Varrezat greke, qeveritë dhe gjaku i gjyshit tim!

741
Sigal

Kristo MËRTIRI

Varrezat greke, gjaku i gjyshit tim dhe topçinjtë partiakë e qeveritarë!

Përsiatje nga cikli “Antiharresa “

Në Grykën e Mezhgoranit, te kjo portë historike e përzhitur në shekuj edhe nga vetëtimat dhe rrufetë e betejave me pushtues e të pushtuar, te ai rrip toke me dheun e zhuritur nga flakët dhe predhat e artilerisë së kohës gjatë Luftës Italo-Greke e më pas, te një ngastër e përzgjedhur nga të gjallët për të vdekurit, vetëm bari është ndërruar 74 herë. Te ky vend “vakëf” nuk shkelte këmbë njeriu dhe as qetë e parmendës me plugjet e rraskapitur për të mbjellë pak misër e grurë. Ky “rit” gati i shenjtë vazhdoi 74 vite kështu. Dhe kjo dëshmi jo dosido në Saimolë e përqark saj (megjithëse hapeshin e mbylleshin dhjetëra varre bashkë me të dërguarit nga përtej detit e matanë maleve, me spaleta e pa spaleta mbi supe) rrëfehej e rrëfehet nga brezat në Dragot, Mezhgoran e Peshtan.

Ndjeshmëria dhe respekti për të vdekurit mbajti të pashuar një traditë zakonore të lashtë, në monizëm dhe në pluralizëm. Fjala vjen, kur nuk ishte hedhur ende pasarela e drunjtë mbi Vjosë, në rininë time të hershme, atë tablo të shënuar, unë dhe vërsnikët e mi e shikonim nga përtej lumit sa herë kalonim nëpër udhën e vjetër që sot mund të ecin si të trembura edhe vetë kopetë e dhive. Mirëpo mua më dukej se kisha fituar një “privilegj” a shans më tepër se të tjerët: Mbi Buzën e Savës, kur ktheheshim me babanë nga Tepelena cdo të shtunë pasdite, pranë një mëlleze që rron sot e kësaj dite, bënim një pushim të shkurtër. Im atë nuk harroi asnjëherë të merrte në xhepin e këmishës vetëm dy cigare (nuk ishte duhanpirës). I ndizte në heshtje, diçka mërmërinte thellë dhe befas binte ca çaste në mendime e meditime. Vonë mësova me hollësi për brengën e tij të patretur, për plagën e madhe të pambyllur që pikonte dhimbje deri ditën që mbylli sytë përgjithmonë në fillim të viteve ’80 të shekullit që shkoi… Përfytyroni sadopak një djalë që nuk i kishte mbushur të tridhjetat, bashkë me kunatën e rrallë Katerinë, duke hapur një gropë buzë Vjosës që kullonte serë, në Carahuar. Nuk kishte kohë e mundësi për kuje e ulërima, as për vaje e ligje. Në fshat nuk hynin dot. Nazistët gjermanë, pasi morën pabesisht me tyta e bajoneta armësh 34 burra për t’i degdisur nëpër kampe internimi e shfarosjeje, u vunë flakën mjaft shtëpive në Peshtan. Ndërsa mbi Buzën e Savës me buzë të ngrira nga ngricat e janarit, nga njëshkolona e rrëmbyer, zgjodhën me dorë vetëm gjyshin tim, me emrin e të cilit prindërit më pagëzuan në vitet ’50. E torturuan, e masakruan, e pushkatuan dhe e vërvitën në greminë ! Tregojnë se një si rënkim tronditës i papritur mori rrokullimën nga honet e Haprës e nga Qafa e Furkës dhe sikur krisën bredhat e luleblirët mbarsur me dëborë… Po përcillej një urrejtje naziste kafshërore e pashoqe.

