Vangjush Saro: Shqipëri – Kosovë, koha për ndryshim

319
Sigal

Një vend (pothuaj) pa opozitë dhe me një Kuvend copë-copë, që jo vetëm nuk të bind për asnjë çast e për asnjë sesion, por ka marrë tani përmasat e farsës. Politikanë të paformuar, të paedukuar, me qasje e sjellje brutale, ekstremiste, sikur të ishin cuba e jo njerëz të politikës dhe fjalës. Reforma për të cilat oreksi ishte i paparë, por rezultati i parë; njëlloj fanfare, nuk shkuan dot gjer në fund asnjëherë. 

Opinion

Nga Vangjush Saro

Nuk ka përparime të dukshme në të dyja vendet; marrë veç e veç, por edhe në kuadrin e bashkëpunimit e të bashkimit. Ngërçi mbarëshqiptar i Tranzicionit është njëlloj pellgaçeje – se nuk i themi dot ndryshe – ku mbyten ditët dhe shpresat e qytetarëve të Shqipërisë e Kosovës. Sistemi i demokracisë, që nuk se është më i përkryeri, por është më i përparuari gjer më sot, nuk ka gjetur ende terren; bashkimi në kuadrin e integrimit në Komunitetin “Perëndimor”, është ende në letra.  Në këto e sipër, nëse jemi mirë me kujtesën, por besoj që po, gjithnjë është folur për bashkëpunim, për progres të çështjes kombëtare. Në programe, fjalët e bukura dhe angazhimet ekstreme ishin gjithnjë qershia mbi torte. U tha se do të bëheshin mbledhje të përbashkëta të dy qeverive; do të luhej mirë ‘karta’ e bashkimit të natyrshëm mes dy vendeve; do të ndërtoheshin ura bashkëpunimi e njehsimi në arsim, art, kulturë. Edhe pse nuk mund të themi në mënyrë kategorike që s’ka përpjekje, parashikimet e dëshirat kanë devijuar, marrëdhëniet mes dy vendeve, institucioneve të tyre, formacioneve politike, etj., kanë mbetur të ftohta, here-herë krejt formale dhe të limituara brenda njëlloj burokracie pa gjak e pa shpirt. (Ndër moskuptimet më alarmante të kësaj drame, janë i ashtuquajturi Shengen Ballkanik dhe mënjanimi i Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Nuk themi se këta ishin të rënë nga qielli, por ‘rrëzimi’ i tyre, gjithsesi, është lajm i keq.)  Krizat e shumanshme në vendet respektive, formulojnë ato që mund t’i quajmë problemet kombëtare. Sa i takon Shqipërisë, për të kuptuar sa e paqartë dhe false është tabloja në këto tri dekada tranzicion, do të mjaftonte përmendja e disa ngjarjeve e datave, (viti ‘97, Gërdeci, 21 janari, etj.) dhe mandej abuzimi me ndërtime (monstruoze) skandaloze e në kundërshtim flagrant me interesat e qytetarëve. Një vend (pothuaj) pa opozitë dhe me një Kuvend copë-copë, që jo vetëm nuk të bind për asnjë çast e për asnjë sesion, por ka marrë tani përmasat e farsës. Politikanë të paformuar, të paedukuar, me qasje e sjellje brutale, ekstremiste, sikur të ishin cuba e jo njerëz të politikës dhe fjalës. Reforma për të cilat oreksi ishte i paparë, por rezultati i parë; njëlloj fanfare, nuk shkuan dot gjer në fund asnjëherë. Një kryeministër autoritarist, që sa vjen, grumbullon rreth vetes dhe klanit të tij më shumë pushtet, por edhe pikëpyetje, në një luftë absurde me mediet e kundërshtarët politikë. Nuk është më e mirë pamja as në Kosovë. Që nga çlirimi i saj (nga okupimi serb) e këtej, të pakta kanë qenë ‘ditët me diell’. Së fundi, u besua se pas zgjedhjeve të tetorit 2019, zgjedhje që ne të gjithë i vlerësuam,  do të ndryshonte kursi politik i Kosovës dhe mbase edhe ai i shqiptarisë. Hezitimi i gjatë i Vetëvendosjes dhe drejtuesit qendror të saj Albin Kurti, por edhe i fituesve të tjerë, njëfarësoj paratha çfarë do të ndodhte më pas. Roli i (pa)qartë i ndërkombëtarëve, termat në lidhje me ndryshimin e kufijve dhe taksa ndaj Serbisë, loja e kësaj të fundit për ta trazuar orë e çast “krahinën” që dikur e kishte dhe s’e kishte, qëndrimi as mish as peshk i Shqipërisë në situata të vështira për Kosovën, të gjitha këto shtuan llumin në pellgaçen e tranzicionit mbarëshqiptar. Popullit