Pse kaq të çoroditur ne shqiptarët?

715
Sigal

Vangjush Saro

Në këtë gazetë të nderuar, përpara disa kohësh, “mbase më shumë i hidhëruar se sa i zemëruar” – siç thotë Horati i Shekspirit te “Hamleti” – e titulloja një nga shkrimet e mia: “Shqiptarë, mblidhni mendjen!” I dyzuar isha për atë titull, por jo për çështjet që shtroja në shkrim. Ç’është e vërteta, ka një klimë inkurajimi për punët e Shqipërisë; nga partnerët perëndimorë është fjala. Por ne nuk jemi prej atyre që dinë të përfitojnë nga këto interesa, për ta ndryshuar jetën në vend. Ne jemi nga ata që, gjithsesi, duam të përfitojmë për vete a për fisin… Ne jemi sot krejt të çoroditur e në jerm.  Hidhni një sy në Kosovë, ku njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit. Dhe jo për ndonjë punë dosido, çështje ndërtimi a teorie e… përparimit demokratik, etj., por për çështje të rëndësishme, punë raportesh me fqinjët e punë kufijsh, terma që kanë të bëjnë me mbijetesën e shtetit të ri dhe qytetarëve të tij. Gjithnjë në udhëkryq e në njëlloj çoroditjeje, që s’i ikim dot.

Përpara kemi një dimër të motit dhe një tjetër të politikës e të drejtimit se ku shkojmë. Kërkoj ndjesë nëse duket sikur “bërtas” e nuk flas. Por çfarë duhet të themi kur lexojmë që jemi kampion për vdekshmërinë foshnjore e për ndotjen e mjedisit? Ua kujtoni këtë atyre që (“për me fitue ndoj’ send”) derdhin lot krokodili  për dramat e të tjerëve në të shkuarën. Çfarë duhet të themi kur shohim se Shqipëria është me Parlament dhe pa Parlament; sepse dasitë abuzive janë në një lulëzim të paparë; sepse i fryhet zjarrit të një klime politike vetëshkatërruese që, fundja, vjen prej pamundësisë për t’u ndarë nga e shkuara e keqe dhe e sotmja fatkeqe. Dhe njerëzit, me të drejtë acarohen se arrestohen mjekët, por jo kriminelët… (“Lëkundet një varkë/ dhe mes erërave qan me të madhe…” Herman Hese)

Na ka zënë dalldia e parasë; ja njëra nga arsyet. Keq fare. Të mëdhenj e të vegjël. Të pasur e të varfër. Qeveritarë e qytetarë. Nuk po lëmë lumë e përrua pa i hedhur përsipër betone e makineri-monstra për të bërë HEC-e. Mbillni portokalle e mandarina, tha Hrushovi në vitet ’60. Por mendësia shqiptare për një strategji ekonomike e të mirëqenies, është gjithaq e çoroditur. Mund të flasësh e të shkruash sa të duash: Zhvilloni turizmin. Zhvilloni bujqësinë bio. Jo. Ne duam Metalurgjikun. Duam HEC-e. Dhe kështu, nuk ka më ose po duam ne që të mos ketë më: Syri i Kaltër, Lurë, Valbonë, Tomorr.

E megjithatë… bëjmë të përvëluarin për atdheun e na ka zënë edhe dalldia e nacionalizmës. Kështu, mendoj se nuk i takon një shkencëtareje të nxjerrë (me përdhunë) në pah “supremacinë” e vendit të vet, duke shtyrë me shkelm fqinjin, sepse një ekstremizëm i tillë  pjell vetëm mendjemadhësi. S’mund të lëshohemi pa frena krejt që t’ua mbushim mendjen njerëzve se Ballkani është populluar vetëm nga shqiptarë dhe ka folur e flet vetëm shqip(!) Këta dijetarë, kinse nacionalistë, dashur pa dashur frymëzojnë pastaj amatorët dhe këta thurin gjithfarë përrallash e shohin ëndrra ditën për diell. Shikoni gjuhëtarët e pambarim, që e gjejnë edhe kinezçen te shqipja e vjetër; dhe kuptoni se si janë vërsulur ata t’i japin vendit të tyre atë që nuk e ka, ballin e botës e të historisë. Për më tepër, ngatërrohen me njëri-tjetrin, japin shpjegime të ndryshme, ndonjëherë të kundërta. Madje, ka edhe nga ata që shkojnë aq larg, sa përpiqen të shpjegojnë se… Afrikë vjen nga shqipja dhe do të thotë që… ka frikë; dhe mandej, Azi vjen po nga shqipja dhe do të thotë që… është i zi. (“Forma më e lartë e injorancës, është dëshira për lavdi.” Xhorxh Santajana)