Operacioni Armik i Dimrit(1943-’44), në atë nahije u mbyll me një të pushkatuar e masakruar mizorisht. Të groposësh babanë me duart e tua larg vendlindjes e nën breshëritë e armëve të pushtuesit dhe të mercenarëve kuislingë e kallauzë të tërbuar, nuk është kurrsesi ndonjë skenë krijuese nga dramat tragjike shekspiriane apo nga proza e mirënjohur kadareane. Ky realitet makabër nuk e pati epilogun atje, mbi Buzën e Savës së përgjakur nga gjaku i gjyshit tim të ndjerë. Pas pak kohësh, kur divizioni nazist ishte larguar nga Gryka e Mezhgoranit, varri i përkohshëm e i vetmuar në Carahuar u hap përsëri. Dhe trupi i bërë shoshë nga plumbat u ngrit në krahë e supe dhe u strehua me ceremoni të thjeshtë familjare në banesën e fundit rreth kishës së Shën Mërisë, në atë tokën e vaditur me lot peshtanakësh në breza e që s’thahen kurrë. E vendosën atje ku prehej trupi pa kokë i Kara Mërtirit, që u sakatua tmerrësisht në mbrojtje të kufirit kullosor të vendlindjes, nga duart e zeza të kullave të bejlerëve në Grykën e Këlcyrës vite më parë. Dhe u gjet pas dy ditësh falë qenit të stanit që ulërinte pranë të zotit. Madje peshtanakët e mençur e dinjitozë (ortodoksë e myslimanë),kokën e tij e ruajtën në një sënduk të posaçëm brenda kishës së Shën Thanasit si nder i veçantë për fshatin, deri në 1967. Pas këtij viti, babai e mori kafkën dhe e çoi pranë trupit në Shën Mëri. Sot e gjithë ditën përtej Bathishtës, ajo copë arë e vogël mes kullotave mban natyrshëm e thirret me emrin drithërues: Ara e Kara Mërtirit! Për atë ngjarje tragjike të paharruar në kujtesën popullore, flet edhe një këngë e vjetër, që unë e mësova vitet e fundit… Për gjyshin e pushkatuar e të masakruar nga nazistët gjermanë, vonë, shumë vonë kanë folur e shkruar cekët disa veteranë ish-partizanë. Babai ynë i mirë, i heshtur e plot modesti ndoshta të tepruar (I ndrittë shpirti atje ku prehet dhe na pret e përcjell sa herë hyjmë a dalim nga Tirana, në Sharrë!), nuk iu dëgjua kurrë zëri revoltues i drejtë nëpër zyrat pushtetare e partiake në Tepelenë, qoftë për të atin e qoftë për veten. Askujt nuk i tundi derën a këmbët. Deri në pragvitet ’70 banoi në një barakë prej dërrase e katramaje, në zemër të qytetit, prapa një muri të shtëpisë së Kahreman Shehut! Sa qe gjallë, nuk kërkoi asnjë lloj dëmshpërblimi moral e monetar dhe as u kujtua njeri, siç bënë e fituan nga shteti monist mjaft të tjerë që demonstronin e çirreshin edhe për ndonjë gjilpërë në kashtë… “Biorgrafinë tuaj bëjeni vetë, me djersën e ballit!”. Vetëm kaq na thoshte shpesh mua dhe vëllait gjatë shkollimit dhe kur dolëm në jetë, njëri në Arsim e Diplomaci dhe tjetri në Gazetari. Nga të vetmit amanete:

