REFLEKTIM NGA BALLAFAQIMI ME PANDEMINË E COVID-19

331
Sigal

Nga Gentian Çala

– Psikiatër

Sistemi shëndetësor
Deri më tani tendenca ka qenë për zvogëlimin e shtretërve spitalorë, drejt shërbimeve të orinetuara në kosto-efektivitetit, sisteme që funksionojnë kryesisht për trajtimin e sëmundjeve jo të transmetueshme (në vendet me të ardhura të larta dhe mesatare), ndërsa bota vazhdon të përballet me të papritura me përmasa katastrofike (tërmete, përmbytje, stuhi, cunam) apo me epidemi që e venë në sprovë sistemin shëndetësor, madje edhe ato më të organizuarat. Strukturat e shërbimit parësor duket se shpesh dalin jashtë loje, kurse spitalet duken struktura rigjide të cilat adoptohen me vështirësi ndaj ngjarjeve me sëmundshmëri mbi kapacitetet.

A ka ardhur koha që të kemi sisteme shëndetësore fizarmonikë, me dy tipe strukturash: funksionale (ato të përditshme) dhe rezervë (vihen në funksion kur ka ngjarje të papritura)? Ekspertët thonë se sistemet shëndetësore më të mira nuk mund të përballojnë dot një skenar të keq pandemie. Jam dakord, por a duhet të jenë të përgatitura apo jo?! Rastet e Kinës dhe të Italisë deri më tani dëshmojnë se ky tip strukturash mund të ishte i nevojshëm, përndryshe nuk do ti kishin ndërtuar strukturat shtesë të mjekimit intensiv apo të hospitalizimit të të infektuarve. Gjithësesi ky është një debat që pritet të vazhdojë.

Po sistemi ynë shëndetësor?! Po mësojmë se turizmi mjekësor nuk qenka gjithmonë i mundur dhe se sistemi shëndetësor i një vendi mund të jetë zgjidhja e vetme për qytetarët e tij në situata të caktuara. Pra, vëmendja duhet kthyer te investimet në shëndetësi, në burime njerëzore dhe në paisje mjekësore, në infrastrukturë dhe efikasitet të shërbimeve. Koha e zgjidhjeve gjetkë mund të mos ekzistojë. Ndaj verini gishtin kokës dhe vendimmarrësit duhet të përqafojnë politika të reja. Tashmë koncensionet në shëndetësi ishin një eksperiment i dështuar dhe aspak rezultativ. Duhet përshtatje dhe kreativitet, serozitet dhe vendosmëri, COVID-19 po na jep mundësi të reflektojmë.

Menaxhimi shëndetësor
Në shumë prej vendeve të zhvilluara, por edhe te ne ka qenë tendenca e ndryshimit të menaxhimit shëndetësor me profesionistë jo shëndetësor duke u nisur nga një logjikë ekonomike, menaxheriale apo nga ndërhyrja politike. Ngjarjet në Itali apo edhe te dëshmuan se kjo qasje mund të jetë e gabuar dhe duhet rishikuar. Menaxherët e strukturave spitalore duhet të vijnë nga profesionistët shëndetësorë, madje ata më të mirët dhe që kanë shkathtësi apo njohuri në menaxhimin shëndetësor.

Burimet njerëzore
Kurrikulat e profesionistëve shëndetësore duhet të rishikohen për tu pajisur me njohuri ndaj situatave të tilla. Mua më ka bërë përshtypje numri i madh i ekspertëve tanë, të cilët kanë raportuar nëpër media nga vende të ndryshme të botës. Vendi me numrin më të vogël të mjekëve për 1000 banorë në Europë, vazhdon të eksportojë profesionistë shëndetësorë në vendet europiane. Ndaj kësaj duhen marrë masa urgjente parandaluese apo frenuese. Ka ardhur koha që mjekët dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë të marrin pjesë në dizejnimin e shërbimeve shëndetësore përmes analizimit të të dhënave, të burimeve në dspozicion dhe ekspertizës së tyre nga fushat ku ushtrojnë profesionin. Shoqatat profesionale të mbështeten dhe të dëgjohen ndaj çdo ndryshimi në sistem.

Këto janë disa nga mendimet e mia modeste deri tani, ku natyrisht është ende herët për të nxjerrë përfundime, por shkëmbimi i mendimeve është i dobishëm në çdo kohë dhe posaçërisht sot. Hekuri rrihet në të nxehtë dhe besoj që të mos harrojmë sapo e kalojmë të keqen, siç kemi bërë shpesh herë.