Trajto kryeministrin me psikolog zysh Kushi

264
 Ndriçim Mehmeti 
Nuk kishte si të mungonte në reagimet e saj ndaj revoltës së të rinjve ditët e fundit në Tiranë e në gjithë Shqipërinë edhe zëdhënësja e kryeministrit në Ministrinë e Arsimit, zysh Kushi. Deklarata e saj ishte adresuar, si një shqetësim të pjesëmarrjes së minorenëve në këtë revoltë dhe se ajo “kishte marrë masa për të ofruar ndihmë psikologjike, për këta të rinj”.
Sigal

Në këtë rast pyetja që lind vetiu, për zysh Kushin dhe sahanlëpirësit e tjerë me emrin qeveritarë është: A mund të na shpëtoni duke i siguruar një shërbim të gjatë psikologjik kryeministrit tuaj?

Sepse në fakt, kryeministri më shumë se kushdo tjetër ka nevojë urgjente për psikolog dhe një terapi të gjatë nga një grup i specializuar i psikologëve dhe mjekëve neurolog. Ai, Skënderbeu i Rilindjes, na çoi në këtë derexhe. Na vrau shpresën dhe i la të rinjtë pa punë, pa shkollë, pa të ardhëm pa shpresë. Ai dhe vetëm ai është njeriu që ka shkatërruar gjithçka: Arsimin, shëndetësinë, ekonominë, mjedisin dhe në tërësi ka mbjellë klimën e burgut, arkivoleve, varreve nëpër kodra e makabritete që i sheh në ëndrrat e tij të përnatshme. Ne po vuajmë dhe po paguajmë shtrenjtë pikërisht bëmat dhe gjëmat e kryeministrit tuaj, zysh Kushi.

Nuk kanë nevojë të rinjtë për psikolog, kanë nevojë për më shumë dritë në errësirën ku i keni zhytur tash e 8 vite të qeverisjes suaj, për mbështetje sepse i keni braktisur, për shkolla më të mira, të ngrohta me mësues të motivuar dhe jo për institucione që janë kthyer si kurset e analfabetizmit njëherë vaktit, që fillon mësimi në 8 të mëngjesit e mbaron në 8 të darkës. Pa mendo njëherë o zyshe e dhënë pas psikologut, kush i revoltoi kaq shumë të rinjtë që dolën në rrugë? E keni parë ndonjëherë me sytë e tu se ku jetojnë, çfarë hanë, me çfarë ngrohen, a kanë një tavolinë ku të mësojnë, pale më internet për mësimin onllajne, tabletë, apo laptop, a i kanë prindërit në punë, apo enden në shtëpi duke u grindur me njëri-tjetrin e mallkuar veten dhe Zotin, që i solli në këtë jetë vetëm për të vuajtur e për të mos parë e shijuar një ditë të bardhë?

Ngrijeni njëherë bythën nga kolltuku i zyrës suaj dhe shko në Unazën e re, Paskuqan, Babrru, Baldushk, Allgjatë, Priskë e me radhë dhe vështro sa shumë lumturi ka sjellë qeverisja e Komandantit tuaj të Legjionit të Nderit. Nuk do të mundohesh shumë për të bërë rrugë të gjatë, në Kalis, Ujmisht, Fan të Madh, Kuç e Bulqizë. Mjafton një xhiro rreth Tiranës, larg nga shkëlqimi i dyerve tuaja dhe mbase mund të kuptosh se kush ka më shumë nevojë për psikolog.

A ke menduar ndonjëherë zysh Kushi, se çfarë do tu thuash studentëve në shtatorin tjetër kur të mos jesh më ministre, nëse të pyesin se ku ishe ti dhe kryeministri tënd kur ata kishin më shumë nevojë?

Me siguri që ti mendon ende në dëlirin tënd se do të shpalosësh sukseset e 13 shkollave të ndërtuar pas 1 viti nga tërmeti, punonjësit social të shtuar në shkollë, oficerët e qejfit dhe të muhabetit në shkolla, mësuesit ndihmës, shkollat e larta që i mbyllët, me demek për më shumë cilësi. Ke mundësi tu flasësh edhe për projektet në 3D, të kampuseve të universiteteve që nuk u bënë kurrë realitet, për bibliotekën digjitale që asnjëherë nuk u shfrytëzuar nga studentet, kartën e studentit që nuk shërben për asgjë e plot e plot gjëra të këtij lloji. Por a do të mund të shohësh në sy të rinjtë e tu thuash se përse ata janë gjithnjë e më pak në auditorë e më shumë në avionë, gomone e kamionë për të ikur nga sytë këmbët? A do të jesh aq e pacipë dhe pa skrupuj ti thuash se “bëtë për të rinjtë më shumë se të gjithë qeveritë e marra së bashku në 30 vjet”, ndërkohë që i degdisët në çdo anë të botës, duke i lënë pa shpresë e pa atdhe? A je kaq e zonja sa tu thuash se e bëmë ëndrrën realitet të thirrjes së të rinjve 30 vite më parë “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, tani që kjo e fundit na i përplasi sërish derën në turinj? Apo mendon se realizuat ëndrrën e rilindësve për një Shqipëri të begatë dhe fëmijë të arsimuar mirë? Unë besoj se edhe mund ta bësh. Soji yt politik, ka provuar se bën gjithçka, shkel mbi çdo parim, nuk pyet për arsye dhe argument, sedër a ndërgjegje. Mjafton që gënjeshtar të mund të mbuloj të vërtetat, që tanimë janë në dritën e diellit.

Prandaj unë vetë do të preferoja që të mos dukesha një vit në auditorët e shkollës, po të isha në vendin tuaj. Por gjithsesi është zgjedhja juaj të bëni si ju vjen për mbarë, por një gjë nuk duhet ta bëni: Mos u tallni, mos luani rolin e njeriut cinik, në sjellje ndaj të rinjve. Një ditë e gjitha kjo do t’ju bie në kokë dhe unë uroj që atë ditë të merrni një goditje aq të fortë, me shpresën se do të vinë mendtë në kokë dhe të mos të mendoni në asnjë rast se të rinjtë, janë thjesht disa sende apo lojëra që përdoren njëfarë kohe e më pas hidhen në kosh. Është e afërt dita, kur kryeministri juaj dhe ju do ta gjeni veten në kosh. Duhet të jesh gati për atë ditë, sepse askush nuk do t’ju mbroj nga zemërata e të rinjve dhe një populli që mezi pret t’ju marrë zvarrë në mes të sheshit, si idhulli juaj shpirtëror në shkurtin e vitit 1991.