Vangjush Saro: Shteti qëndron, demokracia bie

540
Sigal

Publiku i gjerë, më shumë se kurrë, është i fokusuar këto kohë në konfliktin politik që ka mbërthyer vendin dhe rrezikon të prodhojë trazira e paqendrueshmëri, çka do përcillte pasoja për qytetarët, për vetë shtetin dhe për të ardhmen e vendit në kuadër të reformave dhe raporteve me Perëndimin. Qasja në këtë konflikt e Presidentit të Republikës, z. Ilir Meta, që u përpoq të krijonte një mundësi për shtyrjen e zgjedhjeve dhe uljen e aktorëve politikë në bisedime, nuk e zbuti konfliktin në fjalë, përkundrazi e acaroi edhe më. Shumica (për të cilën tani thonë se nuk është më e tillë, por kjo nuk provohet me llafe) tregoi njëlloj arrogance ndaj njërit prej ish-drejtuesve dhe inspiruesve të dikurshëm të saj; gjë e zakonshme për stadin e politikës shqiptare.

Sadoqë Kuvendi – ishte nisur për shkarkimin e Presidentit – u mjaftua vetëm me diskutimin dhe votimin e një mocioni kundër zhdekretimit të zgjedhjeve, konflikti mbetet shumë serioz, situata qytetare gjithashtu. Për ta ulur sadopak këtë trysni që vazhdon prej dekadash, duhet thënë se hedhja në këtë konflikt e akuzave soj-soj dhe përbaltja e kundërshtarëve, së paku atyre që mendojnë ndryshe, është e palejueshme. Politikanët, mediat, qytetarët mund të formulojnë pakënaqësi, akuza; por janë organet e drejtësisë ato që vendojnë. Kjo lojë me akuza e fletë-arresti, pa qenë Drejtësia në zyrën e duhur, nuk shkon më.

Duhet hequr dorë njëherë e mirë nga ky shigjetim trishtueshëm dendur dhe jo gjithnjë me argumente i barrikadave apo pozicioneve politike a vetiake të aktorëve në fjalë. Kemi ngritur një legjendë rreth ‘ligësisë’ së politikanëve tanë, pa qenë të vetëdijshëm, se çfarë domethënë ky ‘stan’. Tek e fundit, ‘këta’ tanët nuk janë pa le sa ndryshe nga njëri-tjetri e, mbase, edhe nga ‘ata’ të botës… Duhet të jemi realistë, të mos shohim ëndrra me politikanë të rënë nga qielli dhe me ndëshkime kundërshtarësh, kurse edhe vetë jemi për t’u ndëshkuar; për më tepër që, siç dihet, në momente të vështira, tonet ngrihen, dyshimet dhe konstatimet madhohen.

Në këtë kuptim, lipset të përmbahen e të qetësohen më së pari ata që më shumë se kushdo reflektojnë nerva e urrejtje dhe mallkojnë orë e çast e parashikojnë… fundin e Botës, përndryshe politikanët dhe analistët.

 

Shteti qëndron…

 

Pse dhe si qëndron shteti? Qëndron sepse nuk janë rrethanat për një pakënaqësi totale (si, larg qoftë, në vitin ’97; meqë nga disa media e politikanë është thirrur në skenë ai vit i frikshëm). Mund të ketë akte dhune e kundërshtimi fizik, që për fat të keq parashikohen madje inspirohen edhe nga analistë të zemëruar, kundërshtarë kokëfortë (e bartës interesash të forta) të kryeministrit, z. Edi Rama; mund të shkojnë keq zgjedhjet e mund të ketë shumë incidente dhe episode që s’mund të parashikohen, s’mund ndoshta edhe të parandalohen; por, ej, mundet edhe të shkojë ashtu, disi, mirë si për Shqipëri. Pra, mund të mbyllet (përkohësisht) kjo histori me pakënaqësi dhe një standard të papranueshëm, për qytetarët shqiptarë dhe për ndërkombëtarët, mund të shkohet drejt një paqeje të vështirë, sa për të ‘hedhur lumin’, që gjithsesi do të vazhdojë të rrahë brigjet dhe të gërryejë gjithçka përreth.