-Mos e harroni kurrë barakën nga kini ardhur!… Veçse gjer më sot, askush nuk e ka thënë të plotë të vërtetën e pushkatimit të gjyshit. Megjithëse flitej për familjen si një nga bazat mbështetëse të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe për mikpritjen e njohur ndaj ndonjë drejtuesi të Brigadës së Parë Sulmuese Partizane etj. Apo për të birin (babanë tonë) organizator kryesor e protagonist i Protestës së parë Punëtore Antifashiste pas pushtimit Italian te kantieri në Urën e Bënçës, në 10 Maj 1939. Ngjarje që e pagoi duke u arrestuar e burgosur në qelitë famëzeza të Kalasë së Gjirokastrës, ku u gjykua e u dënua nga sahanlëpirës të regjimit fashist e që pinjollët e tyre sot duan të na shesin dëngla atdhetarie e demokracie(?!). O Perëndi, na mbaj mirë fiqirin! Provoi edhe internimin në guroren skëterrë të Shëngjinit të Lezhës… Jo më kot u zgjata ca te ky lloj rrëfimi i copëzuar. Sa për gjyshin, kam medituar gjatë. Sidomos kur jepeshin kronikat televizive nga zhvarrimet e eshtrave të ushtarëve grekë në Saimolë. Më pushtonte një hidhërim e dëshpërim i dyfishtë. Çdo kameraman, duke filmuar gërmimet e takimet shtetërore në ato varreza, nxirrte në sfond edhe atë buzën e gjakosur të Buzës së Savës, që në vijë ajrore është shumë afër. Buzë që nuk i qeshi kurrë buza, as nga shteti monist e as nga ky pluralist! Standarde të neveritshme. Vetëm mëlleza kujtohet çdo vit. Kur çelte ajo, vetëm atëherë mund të thoshim me plot gojën, se erdhi pranvera… Por duke dëgjuar e lexuar debatet e rindezura “përgjëruese” për Mid’hat Frashërin dhe veçanërisht për kolaboracionizmin e Ballit Kombëtar, të futur nën kapotat gjermane, nuk kisha dëshirë të hyja në polemika akademike, partiake e qeveritare. Sepse historia ka folur gjatë dhe nuk kthehet dot përmbys. Vlerat dhe antivlerat kanë dalë në dritë herët, që kur Shqipëria jonë u rreshtua me dinjitet në Koalicionin Antifashist Botëror. Por disa pyetje jo pa ngarkesa retorike në dekada, lidhur me gjyshin tim, po i bëj pa frikë e publikisht: Si e njohën dhe përse e hoqën zvarrë nazistët gjermanë të vetmin burrë nga 34 veta që po syrgjynoseshin drejt Tepelenës e më tutje? Kallauzët e tyre kuislingë e kishin bërë detyrën! Më thoni, ju ballistë të rinj a të vjetër, përse e torturuan dhe e masakruan me aq egërsi e djallëzi atë murator mjeshtër në ndërtimin e shtëpive e të krojeve gjer në krahinën e Zagories? Përse i derdhën vallë breshëritë e armëve vetëm te ai burrë i urtë e bujar i veçantë në pritjen pa kushte e pa asnjë pishmanllëk të luftëtarëve të Lirisë? (Apo kishin ndonjë defter ekskluziv me emra nga dora vetë, Hitleri?!). Pallavrat politike në të djathtë e në të majtë, bien erë të rëndë. Boll e kemi mbajtur hundën me dorë përballë Polit(h)ikës së gjirizeve. Batakçinjtë e penës e të lapsit dhe prostitutat intelektuale e publicistike vijnë e shkojnë. Shkurt, mirë e pushkatuan, po përse e hodhën kufomën e gjyshit në greminë në atë palcë dimri të fundjanarit 1944?… Nëse kyçni gojën ju apo ndonjë qeveritar e lider-kalander partiak i djathtë a i majtë, nuk mund të hesht më unë dhe bashkëfshatarët e mi të dashur. Shpifjet e kallauzëve të rinj topallë e çyrykë nuk pinë më ujë! Sot për sot, le ta mbyllim me një paragraf nga një dorëshkrim i Dritëroit, fiks 26 vjet më parë: “Në jetën tonë, fatkeqësisht, ka ende mjaft çmenduria, pasi nga livadhet e djeshme kanë mbetur nëpër rrëza shumë gomarë të tërbuar. Dhe siç thoshte H. Hajne:”Nuk ka kafshë më të tmerrshme se gomari i tërbuar”. Një herë dy gomarë të tillë të tërbuar takuan para një lisi një njeri dhe iu kërcënuan: “Hip në lis se të vramë!”. Njeriu hipi në lis. Dy gomarët e tërbuar i thirrën: “Zbrit, se të premë!”. Dhe që nga ajo kohë mbeti thënia: “Hip se të vrava, zbrit se të preva!”. Edhe shpifja është një çmenduri, por e ndërgjegjshme. Ajo ka të njëjtën alternativë që paraqesin gomarët e tërbuar…”. Thoshte mirë usta Kiçua babaxhan:

-Nga të lehurat e qenve, nuk gremisen dot as mali Golik e as Trebeshina…