TEC-i i Vlorës, varri i mbuluar që po rihapet…

1437
Sigal

Nga Gëzim Zilja

Në fillim të viteve ’2000 u mëtua të vihej në jetë plani ogurzi për ndërtimin në Bregdetin e Vlorës të një parku gjigant energjetik. Ky Park do të përfshinte një zonë prej 550 hektarësh, ku do të vendoseshin rezervuarë të mëdhenj për karburantet, të cilët do të shërbenin edhe si distributor për vendet e Ballkanit; rafineri për përpunimin e naftës dhe katër TEC-e që do të punonin me naftë. Të dy qeveritë ajo që iku më 2005 dhe dhe ajo që erdhi pas saj ( kjo e fundit i ishte kundërvënë asaj që iku për të mos lejuar ndërtimin e Parkut Energjetik) vazhduan me forcë të vinin në jetë planin që do ta kthente përfundimisht Vlorën në një moçal të zi, ku në vend të agrumeve e pishave do të “mbillej” naftë dhe era e kripur e detit dhe e jodit do të zëvendësoheshin në dhjetëra km bregdet me atë të naftës, mazutit e gazit. Ishte një qëndresë heroike e komunitetit vlonjat deri në vetëmohim, që nuk lejoi realizimin e atij plani makabër. Vlonjatët krijuan ( duhet ta përmend këtë) “Aleancën për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës” në krye të së cilës u vendosën Adrian Klosi, Aleksandër Mita, Fatmir Hanxhari, Lavdosh Ferruni, Petrit Levendi, Petrit Golemi, Romeo Hanxhari dhe Sazan Guri. Madje ministri vlonjat Bujar Leskaj, deklaroi se do të jepte dorëheqjen, nëse ky plan vihej në jetë, rast unik ky në këta 30 vjet, por që duhet thënë se qeveria më vonë e largoi nga detyra ndoshta edhe për këtë qëndrim.

Qeveria e atëhershme nën presionin popullor (u mblodhën mbi 16.000 firma) u detyrua të tërhiqej përkohësisht. Megjithatë ia doli të ndërtojë vetëm një TEC nga katër të planifikuar edhe atë me naftë. Ky ishte krimi i dytë që bëhej mbi bregdetin e Vlorës sepse dihet tashmë që në praktikën botërore TEC-et me naftë janë jo vetëm shumë të kushtueshëm por dhe ndotës të mëdhenj të mjedisit. Ndërtimi i tij kushtoi plot 130 milionë dollarë (apo Euro?) dhe kjo shumë iu lëvrua deri në centin e fundit shoqërisë italiane që e ndërtoi. Kjo ndodhi në vitin 2011. U bë dhe inaugurimi i këtij TEC-i madhështor si në kohët e lavdishme të miqësisë sovjetike-shqiptare me saze e këngë nga grupet labe.

Mirëpo kjo vepër si duket nuk zemëroi vetëm vlonjatët por edhe vetë Zotin e Madh atje në qiell. I pakënaqur, Ai “vuri dorë” dhe vepra madhështore as u ndez e as u fik qysh nga dita që u inaugurua. Ajo nuk prodhoi asnjë ditë energjinë elektrike të propaganduar sepse lindi e dështuar. Kushtet teknologjike për ta mbajtur “gjallë’’ megjithëse ajo nuk prodhon energji, kërkojnë një sasi nafte që u kushton shqiptarëve 2 deri në 7 milionë euro në vit. Me një shumëzim të thjeshtë qysh nga viti 2011 kjo lubi ka gëlltitur afërsisht 30 milion euro duke prodhuar ZERO energji elektrike. Pyetjet e mëposhtme kërkojnë përgjigje për njerëzit e thjeshtë, që vazhdojnë të paguajnë taksa e paratë bëhen rrush e kumbulla nga qeveritë që ikin e vijnë pa menduar aspak për ta.

A mban përgjegjësi dikush, qoftë qeveri, ministër, grup apo individ për 130 milion dollarët e varfanjakëve shqiptarë që u harxhuan “për qejf’’, për injorancë apo u vodhën, duke ndërtuar TEC-in që nuk dha asnjë ditë prodhim? Po për këto miliona të tjerë që harxhohen çdo vit për të mos u fikur? A duhet të jetë kjo vepër objekt i SPAK-ut, që në fillimet e punës së tij?

Tani bëhemi me dije se tamam më 31 dhjetor kur në të gjithë botën ( ndoshta me përjashtim të Kinës) bëhet festë e piqet kokoshi, në Shqipëri zhvillohet tenderi misterioz për rehabilitimin e TEC-it të Vlorës, kthimin e tij nga naftë me gaz, në një shumë prej 53 milionë eurosh. Kaq di populli ynë. Për hollësi të tjera sidomos për ndotjen e zonës turistike ( TEC-e të tilla shpërndajnë në ajër gjatë djegies mijëra ton acid sulfurik, që një ditë kthehen në shira acide) nuk jepet asnjë e dhënë. Mënyra sesi po veprohet të bën të dyshosh se prapa këtij tenderi fshihen veprime të errëta, ndryshe do të kërkonin të paktën hesap për ata që ndërtuan atë të “vjetrin”. Mos qoftë e thënë por mua më shkon mendja se rehabilitimi i TEC-it të Vlorës ndoshta është fillimi i rivënies në jetë të planit ogurzi për ndërtimin e Petroliferës. Ndryshe qytetarët jo vetëm të Vlorës por të gjithë Shqipërisë duhen sqaruar jo vetëm për projektin teknik 53 milionësh por edhe ndikimin e tij në ndotjen e mjedisit.

Ka kohë që hektarët në favor të kompanive që kanë ndërtuar e ndërtojnë rezervuarët e karburanteve në bregdetin e Sodës (bash në buzën e ujit) rriten e lulëzojnë çdo ditë. Me aq sa duket me sy nga rruga automobilistike këto dhjetë vitet e fundit ato janë dyfishuar. Kush i jep me qira apo i shet këto dhjetëra e qindra hektarë tokë pyll e vijë bregdetare, kujt dhe pse? Ndoshta është koha para se të jetë vonë që Aleanca për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës të fillojë një betejë të dytë me qeveritë antipopullore që në raste të tilla kanë shkelur edhe standardet ndërkombëtare për ndërtimin e TEC-ve në distanca të caktuara nga vija e ujit.