Ridvani i qeverisë së Zamirit

603
Sigal

Nga Ilir Babaramo

Në mënyrë krejt të çuditshme, propozimi i ish-sekretarit të përgjithshëm të PD dhe ministrit më jetëgjatë të saj si anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë nga qeveria Rama, është perceptuar gati-gati si një befasi e jashtëzakonshme. S’ka asgjë për çuditur. Është propozimi më i natyrshëm. Madje është vendimi më domethënës i politikës këto dhjetë vitet e fundit. Është vetë emblema që shpjegon si funksionon politika dhe ekonomia bashkë.

Nëse shikon komentet që bëhen nëpër portale opinioni është ndarë në dy pjesë. Opozita e opozitës sulmon Bashën se e ka katandisur PD në atë derexhe sa Rama ishte aq i zoti sa arriti të bëjë për vete vetëm me një sms vetë papën e financave shqiptare. Pjesa tjetër e shikon si një blerje kali të ngordhur nga ata që shiteshin dikur në Pazarin e Vjetër të Korçës.

Për hir të vërtetës duhet thënë se Bode ka qenë një nga njerëzit më të pushtetshëm, ndoshta më i pushtetshmi pas Berishës gjatë qeverisjes së dytë të tij. Po s’duhet të ngatërrojmë pushtetin me dijen. Dija është pushtet , por pushteti jo domosdoshmërisht të bën të ditur.

Pa hyrë në shkaqet okulte që kanë, as tifozët më të flaktë të Bodes nuk mund të gjejnë dy rreshta të shkruara prej tij. Bode kurrë nuk ka shkruar. Bode vetëm ka firmosur. Trajektorja e suksesit të tij është ajo e një punonjësi mediokër partie. Megjithatë arriti të bëhet njeriu i dytë më i pushtetshëm në vend duke e nisur karrierën nga një llogaritar koperative diku në fshatrat e thella të Librazhdit. Arriti të kontrollojë për tetë vjet rresht ekonominë e vendit pasi kishte qenë në vendin e duhur në kohën e duhur.

Momentumi  tij ishte viti 1997, viti kur në selinë e PD , i vetmi që kishte ngelur që kuptonte nga financat pak më shumë se Izeti ishte pikërisht Bode. i vetmi edukim profesional i tij ishte Instituti Bujqësor i Kamzës.

Çfarë ndodhi më pas dihet. Portreti i Bodes është i qartë për të gjithë. Grykësia dhe harbutëria e tij në komunikim të kujton atë fshatarin e filmit “Përballimi” që duke ushqyer lopën me grurë hungërrinte : na Liza na… ha Liza ha… më mirë ti Liza se ata. Megjithatë klientët e tij u përpoqën të krijojnë idenë për gati një gjeni të financave.

Pas largimit të PD nga pushteti,  Zamiri në çdo tavolinë mbushte Tiranën me shqetësimin: Shumë mirë që doktori iku se e bëri baltë, por ekonomia e vendit do jetë në rrezik sepse PS nuk ka një Ridvan.

Kur e pyesje përse Ridvani është kaq i zoti, përgjigja ishte: po kundërshtonte ministrat e tjerë, nuk pyeste fare mo burrë.

Në fakt Bode me ngrysjen e vetullave dhe deklaratën që e shqiptonte në çdo çast duke tundur gishtin horizontalisht: nuk ka leka, ishte kthyer belaja dhe gazi i gjithë ministrave të tjerë. Por fonde kishte, madje derdheshin lumë, por pa asnjë rentabilitet.

Në kohën kur rrugët që të çonin në dy qytetet e vetme që bëjnë pjesë në Pasurinë Botërore të UNESCO-s, Berat dhe Gjirokastër ishin në gjendje të mjerë, gjendeshin fonde për të ndërtuar dhjetëra km rrugë për në një fshat të humbur, Rakickë, vendlindjen e Bodes.

Qeveria Rama gjeti një humnerë të frikshme në buxhetin e shtetit. Por kjo nuk e pengonte Zamirin ta shikonte largimin e Bodes nga zyra si një tragjedi kombëtare. Dhe në fakt kishte të drejtë. Për biznesin e tij ishte më shumë se tragjedi. Ai kishte lënë Vjenën dhe erdhi në Shqipëri pikërisht në vitin 2005 në kohën kur si vëllai i tij shtiu në dorë ekonominë e vendit. Dhe prej atij çasti aktiviteti i tij i ngjan një fontane. Askush nuk është kundër pasurimit të shpejtë, por jo duke shkatërruar konkurrencën me ndihmën okulte të qeverisë. Dihet si i nxihej jeta nga administrate fiskale në Shqipëri kompanisë Trony .

Gjigandi evropian i shitjes me pakicë të pajisjeve elektroshtëpiake u detyrua t`ia mbathë nga sytë këmbët. Ridvani kishte vënë gjithë shtetin në shërbim të Zamirit. Gjithë bizneset që e kishin ndërtuar më thonj e sakrifica aktivitetin e tyre për dy dekada rresht kaploheshin nga frika se mos Zamiri ndonjë ditë vendoste të hynte dhe në fushën e tyre. Fundi dihej: brenda pak muajve duhej të ulnin qepenat, ndryshe një skotë jaçejovanotaksidarësh do ua nxinte jetën çdo ditë.

Në mënyrë të ngjashme ikën dhe austriakët që vite më parë kishin marrë koncesionin e industrisë së kromit. Financat i detyruan të largohen. Borxhi që i kishin kësaj kompanie arriti shifra të frikshme. Vetëm nga mos rimbursimi i TVSH detyrimi shkonte në 40 milionë euro. Për këtë arsye u detyruan ta shisnin po 40 milionë euro. Vetëm kur kishin kaluar pak ditë nga shitja u krye rimbursimi i kësaj kompanie. Pra blerësi i saj e mori me kosto zero. Vetëm me lekët e rimbursimit të TVSH që Financat nuk u jepnin pronarëve të mëparshëm.

Meqë po flasim për kromin, Zamiri pret dy dhurata për krishtlindje. Nuk është vetëm favori që i bëjnë duke çuar Ridvanin në Këshillin Mbikqyrës por dhe paketa fiskale.

Në janar, Zamiri do t’i paguajë shtetit gjysmën e detyrimit që paguan deri sot për kromin. Kjo me ligj. Ashtu si në kohën e Bodes, Rama i qep ligjet su misura për shtatin e Zamirit. Cipa e ballit ka kohë që ka plasur.

Ka shumë që mund të pyesin: po ky Ridvani si nuk u fry ? Përse i zë vendin dikujt tjetër tek Banka e Shqipërisë?

Mos i bini në qafë. Po e çojnë. Të bëjë të vetmen gjë që di: qehaja i besuar. Zamiri është në negociata për të blerë një bankë të nivelit të dytë. Kështu që aty i duhet.