Vangjush Saro: Shteti pa institucione

621
Sigal

 

 

Vangjush Saro

 

Shteti pa institucione

 

Opinion

Gjatë gjithë tranzicionit të tejzgjatur, Shqipëria ka vuajtur mungesën e institucioneve dhe të jetës institucionale, duke u bë pre e rastësive, e emocioneve, e kokëshkrepjes së njërit e të tjetrit. Por kjo dukuri, këto kohë është bërë ‘me barrë’. Fjala institucion ka humbur fare, është degraduar. Roli i institucioneve-bazë është dobësuar dukshëm, për të mos thënë që ato janë asfiksuar. Dhe ligjin, opinionin, vendimin, gjithçka e prodhon, e merr përsipër dhe e bën të mirëqenë vetëm një institucion, ai i qeverisë, madje i Kryeministrit vetë. Gjithë ajo zhurmë për rilindje e ku di unë çfarë tjetër, katandisi në njëlloj kaosi. PPP-të i kanë shtrirë kthetrat gjer në Butrint… (“Revolucionet mbarojnë në momentin kur plotësohen qëllimet personale të drejtuesve.” V. Hygo)

Një shtet që nuk drejtohet me ligje dhe ku mungojnë institucionet kryesore, që zëvendësohen me bërtitje dhe autoritarizëm, me emocione dhe kokëshkrepje, i bën dëm më së pari popullit të vet. Kështu, Drejtësia, një nga shtyllat bazë të shtetit dhe të jetës së një shoqërie normale, prej kohësh është në krizë. Ngutja për t’u dukur reformator e për të ‘prangosur’ kundërshtarët politikë, e kombinuar me përuljen dhe servilizmin ndaj të huajve (gjë që s’do të thotë se nuk duhet praktikuar bashkëpunimi) e kthyen lojën me institucionin e Drejtësisë në një aventurë. Gjykatat, në të gjitha shkallët e tyre, janë bërë kakofoni. Institucione të tjera, si Avokati i Popullit, Kontrolli i Lartë i Shtetit etj., gjithashtu janë në hije dhe nuk iu ndihet zëri për asgjë; edhe kur ato vënë gishtin mbi ‘plagët’ e këtij sistemi të zhytur në abuzime, episodet kalohen pa ndonjë vëmendje të madhe. Kurse ndonjë prej institucioneve që duhej të ishin në krah të shtetit e të kombit, si Akademia e Shkencave, ka dekada që vetëm ‘reformohet’ dhe s’është parë asnjëherë në asnjë temë.

Institucione të tjera, që edhe më parë kanë qenë në një gjendje të mjeruar, tani janë katandisur edhe më keq. Opinioni i gjerë ka ndjekur atë që ndodhi me Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, pas zgjedhjeve të organeve drejtuese të tyre. Praktikisht, Dhomat e Tregtisë kanë qenë dhe mbeten në bisht të situatës ekonomike e tregtare të vendit. Kjo ndodh sepse ato nuk i përfill askush kur është fjala për vendime të rëndësishme dhe për ndarje të aseteve e mundësive për biznes. Këto ‘dhurata’ shkojnë te miqtë e Kryeministrit apo të ministrave të tij.

Ndërkaq e, për më keq, vendit i mungon aktualisht edhe opozita reale; ajo u detyrua të shmangej nga një Parlament ku Kryeministri diktonte, ashtu si në mbledhjet e Qeverisë, ku nuk guxon kush të thotë ndonjë fjalë ‘ndryshe’ nga ç’ligjëron ‘i pari’. Madje edhe në studio televizive, vetëm ai dëgjohet. (“Shumë prej atyre që kryejnë akte të turpshme, mbajnë fjalime frymëzuese.” Demokriti)

Mbi të gjitha, vendit i mungojnë edhe institucionet që qëndrojnë mbi superstrukturën, institucione që nuk kanë zyra e punonjës, po për të cilët një shtet serioz punon pareshtur: Besimi dhe siguria. Këto terma janë lëkundur në mënyrë serioze, tash e shumë kohë. Sado që t’i shmangemi toneve negative, problemet janë atje: Atentate mafioze. Kërcënime që nga nuk vijnë. Aksidente pa fund. Papunësi. E në këto rrethana, janë shtuar dhe nuk mungojnë asnjëherë njerëzit që punojnë dhe ndihin Kryeministrin, afër apo larg tij, me fjalë, me hartime, me gënjeshtra. Këta njerëz e zyrtarë e media, që i vijnë përqark gjithë ‘dashuri’ e respekt (por frikëpërzier) e bëjnë edhe më të mjerë situatën. (“Fatkeqësia e Don Kishotit nuk është përfytyrimi i tij, por Sanço Pançoja.” Franc Kafka)

Të gjitha këto deformime janë më së pari për shkak të mungesë së përvojës për të ndërtuar një shtet të Demokracisë, por edhe ngase kryeministri, z. Edi Rama, ka zëvendësuar këto institucione e të tjera që s’u përmendën, me veton e tij dhe të puthadorëve të tij, me frymën e demagogjisë dhe të autoritarizmit. Më e pakta që mund të kërkohet nga një shoqëri e tillë në krizë, është ndryshimi në drejtim të vendit, krijimi i një qeverie teknike që duhet ta korrigjojë disi këtë situatë absurde dhe të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Çdo zgjidhje e propozim tjetër e çdo këmbëngulje për të tërhequr zvarrë demokracinë dhe vendin, është një humbje më shumë në këtë përvojë aspak rezultative të Partisë Socialiste dhe të kreut të saj megaloman.