Sigal

Serioziteti…

Nëse ke në dorë një dokument të tillë si raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit… e para gjë që lipset është serioziteti, çka do të thotë ta lexosh me kujdes, të mbash shënime, të nxjerrësh në pah argumentet që parashtrohen, shkaqet e dukurive negative, përgjegjësit që i kanë shkaktuar, rrugët e zgjidhjes dhe një element shumë i rëndësishëm që, është tipik në stilin amerikan, pritshmëritë. Fatkeqësisht, ky seriozitet në institucionet e vendit tonë mungon. Leximi këtu te ne të kujton leximin e gazetës në kafene, ku njëri thotë që ky ia ngopi këtij dhe ai tjetri me romuze ia kthen,… jo, jo është ai tjetri që ia nguli atij, po ju s’e kuptoni, se e lexoni së prapthi.

Në vend që institucionet shtetërore, që nga Parlamenti me bazë komisionesh dhe ekspertësh të merren me të… dëgjohen leximet pjesore nga ana e kasnecëve të partive… Vlon informacioni në rrjetet sociale ‘online’, që kthehet në një lojë batutash dhe mungese të hapur serioziteti dhe përgjegjësie. Nëse forca politike në pushtet nuk do vërejtje, nuk pranon kritika, nuk do të lexojë se politika e SHBA-ve është e shqetësuar se ku po shkon ky vend i NATO-s… Opozita do duhet të sillet ndryshe. Të organizojë takime të hapura me think tank-e të ambienteve akademike, me specialistë të shquar nga fusha ekonomike, politike, monetare, me subjekte serioze të shoqërisë civile, me universitete dhe qendra të studimeve kërkimore. Serioz nuk je kur shan forcën tjetër politike, por pasi evidenton përgjegjësit e gjendjes edhe ti vetë merr përgjegjësitë; kur i tregon partnerëve se mendon ndryshe, se ke alternativë, se di t’i bësh punët e shtetit ndryshe… se je me publikun që vuan në shpinë keqqeverisjen. Në të kundërt, nëse mbetesh në disa demaskime verbale dhe me deklarata, je thjesht një oponent ‘online’, një zë ndryshe që thjesht flet, por se nuk vepron e nuk ngjall shpresë dhe besim as brenda e as jashtë Shqipërisë.

Qeverisja…

Qeverisja si një veprimtari e organizuar e bazuar në Kushtetutë dhe në ligj nuk duhet të identifikohet vetëm me qeverinë dhe punën e saj, është një nocion më i gjerë dhe më gjithëfaktorial, por në asnjë rast nuk mund të mendohet si daravitje përgjegjësie, si hollimi i saj, si shpërndarje tutjetu dhe më keq akoma se ky raporti DASH-it është thjesht lajm dite dhe nesër ai do harrohet… Në fakt, ky raport nga administrate amerikane është analiza e ftohtë, e qartë dhe me ekspertizë që bëhet sjelljes politike të një viti në Shqipëri dhe kudo në botë por me kahje arsyetimi dhe në diakroni sepse asgjë në punët ekzekutive nuk nis e mbaron në një vit kalendarik. Nëse DASH evidenton probleme serioze në Shqipëri, këto janë kambana alarmi që punët e shtetit po shkojnë keq, që gjendja ekonomike nuk ka gjasa të përmirësohet, se situata makroekonomike nuk jep siguri për stabilitet, se shoqëria është në udhëkryq, se qytetari është jo thjesht i pakënaqur, por edhe i zhgënjyer, se partneriteti me ndërkombëtarët është jo ai që duhet dhe se ti ke detyrime në raportet dypalëshe dhe ato shumëpalëshe, se pozita e vendit tënd si anëtare e institucioneve ndërkombëtare nuk plotëson detyrimet dhe duket me ngjyrën gri.