Këtu askush nuk mund të bëjë Kasandrën. Por në fakt, ka gjasa për skena të pakëndshme. Këto ditë, ka pasur përpjekje sporadike për të penguar fushatën e kryeministrit. Është e trishtueshme të shikosh qytetarët, qoftë edhe të yshtur politikisht, qoftë shumë, qoftë edhe të pakët, të sulmojnë fizikisht kryeministrin e tyre. Është njëlloj paralajmërimi për episode edhe më të dhimbshme. Për fat të keq. Por megjithatë, në një vështrim të pa mjegulluar e në kujtim rastesh të ngjashme, nuk ka arsye madhore për thirrje e akte ekstreme. Kjo klasë politike dhe ky nivel qytetarie mund të prodhojë edhe shembuj të tillë të pakëndshëm, të papranueshëm, zgjedhje sa për të thënë, por që mbajnë në këmbë, me të keq, një shtet që gjithsesi është më mirë se anarkia.

 

Demokracia bie…

 

Në rastin më të mirë, pra edhe nëse shteti arrin të kontrollojë pakënaqësitë, revoltat spontane apo të organizuara, fundja edhe vetë procesin zgjedhor në ditën e mbrojtur nga PS, demokracia është goditur keq, në mos bie krejt… Kjo është pak e kushtueshme për t’u shpjeguar, por shumë e kushtueshme për t’u përjetuar. Do të nënvizoja me këtë rast qëndrimin e z. Luan Rama, eksponent i LSI, një nga politikanët dhe intelektualët që përpiqet të ruajë qetësinë, kur tha këto ditë se nuk është puna ç’prapësi mund të ndodhin, ndërkohë që dëmi dhe prapësia më e madhe është të humbasësh, të zhbësh ato arritje që ka regjistruar vendi në këto dekada.

Demokracia bie. Ndoshta ka rënë me kohë, por cedon edhe më shumë e më keq, në rastin e një këmbënguljeje alla shqiptarçe për të mos komunikuar, për të mos lëshuar pe, për të rrezikuar stabilitetin e vendit dhe qetësinë (aq sa ajo është) e qytetarëve. Në situata të caktuara – sërish mund të kujtojmë edhe disa procese të tjera zgjedhore të sforcuara dhe ku është përdorur diktati e dhuna – zgjidhjet autoritariste, që vijnë nga lart, e kanë kthyer pas vendin, institucionet dhe parimet që duhen mbrojtur në një demokraci.

Do të ishte fatale të ndodhte sërish e njëjta gjë; ky ‘film’ nuk do të ndiqet paq as nga qytetarët, as nga ndërkombëtarët. Por në rastin më të mirë, nëse gjendja nuk do të përkeqësohej në mënyrë ekstreme dhe ata mund ‘të mbyllin njërin sy’, sigurisht prapë do të flasin për hapa prapa dhe konspiracion…

Koha për konsensus me bazë të gjerë

 

Pse hapa prapa dhe ç’konspiracion?! Në këtë term, do të parapëlqeja të argumentoja duke cituar analistin e njohur Janush Bugajski: “Nga pikëpamja propagandistike dhe e dezinformimit, Rusia do ta përshkruajë dhunën politike ose rënien institucionale në Shqipëri, si një dështim tjetër të Perëndimit. Një skenar i tillë shkatërrues, do të përdoret nga Kremlini për të përforcuar mesazhin se anëtarësimi në NATO nuk mund të garantojë siguri dhe se Bashkimi Evropian nuk mund të promovojë zhvillim.”

Kush nuk e ndjen dhe nuk e kupton këtë, është i përfshirë; me dashje apo nga kokëshkretësia, i paguar apo i yshtur. Zgjidhja? Unë mendoj se koha është për një konsensus me bazë të gjerë. Me këtë nënkuptoj përfshirjen në debat konstruktiv të krerëve të forcave politike, atyre të institucioneve kryesore të vendit, të forumeve që përfaqësojnë shoqërinë civile, studentët dhe sindikatat, pa lënë mënjanë ekspertë të zgjedhjeve, të politikës dhe të marrëdhënieve me aleatët, etj.

Pse konsensus me bazë të gjerë? Që përfundimi dhe zgjidhja e këtij akti të domosdoshëm të jenë të medituar e të pranuar nga sa më shumë subjekte dhe aktorë. Që paskëtaj të mos krijohet mundësi për kthim pas e për pazare që më vonë përgojohen. Dhe këtë konsensus, pavarësisht lojërave dhe gër-mërre-ve, mund ta iniciojë dhe udhëheqë Presidenti i vendit. Kaq. Kjo do të thotë se aktorët janë pak a shumë në vendet e tyre, në rolet e tyre dhe mundësitë për një procedim normal e të logjikshëm të situatës, janë realitet, sa edhe një grishje e pakundërshtueshme për paqe e për stabilitet, gjithashtu.