Vepror Hasani: Emigrantët shqiptarë u ndihmuan me bukë e ujë nga policët grekë

349
Sigal

Ja çfarë ndodhi gjatë 4 ditëve në Doganën e Kapshticës
Dita e hënë përveçse u gdhi pa asnjë shpresë për emigrantët me dokumente të rregullta, të mbetur të izoluar në zonën neutrale mes Shqipërisë dhe Greqisë, u pasua edhe nga një lajm tjetër: 5 emigrantë ishin transportuar gjatë orëve të mbrëmjes të së dielës drejt spitalit të qytetit të Bilishtit, ndërsa një pjesë tjetër, rreth 12 veta, në orët e para të mëngjesit ishin nisur sërish drejt Blishtit dhe nëse do të ishte e nevojshme do të çoheshin në Korçë, pasi gjendja e tyre shëndetësore ishte vështirësuar për shkak të të ftohtit, rreshjeve të shiut dhe të dëborës. Megjithatë pas majes së ndihmës së parë mjekësore, të dy grupet, rreth 17 veta, u nisën drejt vendbanimeve të tyre ku do t’i nënshtrohen vetizolimit. Kjo kategori personash u la të hynte në tokën shqiptare sepse ishte e pajisur me lejë 90 ditorë dhe jo dokumente të rregullta dhe ndodheshin në Greqi për arsye shëndetësore etj. Kurse për pjesën e mbetur të emigrantëve, rreth 25 veta, që vijojnë të qëndrojnë në zonën neurale do të shihet mundësia për t’u kthyer sërish në shtetin grek. Nëse kjo nuk do të ndodhë atëherë sipas gjasave do të lejohen të hyjnë në Shqipëri.
4 ditë-netët e emigrantëve
Pasditen e së hënës situata në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës u tensionua. Shkak për agravimin e gjendjes u bënë: pritja e gjatë pa marrë asnjë përgjigje që nga ora 16.00 e ditës së premte; moti i vështirë me rreshje shiu dhe dëbore; mungesa e ushqimit; prania e personave të sëmurë që kërkonin ndihmë mjeksore dhe ndihma nuk po u ofrohej në kohë; prezenca e fëmijëve, e grave dhe e të moshuarëve që nuk përballonin dot të ftohtin dhe lagështirën; gjendja shëndetësore jo e mirë e tri grave dhe dy burrave, të cilët përfunduan në spitalin e qytetit të Bilishtit; vlerësimi si absurditet i moslejimit të emigrantëve shqiptarë të ktheheshin në atdheun e vet, dhe mbi të gjitha mosmbajtja në korrent për çfarë po bëhej për zgjidhjen e hallit të tyre. Ndërkohë numri i të ardhurve nga Greqia po rritej, grupi i parë që mbërriti ditën e premte ishte rreth 20 veta, kurse gjatë ditës së diel numri i tyre shkoi në rreth 50. Edhe të afërmit e tyre për katër ditë më radhë qëndruan në pritje të tyre me shpresën se do t’i lejonin të vazhdonin rrugën drejt familjeve të veta. Madje ata ishin të gatshëm që t’i përgjigjeshin edhe vetëkarantinimit 14-ditor.
Protesta
Për të gjitha këto, situata erdhi duke u rënduar. Kjo ishte dhe arsyeja që tentuan bllokimin e kalimit të automjetve të transportit të mallrave. Gjatë kësaj kohe u dëgjuan edhe thirrjet: Rama Ik! Për të mbajtur situatën nën kontroll, në zonën neutrale mbërritën forca të tjera policie. Megjithatë, askush prej tyre nuk u lejua të hynte në tokën shqiptare. Kjo e drejtë, sipas autoritetve të Policisë Kufitare, u lejohej vetëm atyre që ishin të pajisur nga Konsullata Shqiptare në Greqi me një vërtetim për arsye shëndetësore ose studimesh. Gjithsesi, pritja për tri ditë me radhë u shndërrua në protestë. Tre prej emigrantëve u shoqëruan në polici. Për t’i paraprirë përkeqësimit të mëtejshëm shëndetësor të të moshurave (gra dhe burra), këta të fundit u mbajtën në makinën e policisë për t’i ruajtur nga i ftohti dhe reshjet. Mësuam gjithashtu se emigrantët shqiptarë u ndihmuan nga policë grekë për plotësimin e nevojave së paku për bukë dhe ujë.