Vetëqeverisja lokale/ KLSH, konstaton se gjatë 2017 në 32 bashki është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 10 miliardë lekë

615
Sigal

Vetëqeverisja lokale aktualisht po përballet me sfida, kompleksiteti dhe shpejtësia e të cilave po rriten në mënyrë progresive. Si rrjedhojë dhe sfidat me të cilat i duhet të përballet KLSH si auditim i jashtëm publik po bëhen gjithnjë e më komplekse dhe të vështira. Kjo lidhet dhe me sistemet e kontrollit, kontabilitetit si dhe auditimit të brendshëm të cilët shfaqen me një numër të shtuar problemesh të mprehta krahasuar me njësitë e tjera të qeverisjes së përgjithshme. Çështjet e qeverisjes ndryshojnë nga vendi në vend dhe zgjidhjet për problemet e qeverisjes duhet të përshtaten në mënyrë individuale, sepse nuk ekziston mundësia që të ketë një zgjidhje “formulë” të njëjtë në të gjitha çështjet e qeverisjes. Për më tepër, sistemet e kontrollit të brendshëm dhe strukturat e kontrollit janë një përbërës i rëndësishëm i menaxhimit dhe një nga themelet e qeverisjes. Nën këtë koncept, auditimi, si i jashtëm ashtu dhe i brendshëm, janë faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në suksesin e qeverisjes së mirë. Në praktikën shumë vjeçare të auditimit të njësive të qeverisjes vendore ndryshimet e shpeshta dhe risitë e kuadrit ligjor gjejnë shumë më tepër vështirësi në absorbim dhe më pas në implementim në institucionet dhe strukturat e këtij niveli qeverisës. Është pikërisht kjo “rrënja” e shkakut prej nga ku burojnë një numër i madh dobësish të sistemit të kontrollit të brendshëm në qeverisjen lokale. Vetëqeverisja e organeve vendore, edhe pse si shprehje e një shkalle të lartë të demokratizimit, përmban në vetvete riskun e lartë të performancës qeverisëse si nga pikëpamja e përdorimit të inputeve ashtu dhe impaktin e pritshëm të rezultateve të ofruara nga këto organe. Pjekuria e strukturave të qeverisjes vendore dhe shkalla e ndërtimit dhe zhvillimit të kapaciteteve e vlerësuar si e pamjaftueshme për t’u përballur me sfidat e ndryshimit, janë kthyer në jo pak raste në faktorë frenues në vend që të luajnë rolin kryesor në drejtim të zhvillimit. Nga auditimet në vite, vihet re se menaxhimi publik në njësitë e qeverisjes vendore është i dobët dhe nuk adreson si duhet efektivitetin e burimeve. Nga rezultatet e auditimeve të KLSH konstatohet se sistemet e kontrollit të brendshëm në pjesën më të madhe të njësive të qeverisjes vendore janë jo efektive dhe ineficiente, për të mos vazhduar më tej që në njësitë e vogla thuajse kanë munguar tërësisht. Duke e konsideruar reformën territoriale si një domosdoshmëri, për të cilën KLSH ka nxitur dhe mbështetur implementimin e saj që në fillim, nga auditimet është konstatuar se veç impakteve pozitive që ka dhënë në drejtim të përqEndrimit dhe menaxhimit më të mirë të të ardhurave, rritjes së volumit të investimeve, në opinionin tonë të pavarur, nuk janë arritur pritshmëritë e duhura në lidhje me rritjen dhe cilësinë e shërbimeve ndaj komunitetit, rritjen e të ardhurave financiare, etj. Gjatë zbatimit të procesit të reformës për riorganizimin administrativo-territorial, në praktikë janë shfaqur mjaft problematika të natyrave të ndryshme, si në transferimin e aseteve, hartimin me cilësi të bilanceve të konsoliduara, dorëzimin e inventarëve sipas llogarive, veçanërisht detyrimet tatimore të bizneseve. Efekt negativ në këtë drejtim ka pasur edhe fakti se shumë punonjës të cilët kanë qenë të ngarkuar me detyra funksionale, u larguan nga puna për arsye strukturore etj., pa bërë dorëzimin e detyrës me procesverbal, që do të thotë pa dorëzuar dokumentacionin përkatës, si dosjet shkresore, listat e detyrimeve, dokumentacionin elektronik, e gjithçka tjetër të krijuar gjatë procesit të tyre të punës, duke mos krijuar vazhdimësi të informacionit zyrtar, e për pasojë vënien në vështirësi reale strukturën e re të bashkive. Sistemi i kontrollit të brendshëm (që do të thotë rregulla të shkruara për funksionimin e çdo “qelize” të institucionit), ka qenë i implementuar dobët dhe strukturat e njësive që janë shkrirë dhe strukturat e bashkive të reja kanë paSur ndikim të rëndësishëm në këtë drejtim. Dobësia e këtij sistemi ka lejuar shkelje të kuadrit rregullator gjatë ushtrimit të funksioneve, me pasoja negative për buxhetin e tyre. Kështu nga auditimet e ushtruara vetëm për buxhetin e vitit 2016, në 21 Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore, është konstatuar një dëm ekonomik në vlerën 326,5 milion lekë, ndërsa për vitin 2017, në 32 Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore, është konstatuar një dëm ekonomik në vlerën 1 miliard lekë, dëm i cili është rekomanduar për t’u zhdëmtuar në masën 100%. Nga auditimet e ushtruara në NJVQV konstatohet, se në mjaft raste planifikimi i të ardhurave nuk bëhet i studiuar, por ka rezerva për rritjen e planit të taksave e tarifave vendore, pasi në disa lloj taksash e tarifash vendore, planifikimi nuk është bërë i studiuar mbi bazën e numrit të subjekteve, mungon planifikimi i të ardhurave nga abonentët familjarë, si dhe nuk është mbajtur parasysh realizimi i vitit të mëparshëm. Nuk është ndjekur e plotë procedura e arkëtimit për debitorët, sidomos ata të periudhave të mëparshme, dhe në disa raste nuk ka një transferim të saktë të listës së këtyre debitorëve nga ish komunat te bashkitë e reja. Problematik mbetet keq menaxhimi i sipërfaqeve pyjore, kullosore dhe ranore, mos regjistrimi në ZRPP i sipërfaqes së tokës bujqësore të ndarë për numrin e familjeve, por dhe aseteve të kaluara në pronësi të NJVQV nga Këshilli i Ministrave nëpërmjet VKM-ve përkatëse. Mangësitë në planifikimin e të ardhurave reflektohen edhe në ndjekjen e realizimit të këtyre treguesve, të cilat janë burim kryesor për rritjen e nivelit të investimeve, në mënyrë që ti jepet shërbimi cilësore dhe vëmendja e duhur komunitetit. Në subjektet e audituara paraqitet një nivel i lartë i borxhit tatimor, i cili ka ardhur gjithmonë në rritje nga viti në vit, duke reflektuar nivelin e lartë të të ardhurave të munguara në buxhetet e këtyre njësive që do të thotë më pak investime për komunitetin. Një pjesë e konsiderueshme e këtij borxhi tatimor është krijuar gjatë viteve të mëparshme. Pavarësisht se disa herë kanë dalë akte ligjore për faljen e taksave dhe tarifave vendore përsëri niveli i borxhit tatimor paraqitet në rritje fakt që tregon se “amnistitë fiskale” në gjykimin e KLSH në disa bashki nuk kanë dhënë pritshmërinë e kërkuar. Rrjetit të institucioneve që mbartin detyrime të papaguara nuk i kanë shpëtuar njësitë e qeverisjes vendore, problem ky që thellua dhe më tej gjatë riorganizimit të këtyre njësive në zbatim të reformës territoriale. Çështja bëhet dhe më e mprehtë në këto njësi nga pikëpamja e menaxhimit buxhetor nëse do të krahasojmë me njësitë e qeverisjes së përgjithshme. Këto parregullsi kanë sjellë mos evidentim të drejtë të inventarit të aseteve të këtyre njësive, të të drejtave dhe detyrimeve të tyre. Adresimi jo i drejtë i kësaj problematike mund të çojë në rritje të huave financiare në nivel lokal, e cila në ndonjë bashki me performancë të ulët në grumbullimin e të ardhurave, mund të çojë edhe në një “faliment” të mundshëm të njësisë vendore. Konstatohet mungesa e njohjes dhe perceptimit të drejtë të kërkesave të ligjit për menaxhimin financiar dhe kontrollin, fakt që tregon se vëmendja e strukturave të Ministrisë së Financave është larg njësive të vetëqeverisjes vendore, ndërkohë që risku operacional në këto njësi është mjaft i lartë. Ka mungesë të funksionimit të sistemeve të kontrollit të brendshëm, fakt që rrit risqet për miradministrim të fondeve buxhetore në përputhje me objektivat. Nuk bëhet fjalë të njihen risqet e aktivitetit dhe aq më pak të ketë strategji të menaxhimit të riskut (përjashtuar këtu raportimet formale që bëhen në kushtet e përgatitjes së formularëve të vetëvlerësimit).Të angazhuar për të siguruar përgjegjshmëri dhe transparencë në çdo hallkë dhe nivel të qeverisjes, KLSH në raportet auditimit si dhe në raportet vjetore të zbatimit të buxhetit nuk është kufizuar vetëm në informimin e publikut dhe parlamentit mbi gjetjet dhe shkallën e përgjegjshmërisë së drejtuesve lokalë, por i ka adresuar ato me rekomandime për masa, ndryshime dhe veprime për t’u ndërmarrë nga këshillat bashkiakë dhe organet e tjera për të sjellë ndryshime pozitive dhe për të shtrirë impaktin për përmirësime të mëtejshme të sistemit. Në jo pak raste këto rekomandime janë lënë mënjanë, të pazbatuara, pa asnjë argument ligjor, duke dëshmuar dhe njëherë nivelin e ulët të përgjegjshmërisë të drejtuesve lokalë dhe njëkohësisht për një mbikëqyrje dhe monitorim të dobët mbi administrimin, menaxhimin dhe performancën e njësive të qeverisjes vendore.

Përgatiti:

Ryisim Xhaja,

Auditues i Lartë