Shëndeti i kosovarëve, peng i papërgjegjshmërisë të politikanëve që i drejtojnë

350
Sigal

Nga Skënder Minxhozi

Në 24 mars, tre javë më parë, një sherr skandaloz për nga meskiniteti dhe papërgjegjshmëria, u konsumua mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi e kryeministrit Albin Kurti. Një sherr në dukje i vogël, për ndalim-qarkullimin e makinave për shkak të krizës së koronavirusit, brenda sherrit në dukje të madh, për faktin se cili “gjel” politik e dominon më mirë Prishtinën dhe Kosovën. Politikisht, pasi nga pikëpamja shëndetësore, përballja përfundoi siç pritej: me humbjen e të gjithëve dhe fitoren e virusit!

Një muaj më parë Kurti ndalonte qarkullimin e makinave, kurse Thaçi e lejonte atë. Në shpërfillje të hapur të vrasësit të heshtur që po masakronte Italinë, Spanjën e pjesën tjetër të botës. Kosovarët jetonin në flluskën e tyre groteske të sherreve për pushtet në kotecin e tyre, kur pushtetin e gjithë botës e kishte marrë korona.

Mjafton të shohësh shifrat e orëve të fundit që vijnë nga autoritetet kosovare, për t’u bindur se kriza absurde politike që përfshiu Prishtinën, atëhere kur e gjithë bota ishte mbyllur ose bëhej gati të mbyllej në shtëpi, po jep sot pasojat e saj të qarta në të sëmurë, vuajtje dhe ankth për të ardhmen.

Kosova vendosi të shpallë mbylljen e pjesshme të qytetarëve të saj në shtëpi në 28 mars. Njëzet ditë pas Shqipërisë. Ajo vendosi të ndalojë plotësisht lëvizjet e njerëzve e makinave nëpër rrugë vetëm në 15 prill, duke lënë një dritare kohore hapur, për të bërë shpenzimet personale. Megjithëse rastet e para me koronavirus në Kosovë janë shfaqur vetëm një javë pas Shqipërisë, më 13 mars. Sot Kosova ka vetëm një rast më pak me koronavirus sesa Shqipëria.

Nuk është e vështirë të kuptohet se shteti kosovar ka vepruar ngadalë dhe pa vendosmërinë e vendeve të tjera në Ballkan e Evropë, duke qëndruar në zgrip të pandemisë dhe duke shpërfillur atë që do të vinte më pas.

Prova materiale më flagrante e kësaj sjelljeje prej demokracie foshnjore, do të ishte kriza politike që solli rrëzimin në 25 mars të  qeverisë Kurti. Votimi që largoi Kurtin do të mbetet vizualisht i ngulur gjatë në kujtesën kolektive të kosovarëve: një parlament me deputetë me maska në fytyrë, që merreshin me kalkulime numrash ndërkohë që kërkonin nëpër xhepa shishen e alkolit për të larë duart e njollosura me votimin më të pavend dhe jashtë kohe e hapësire, që një parlament mund të ndërmerrte.

Largimi në atë mënyrë i Albin Kurtit është simptoma e madhe e mungesës së seriozitetit dhe të dëshirës së klasës politike kosovare, për t’u ngritur në lartësinë e një sfide që vjen një herë në një gjeneratë.

Sot Kosova, teksa numëron dhjetrat e rasteve të reja me koronavirus çdo ditë, po mbledh frytet e hidhura të sjelljes së saj të papjekur. Ne shqiptarët e kësaj ane të kufirit i kemi marrë rregullisht shembull kushërinjtë tanë matanë Morinës, edhe vetëpërmbajtjen, edhe për tonet e ulura, edhe mungesën e tensionit të nxehtë politik që vërehet në Tiranë në mënyrë ciklike. Kemi parë tek klasa politike kosovare një numër tiparesh që lidershipi ynë politik i ka humbur që në vitet e largëta ’90, kur piskama e Sali Berishës na futi në stinën e gjatë të urrejtjes dhe konfrontimit politik.

Megjithatë Kosova politike duket se e ka humbur tashmë provimin e saj të madh me emergjencën e koronavirusit. Atë provim që çuditërisht po e fiton e gjithë klasa politike në shtetin tjetër shqiptar. Nga kreu i shtetit, tek opozita, e sigurisht tek qeveria, e cila mblodhi rripat e një shoqërie të pamësuar me karantinat, ndalim-qarkullimin e respektimin e rregullave, përfshirë edhe ato më të thjeshtat si larja shpesh e duarve. Ne mblodhëm rripin, Kosova u vonua rrugës për fajin e politikanëve të saj.