramidës ua vuri në dispozicion qoftexhinjve nga Serbia që të kënaqte hundët e tij me aromën e qelbur të qebaptores sllave, në kohën kur përvëloheshin në zjarr shtëpiat dhe jetët e shqiptarëve në Kosovë.
I dha të drejtën vetes t’i jepte mësime diplomacie Vjosës së nderuar, njeriu që bëri diplomacinë më të dështuar me buzëqeshjen, dashurinë dhe përulësinë
e pafund që shtron para Vuçiçit, për projekte nul si ai i minishengenit, kur kosovarëve dhe shqiptarëve u vë traun e Çetit, ndërsa shtetarëve të Kosovës, Vjosës, Ramushit, Albinit e të tjerëve u ofron vetëm fytyrën e vrerosur. Ç’është ky kryeministër që ka vetëm historira allnimi me krerët e shtetit të Kosovës?
Dhe e gjitha kjo sepse siç duket e vuan në marrëzi dështimin e turpshëm që pësoi projekti i shkëmbimit të territoreve dhe rrëzimi përtokë i megallomanisë së liderit global.
E megjithë këto të marrëzira dhe poshtërsira në kurriz të interesave shqiptare, unë i jam mirënjohës Edi Ramës dhe mendoj se ai për Kosovën është mirëbërës, ashtu siç ishte Millosheviçi. Po nuk gaboj aspak dhe nuk e vë në thonjëza fjalën mirëbërës.
Millosheviçi me sjelljen e tij kasape, me egërsinë, arrogancën dhe agresivitetin kriminal që tregoi në Kosovë dhe mbi popullsinë shqiptare i bëri asaj të mirën më të madhe. E bashkoi gjithë shoqërinë në Kosovë si një bllok kundër Serbisë, e tregoi haptazi
çdo synim politik të Serbisë për shpërbërjen e saj popullsie dhe puna arriti deri aty sa bashkoi kundër Serbisë dhe botën perëndimore, e cila për hir të Kosovës nuk hezitoi të japë goditjen bombarduese.
Këtë të mirë po ia bën edhe Edi Rama Kosovës, e madje dhe Shqipërisë. Arroganca dhe agresiviteti për të sulmuar udhëheqësit e Kosovës dhe për t’i buzëqeshur Vuçiçit, mllefi i pafre për të vepruar kundër interesave të shqiptarëve, shuajnë çdo iluzion, çdo dyshim në shqiptarët në të dy anët e kufirit për figurën e Edi Ramës. Kasapëria e tij verbale ndaj udhëheqësve të lartë të Republikës së Kosovës do ta bëjnë përsëri shoqërinë e atjeshme, të qëndrojë bllok ndaj të keqes serbe, që tani po u serviret me duart e kryeministrit, fatkeqësisht, shqiptar.
Vazhdo o Edi Rama me ofendimet dhe vulgun tënd,
e të lutmë të goja. Kështu të duam, sepse kështu ti
do të nxihesh për ditë e më shumë e ne të gjithë do të përbuzim gjithmonë e më shumë. Vazhdo Edi Rama shaj e nxij dhe ngul thikën. Të duam Millosheviç, se kështu edhe ne do ta kemi më të lehtë të të qëndrojmë përballë pa hezitim, të të japim goditjen bombarduese e të pastrojmë vendin nga kasapët.
Sigal