Ca të çoroditur të tjerë i ka kapur dalldia e revanshit. I zura në gojë edhe më lart, kur shfryva për vdekshmërinë foshnjore. Këta na flasin për “pulla të kuqe” që iu dashkan vënë filmave po se po, por edhe librave të kohës tjetër(!) Luajnë të dëshpëruarin për vuajtjet e të tjerëve; kërkojnë shpagim, ndërkohë që këtë s’e bëjnë viktimat; hipin në një ZIS dhe bëjnë turne, që në mënyrë simbolike do të thotë se ky vend nuk do të paraqitet asnjëherë ndryshe, përveçse… me tela me gjemba dhe njerëz të rreckosur; dhe e shkuara e tij na qenkej, a mirë duam ne që të paraqitet, si… shkreti, kamp përqendrimi. Kështu krejt hidhet dhe e quan Shqipërinë një tjetër i çoroditur, mjerisht me një barrë vitesh punuar në një radio me emër të Perëndimit; dhe shkrimit të tij, kinse ese, ia vë titullin “Shqipëri- Aushvic”.

Nuk mund të kalojmë pa u ndjerë mbi problemet e mëdha të së shkuarës, përfshi përndjekjen dhe krimet që vetëm një diktaturë tejet e majtë mund t’i bënte. Por në të njëjtën kohë, nuk duhet të shkojmë në zgrip, duke “vizatuar” çfarë na e do interesi për momentin. Një qëndrim i tillë, në vend të dritës, hedh hije mbi historinë dhe çoroditja kalon nga “ne” te brezat, që, edhe kështu, po rriten me njëlloj kaosi në kokë. Mirëpo është tejet e vështirë të kërkosh prej këtyre “antikomunistëve të vendosur” pak ekuilibër dhe të kujtosh që në këtë “kamp përqendrimi”, siç iu pëlqen ta quajnë vendin e tyre, çuditërisht, popullsia u dyfishua dhe, po aq çuditërisht, kishte edhe universitete, hidrocentrale, teatro profesioniste, biblioteka (madje edhe aso lagjesh) e stadiume dhe salla lojërash me dorë. (“Ai kishte parë zogj e breshka, por elefantin jo.” Krillov. Fabula “Kureshtari”.)

Çoroditja, në jetën e sotme, është njëlloj argëtimi. Por tek ne e ka tejkaluar këtë formë; është në kufijtë e alarmit. Ekstremistët, për një projekt e për ca para, mund të shesin gjithçka, edhe historinë, edhe dinjitetin e vendit të tyre; dhe nuk ua del dot me llafe… Pjesë e çoroditjes, është po ashtu liria e më të marrëve, kur në rrjete, që për fat të keq i disponojnë edhe medie të njohura, sikur në Parlament e në një sërë spektakle, prevalon kryesisht fjala banale dhe sharja. Tani, sikur të mos mjaftonin ato në shqip, ka filluar përdoren sharje edhe në gjuhë të huaj. Kjo e ashtuquajtur liri, në fakt babëzi për ca më shumë audiencë, nënkupto para, mban gjallë urrejtjen dhe dasitë, është një mekanizëm perfekt për çoroditjen e shqiptarëve. Përpiqu të shtysh tutje këtë çoroditje e këtë banalitet. Ata të hidhen në grykë, se nuk rrinë dot pa llum. (“Asnjëherë mos u kacafyt me derrin, sepse ju të dy baltoseni dhe atij i pëlqen kjo.” Xhorxh Bernard Shou)

Po pse jemi të çoroditur ne shqiptarët? Ndër të tjera, kjo vjen sepse jemi pa elitë. Në kohëra, një pjesë e elitës shqiptare është bashkuar me pushtuesit; që nga ata osmanë e këtej. (Ç’mbeti pas Luftës së Dytë Botërore, ua gjeti vendin urrejtja e Hoxhës dhe shokëve të tij.) Por për fat të keq, raportet me partnerët, edhe nga “udhëheqja” e sotme shikohen në dritën e një servilizmi të pashoq; pa marrë në sy faktin që ajo e zënë goje më lart nuk është krejt elitë, por një klasë politike e përkohshme, që tradhton orë e çast interesat jetike të qytetarëve shqiptarë, në Shqipëri, Kosovë e gjetkë. Dhe kjo është një arsye tjetër e rëndësishme që shpjegon dukurinë e çoroditjes. E në këto e sipër, edhe ajo pak elitë e vërtetë që mund të jetë duke thënë diçka, nuk njihet, nuk vlerësohet dhe nuk lançohet si duhet; sepse i prishet puna pseudoelitës dhe sepse këtu s’merret vesh, të gjithë janë bërë mendimtarë, shkrimtarë, gjuhëtarë, e të tjera… (“Këtu ambicjet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.” Fan Noli)

Të presim ditë më të mira, në një ardhmëri e rini pa çoroditje, me etikë e vlera, që të mos shikojë prapa ose vetëm prapa, por kryesisht përpara. Dhe që do të thotë se pritja do të jetë e gjatë…