Mirëpo çfarë ndodh tek ne?! Në vend që të mbahet qëndrim serioz, të ketë analiza, të kërkohen shkaqet, të ndërtohet një plan veprimi, të ngrihet një aksion mbarëshoqëror për ndryshimin dhe përmirësimin e gjendjes, dëgjon me keqardhje pseudoargumente, si ai i kryeministrit se ka defekte në përkthim (sepse m’u kujtua lufta e Enver Hoxhës me Nikita Hrushovin dhe momenti kur u tha dyshojmë te përkthyesi…!) Më pa sens akoma ishte deklarata e ministrit të Ekonomisë. Ja çfarë parashtroi ai. Pa bërë as etikën më minimale, që falënderojmë DASH dhe vlerësojmë partneritetin me SHBA… së paku në media nuk u evidentuan… dëgjuam dhe lexuam se PPP “Partneriteti Publik Privat” nuk u shpik në Shqipëri, përdoret edhe në botë… Në rregull zoti ministër, ne s’jemi ende në gjendje të shpikim skema, as ju personalisht, as ata që ju rrethojnë, por DASH në raportin e vet flet si edhe FMN disa kohë më parë, për keqpërdorimin e kësaj skeme në ekonominë e vendit tonë, për situata ku dominon përzgjedhja klienteliste, për pengesat që janë krijuar në konkurrencë të hapur dhe të lirë, për afera korruptive.

Po ua them unë zoti ministër i Ekonomisë, që SHBA dhe shërbimet inteligjente që janë njëri nga burimet më serioze të DASH-it dinë gjithçka ndodh këtu në këtë katrahurën tonë. Ata e dinë dhe ku je ti, me kë rri ti, me kë bisedon dhe çfarë bisedon, kujt i premton dhe çfarë i premton. Një këshillë nëse e mendon të vyer. Rregulloni së paku sjelljen. Edhe kur kryetari i Dhomës Amerikanë të Tregtisë para disa muajsh bëri një vërejtje për klimën jo të mirë të biznesit, ju pa takt dhe jashtë etikës më formale e sulmuat, sikur ai të ishte një delirant që me që iu vu mikrofoni përpara foli qesim dhe pa baza. Mos harroni zoti ministër se raportet e tij që janë shumë serioze dhe të bazuara, shkojnë në DASH. Argumenti i dytë zoti ministër, ishte sipas jush, se ata që nuk duan reformën në drejtësi dhe vetingun e pengojnë zhvillimin ata janë kundër qytetarëve ndaj raporti i DASH është një thirrje për ta. Në logjik formale ju jeni drejt dhe korrekt. Por, ç’lidhje ka kjo që ju thoni me faktet që sjellë DASH. Ja unë si qytetar po ju bëj një pyetje. A mund të më shpjegoni atë që evidenton Gjykata Europiane e Auditimit se në Shqipëri 30% e tenderave jepen në mënyrë korruptive. Besoj se edhe ju jeni me arsyetimin që kjo gjykatë nuk është kundër vetingut dhe është për mbrojtjen e interesave të qytetarëve. Ju a keni ndonjë përgjigje pse ndodh kështu me qeverinë ku jeni anëtar dhe drejtoni një megaministri?! Një element tjetër. Kur doni të shpjegoni se koncesionin e gjetëm dhe nuk e sollëm ne… Ju zoti ministër jepni shifrat që kaq koncesione ka dhënë PD-ja dhe disa herë më pak ne si qeveri e Rilindjes. Po kjo është parodi fjalësh. E para, politika koncesionare të mirat dhe dëmet e saj, nuk varen nga numri koncesioneve, por nga shuma monetare; nuk varen nga emri, por nga nevojat për një zhvillim të qëndrueshëm, përfshi edhe mbrojtjen e natyrës dhe të burimeve për brezat që do të vijnë. E dyta, zoti ministër, korrupsion mund të bësh edhe me një apo disa koncesione, kjo nuk varet nga numri i tyre sepse në kuptimin formal koncesion nuk do të thotë ndryshe korrupsion, ndaj kjo loja me analogjinë e përdorur nga të dyja palët partiake është thjesht arsye pa arsye, thjeshte e mjerisht një alibi xhuxhe.

