Xhoi Jakaj: Është koha për më shumë paqe dhe mirësi

705
Sigal

Politika ka shtrirë tentakulat deri te fëmijët, i përdorin ata në poster në fushatë, i marrin në sheshe për protesta, i përqafojnë gjatë mitingjeve në vend që të krijojnë kushte normale për ta që të rriten në mënyra më sociale e të mbushen me dashuri, në sytë e tyre instalohet fushatë dhe paniku i të mëdhenjve. Kultura e të qenit i mbushur me ndjesi të bukura, dashurie për jetën, shkollën, prindërit… kultivohet që në vegjëli, që të dish të duash, në mënyrë të tillë ku të mos ndjekësh rrugën e gabuar në jetë. Ndonjëherë pak e vlerësojmë dashurinë dhe them me vete: Pse mos të kishte kurse të veçanta falas ku njerëzit të mësonin mbi dashurinë, e shkolla të ngritura nga shteti për të vegjlit që të edukoheshin herët me kulturën e dhënies së mirësisë kudo ku ata ndodhen? Ata kur të rriten do të jenë veç e veç dhe së bashku qytetarë të gatshëm dhe të përgatitur për t’u përballur qetësisht me problemet pa kaluar në urrejtje e dhunë, por i mbarsur, rrënjosur dhe kultivuar nëpërmjet të mësuarit brenda karakterit së gjithsecilit me dashuri për tjetrin, për jetën, për të bukurën, për mirësinë dhe paqen. E pikërisht një kurrikul ose një shkollë e veçantë do të duhej edhe në Shqipëri që të vegjlit të mësohen si të duan veten, jetën, botën që na rrethon, prindërit, miqtë, mikeshat dhe motivi i ditës të jetë transmetimi i dashurisë. Mbase kur ta lexoni këto radhë ndonjëri nga ju do thotë me siguri, autorja nuk është mirë…se në këto kohë të vështira kur shteti është në kolaps zgjedhjesh, nuk duhet të botosh këtë lloj shkrimi, por pas pak do e kuptojë që jo vetëm është i domosdoshëm ky shkrim sepse me anë të tij tentoj të prek sado pak ndërgjegjen e çdo politikani në Shqipëri, si dhe ndërgjegjen e të gjithë atyre që turren pas idiotësive e kotësive politike dhe kanë humbur sensin e dashurisë njerëzore, kanë harruar fëmijët e tyre, kërkesat më jetike që përveç të ushqyerit një prind ka për detyrë t’i mësojë dhe kultivojë dashurinë, e se ky veprim do jetë i mrekullueshëm pasi i largohen dhunës së fjalës, urrejtjes të transmetuar tashmë në gazeta dhe edicione lajmesh, në kryetituj mediash se sa u vranë dhe sa u veteranë, sa u aksidentuan, sa molotovë dhe gaz lotsjellës hodhi policia ndaj protestuesit dhe protestuesi ndaj policisë. A nuk ndikon kjo klimë tek një i adoleshent apo një i ri që të kthehet në dhunues e deri në vrasës? A nuk ka ardhur koha që njeriu të vlerësojë veten dhe të mbrojë jetën nga këto strese e makthe që të sjellin në mendje epidemi lufte dhe jo kohëra paqe? Nëse çdo njëri nga ne përpiqet të gjejë vetveten, rruga e drejtë është zgjedhja ndërmjet miliona rrugëve të mundshme që të krijohen kushtet gjatë rrugëtimit tuaj, prandaj duhet të kemi parasysh që kërkohet të ndiqni drejtimin e duhur i cili të shpie drejt dashurisë për jetën dhe jo drejt dhunës së përjetuar për vete e të përcjellë tek të tjerët… Edhe mendjet e arsyeshme dhe të logjikshme shpesh nuk besojnë tërësisht në fuqinë e dashurisë njerëzore dhe përpiqen ta përkufizojnë si iluzion, opium të mendjes, mendim idealist, e të tjera dhe e lënë veten në dorë të fatit, të kryetarëve të partive respektive ose mendojnë që asnjëherë nuk ia dalin dot. Të gjithë gjatë rrugëtimit në jetë kemi dyshime e paragjykime ndaj teorive që përpiqen të kërkojnë e të provojnë fuqinë e dashurisë si dhe duke përcaktuar sjelljen e personalitetit njerëzor, por ama edhe dyshimet na shërbejnë për të kuptuar rëndësinë e të qenit i mirë dhe i dashur. Nuk duhet të kënaqemi duke kopjuar shembuj jo të vlefshëm të personalitetit njerëzor, por të luftojmë e të përsosim vetveten, një person i pasur me dashuri ka çfarë të tregojë gjithnjë dhe kur nuk është aktiv në dhënien e kësaj ndjesie të veçantë, ai përpiqet ta ruaj e transmetojë mirësinë e dhënies së dashurisë… Për njeriun gjëja më e madhe që ka është jeta dhe ‘deri sa jemi gjallë ka dhe shpresë’ thotë një fjale e moçme; të zgjedhësh jetën nuk është kaq e vështirë sa kujtojmë e megjithatë janë të shumtë ata që nuk dinë të zgjedhin rrugën e duhur, atë të dashurisë, paqes, ndihmës së të tjerëve, humanizmit dhe perfeksionit të figurës njerëzore…edhe nëse nuk ia del dot të perfeksionohesh sepse kjo duket një fjalë unike, mjafton të mos ndjekësh rrugën e urrejtjes, atë të dhunës e mungesës së principeve. Edhe nëse kjo rrugë e juaja kalon nëpër shtigje të errëta apo sakrifica të mëdha, ia vlen të jetosh me dashuri dhe ta transmetosh atë në mjedisin ku ti punon dhe jeton larg gjuhës së urrejtjes se po i helmojmë fëmijët tanë me dhunën verbale të fjalës e po rrisim rini të ashpër.