shqiptar, inteligjencës dhe institucioneve, iu dha mundësia për të treguar më shumë nga historia dhe kultura e tyre, nga virtytet dhe cilësitë e trashëguara dhe që në momente të caktuara vijnë mirë në pah (si në rastin e mikpritjes së popullsisë së përndjekur kosovare apo gjatë dhe pas tërmetit të fundit në Shqipëri). Por ajo çfarë shohim më tej, ka qenë dhe mbetet shumë pak; pritshmëria e lartë mbeti peng në ngërçin e tranzicionit. Klasa politike në Kosovë dhe në Shqipëri ose shtiret shumë e përmbajtur ose nuk e ka fare në fokus demokratizimin e këtyre vendeve e, mandej, çështjen kombëtare. Liderët kosovarë, si dhe ata në Shqipëri, janë në një “derexhe” që më keq nuk ka ku të shkojë. Në vend që të bisedojnë shtruar me njëri-tjetrin, në kuadër politik e shtetëror apo edhe në terma mbarëkombëtarë, ata përfyten e anatemohen. Shuma e përpjekjeve të çoroditura, mbetet Tranzicioni, pamundësia për alternativa të besueshme dhe të mbështetura në mënyrë të gjerë nga elektorati apo edhe vetë faktori politik. Në radhët e intelektualëve e qytetarëve, medies e krijuesve, krahas shumë qëndrimeve korrekte, por që nuk gjejnë rrezatimin e duhur, ka një kakofoni sjelljesh që e bën edhe më të trishtë gjendjen. Para disa kohësh, botova një shkrim me titull “Shqiptarë, mblidhni mendjen!” Krejt pa të keq. Por m’u zemërua një nga miqtë e mi më të mirë, me të cilin në dekada kemi ndarë mendimet dhe teprimet dhe nuk e kemi shitur kurrë njëri-tjetrin (!) Po çfarë të them unë? Nuk lamë asgjë pa përdhosur, nga Skënderbeu te Lëvizja Demokratike… Ndjen keqardhje kur dëgjon se si askushët… shajnë e mallkojnë njerëzit tanë më të spikatur. E kanë praktikuar këtë me Rugovën, tash e bëjnë me Rexhep Qosen. Po pse? Çfarë u ka bërë? Apo ngase donte t’i bashkonte që në fillim të viteve ‘90 (Lëvizja për Pajtim Kombëtar) dhe ngase mbron shqiptarinë, interesat e paqes kombëtare e të gjuhës kombëtare? Shajnë e përpiqen të përdhosin Kadarenë. Çfarë u ka bërë? Është shkrimtari shqiptar më i njohur, më i përkthyer dhe më i vlerësuar nga bota, në kohëra. Ne të tjerët – me ndonjë përjashtim e, sado që ka emra, përpjekje dhe arritje të çmuara – jemi “ala ke ura”. Pse atëherë gam-gam, pra?! Si është e mundur të mos gjendet një fije qytetari e tolerancë, por në çdo çast, andej e këtej kufirit administrativ, andej e këtej kohërave, i hidhemi njëri-tjetrit si… si nuk ma nxë goja?! Kështu është situata dhe këtu jemi, pa e zbukuruar: Partnerët e huaj (partner thashë?) dhe shërbimet inteligjente kanë shumë peshë në të dyja vendet, ndër politikanë të vjetër e të rinj; Serbia mbështetet në aleanca të hershme, të qendrueshme; “Perëndimi” qaset jo gjithnjë njësoj në problemin shqiptar; krerët e Shqipërisë dhe Kosovës nuk bashkëpunojnë, ata kanë ngecur në interpretime që frymëzohen nga korente të ndryshme ndërkombëtare dhe nga interesa të ngushta partiake, klanore, deri edhe fiksime individuale… Ne vazhdojmë me shamata dhe me ‘shpëlarjen’ e historisë, kurse koha bën apel për të parë tutje. Një komb i përçarë tej e tej, pa qëllime, pa qasje për harmoni, pa një platformë, është i destinuar ta ngrysë në pellgaçe. Së paku, duhet formuluar qartë nevoja për ndryshim: me alternativa, me peticione, me referendum, me mosbindje civile, me protesta, me kundërshtim ndaj hallkave hipokrite partiake të çdo ngjyre, deri në zëvendësim të atyre që vendojnë jo me mend e konsultime, por me kokëshkrepje ose me urdhëra të agjensive të zbulimit. Kështu mbase krijohet terren që ata më të ekuilibruarit, më idealistët, fundja më të interesuarit për demokraci e bashkim, të veçohen, të ndihen më shumë, të dalin në krye, të marrin në dorë dialogun dhe zhvillimin. Sidomos dialogun. Nuk di  ç’mund të thuhet më tej, se nuk jemi fallxhorë… Por këmbanat bien për ndryshim.