Sigal

Marko Bello

Pardje, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj nga Parlamenti deklaroi se rritja ekonomike e Shqipërisë do të arrijë në 4,3% në vitin 2019, ndoshta më e larta në rajon. Ai shtoi se “rritja ekonomike është mbështetur në mënyrë të balancuar si tek konsumi i popullatës, ashtu edhe tek investimet në ekonomi”, duke garantuar se edhe investimet e huaja do të jenë në nivele të kënaqshme. Por, ndryshe nga sa deklaroi shefi i financave shqiptare, ekonomia e vendit tonë vijon të ballafaqohet me probleme të mëdha strukturore, investimet e huaja nuk janë rritur, ndërsa rënia e konsumit është dëshmia më e qartë e vështirësive ekonomike dhe varfërimit të qytetarëve shqiptarët. Ndryshe ndodh në fqinjin tonë lindor, Maqedoninë, e cila zë vendin e parë në rajon dhe të dhjetin në botë për sa i përket klimës së të bërit biznes, sikurse rezulton nga raporti i fundit i Bankës Botërore “Doing Business 2019”. Ky certifikimin e ka bërë Maqedoninë një vend të suksesshëm në këtë dekadë për thithjen e investimeve të huaja. Shumë kompani të huaja që fillimisht kanë pasur interes të zhvillojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri, më pas kanë zgjedhur Maqedoninë, për shkak të lehtësirave dhe taksave të ulëta. Por, interesant është fakti se edhe kompani nga Shqipëria po preferojnë Maqedoninë si vendin ideal për investuar, sidomos në linjat e prodhimit, duke kontribuar edhe në rritjen e vendeve të punës atje. Kështu, kompania “Sagen” ka investuar 20 milionë euro për ndërtimin e një fabrike që do të prodhojë ilaçe gjenerike dhe që do të punësojë 300 vetë. Edhe grupi më i madh në Shqipëri, “Balfin”, njoftoi se do të investojë 100 milionë euro këtë vit në një projekt që kushton gjithsej rreth 180 milionë euro, në zhvillimin e një zone shumëfunksionale në periferi të Shkupit në Maqedoni. Nga ana tjetër, kompania “Agna Group”, gjithashtu ka lajmëruar për zhvillimin e një linje prodhimi për biskotat në Maqedoni, e cila është projektuar të jetë më e madhja në Rajon. Ndërkohë, Maqedonia dallohet edhe sa i përket barrës fiskale, e cila është më e ulëta në rajon, ndërsa në Shqipëri mbetet më e larta. Sipërmarrjet shqiptare paguajnë në total taksa dhe kontribute që janë sa 37.3% e fitimeve të tyre, ndërsa bizneset maqedonase vetëm 13.3% të fitimeve. Edhe qytetarët e paguajnë karburantin shumë më lirë në Maqedoni sesa në Shqipëri, pikërisht për shkak të taksave të larta që i bashkëngjiten çmimit të karburantit. Paradoksi bëhet edhe më i madh kur mendon se në Shqipëri qeveris një parti e majtë, e cila është votuar edhe për të zbutur diferencën e madhe që ekziston midis një shumice të varfër dhe një klientele të pasur pro-qeveritare. Edhe masat e fundit të ekzekutivit shqiptar për të lehtësuar disi barrën fiskale kanë të bëjnë me zvogëlimin e tatimit mbi fitimin dhe jo mbi të ardhurat, pra preferohet të taksohet krahu i punës dhe jo kapitali.