Prona…
Në raportin e DASH ka shumë probleme, por po ndalem te prona. Prona publike dhe pasuritë kombëtare që jepen me koncesion kanë krijuar dyshime të bazuara tek administrata e lartë amerikane. Dhe kuptohet atje matanë Atlantikut kanë informacione nga më shumë se një burim. Ata dinë gjithçka të bardhë, të zezë dhe jeshile që ndodh këtu, jo sot e dje, por prej vitesh e dekadash…Ndaj pa prona publike dhe pa pasuri kombëtare në shërbim të publikut dhe popullit, nuk kemi kapitalizëm normal, kemi një kapitalizëm grabitqar ku vidhet me bekimin e shtetit nën hyqmin e tij dhe në bashkëpunim me shtetarët e pangopur dhe antipopullor e antikombëtar. Raporti DASH-it përmend dështimin me kthimin dhe kompensimin e pronave. Ne këtu jetojmë. Kemi 28 vjet që presim që të na kthehen pronat, por jo, si të na kthehen. Ne jetojmë në republikën ku shkruhet. ‘Toka e xanum’ (e zënë) dhe jo ‘Toka e pronarit të ligjshëm’. Katrahura me ligje dhe me legalizime tash e tri dekada. Pallavra për reforma dhe harta dixhitale, them kështu sepse në të njëjtën kohë me shpejtësi rrufeje ndodhin legalizime të paligjshme që shoqërohen me mburrje televizive me to dhe për to, me shfaqje me lot në sy dhe me përqafime idilke… dhe asgjë nuk po lëviz me ligjin dhe për ligjin për pronarin e ligjshëm. Si ka mundësi që qeveria jep me koncesione në bregdet toka privatit të ndërtojë vila dhe t’i shesë ato dhe nuk i jep tokën privatit pronar? Pse keni frikë që ata që e kanë të trashëguar tokën, ata që ua morën në 1945-ën 1946 dhe 1967? Pse të mos e gëzojnë atë dhe ata por të gulojë prona e atyre që u treguan cuba dhe hajna, miq me qeveritarët, grabitës dhe në emrin e tyre, dhe ata le të marrin toka, le të bëjnë pasuri dhe të ndajnë ato me qeveritarët. Nëse ju që qeverisni keni frikë nga ish klasat e pasura që u rrënuan ekonomikisht dhe dërmuan politikisht nga sistemi komunist (i cili në vetvete ngrihej mbi ato parime dhe në këtë kuptim ishte vetvetja) pra nuk e doni klasën e pasur legjitime, e gjitha kjo tregon se lufta e klasave vazhdon ende dhe se ne nuk duam një shoqëri kapitaliste brenda parimeve të veta normale. DASH përmend vendimet e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe precedentin me pronat e qytetarëve, rastet e fituara në atë gjykatë vetëm nga qytetarët që e kanë çuar faturën e detyrimeve të shtetit shqiptar deri në 50 milionë euro. Përmend raporti gjithashtu edhe faktin se 400 dosje të tjera presin të gjykohen dhe me siguri shteti shqiptar do dali i humbur. Është po kjo qeveri që s’po gjen dot akoma një gjyqtar për në këtë gjykatë. Të gjithë kanditatët që ka shpënë i janë rrëzuar me argumentin se nuk janë të përshtatshëm në asnjë aspekt. Ky është vetingu ndërkombëtar. Po çfarë ndodh. Qeveria harton një ligj kompensimi që të pengojë vendimet e Gjykatës së Strasburgut dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. Kjo më duket si mendësia e përmbaruesve në Shqipëri. Stop me këtë sjellje zotërinj qeveritarë! Nëse Republika e Shqipërisë me marifete meskine do të gjej gjuhë ligjore që të refuzojë zbatimin e vendimeve të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut të Strasburgut, po ua them unë…ta harrojë hapjen e negociatave me BE-n. Pas të drejtës së jetës, e drejta e pronës vjen. Ky është parim universal në botën e qytetëruar, ku guri themelit ka qenë dhe mbetet parimi se “prona 9/10 është ligj dhe 1/10-është aset”….

Faleminderit Departamenti Amerikan i Shtetit! Unë si qytetar kështu ju lexoj dhe kështu ju besoj!