Prof. Zamira Çavo: Kur të zihen sytë, fajin e lë gjithmonë jetim!

667
Sigal

Ngjarja në Kavajë ka shokuar opinionin publik. Nuk është diçka e rrallë, as vetëm kavajase apo shqiptare. Ngjarje të tilla tronditin çdo ditë opinionin publik tej e ndanë botës. Ato janë pasojë e një çoroditjeje gati globale që ka përfshirë mendjet njerëzore. Por le të analizojmë pak ngjarjen tonë që të mos bëjmë pastaj të revoltuarin e radhës. Besoj se, nëse i japim përgjigje disa pyetjeve kemi hedhur një hap përpara. Unë po e jap mendimin tim:

Cili është modeli që ju servirim sot fëmijëve tanë? Mjafton të shikoni televizionet dhe bindeni se modeli i vetëm që ofrohet si sukses është trupi, seksi dhe liberalizmi ekstrem. E nëse në çdo emision vlerat morale konsiderohen të tejkaluara, primitive e idealiste dhe i fryhet deri në të bërit VIP të modelit alla “Kallash”, pse habitemi që ndodhin dukuri si kjo e Kavajës?

 

Cili është roli i familjes sot në marrëdhëniet me fëmijët? Prindër që për arsye të ndryshme bëjnë indiferentin me fëmijët, prindër që për shkaqe të trashëgimisë kulturore bëjnë diktatorin në marrëdhënie me fëmijët, prindër që u japin “gjithçka” fëmijëve mjafton që ata të mos i bezdisin. Dhe fëmijët ndjehen të vetëm në marramendjen e modeleve që u ofrohen dhe e bëjnë zgjedhjen ashtu si e mendojnë. Vetëm kur ndodh “hataja” prindërit bëjnë të revoltuarin dhe e kërkojnë fajin te të tjerët. Ndërkohë që e keqja është bërë!

 

Cili është roli që ka sot shkolla? Shkolla si institucion edukimi e ka humbur funksionin e saj si e tillë. Sepse nën idenë se në shkollë askush nuk duhet të mbetet në klasë, se në shkollë askush nuk duhet të “dënohet” për sjellje të pahijshme, shkolla është kthyer në modelin e tolerancës së çdo sjelljeje amorale, të çdo qasjeje rrugaçërie, deri në mbylljen e syve para përdoruesve të drogav, apo dhe akteve të dhunës si kjo e Kavajës. Nuk ka Liri në botë pa përgjegjësi! Shkolla nuk mund të jetë vendi i lirive të tejskajshme pa përgjegjësi. Nëse nuk dënohen sjellje të tilla, nëse mbyllen sytë kur mësuesja del nga klasa duke qarë, sepse tre apo katër nxënës nuk duan t’ia dinë as për rregullat më elementare të edukatës e jo më për mësimin, atëherë shkolla e ka humbur funksionin e saj edukativ. Kur mësuesi kërkon bashkëpunim me prindërit për mbarëvajtjen e fëmijës dhe ky i fundit bën arrogantin, mësuesit i mbetet të bëjë më tej telerantin ndaj së keqes. Drejtoritë e shkollave janë sot duarlidhur para situatave të tilla. Nuk dinë si të reagojnë, përpiqen t’i fshehin, sepse nuk janë në gjendje as të kontrollojnë e as të parandalojnë situata të ngjashme. Shkolla ka nevojë për revolucion në përmbajtjen e funksioneve të saj.

Cili është modeli që jep politika? Në ka një model para së cilës sytë e fëmijëve duhet të jenë të mbyllur është politika. Fjalori i rrugës, skandalet e seksit, korrupsioni janë armët më të mira në duart e së keqes që po vret CD ditë nga pak e pa kuptuar të ardhmen e fëmijëve tanë. Shpesh na duket frazë patetike kjo që sapo thashë, por shikoni të rinjtë që hyjnë në politike për të kuptuar se çfarë kopje e shëmtuar e së keqes bëhen.

 

Cili është modeli që ofron shoqëria për fëmijët? Modeli i zymtësisë, i shprehjeve “Këtu ka marrë fund gjithçka!”, modeli i ikjes pa çarë kokën se çfarë le pas. Shoqëria shqiptare sot vuan krizën më të thellë të pasigurisë së vet. Plagët e trashëguara nga historia, individualizmi ekstrem dhe dembelizmi, e kanë bërë shoqërinë tonë të plogësht por dhe hipokrite. Zëmë e bërtasim e bëjmë sikur po na “zien gjaku” kur dëgjojmë për veprime të tilla dhunuese e përdhunuese, por në fakt, ne vetëm “bëjmë sikur”, sepse në të vërtetë as na prishet puna fare, se na janë errur sytë e gjithnjë fajin e kërkojmë te të tjerët.

Nëse e duam vërtetë të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë, le të fillojmë të analizojmë, reflektojmë dhe të kuptojmë gabimet e gjithsecilit e të mos mbetemi peng i situatave të tilla.