Prof. Lush Susaj: Politikanët, hajdutë dhe prodhues krizash

608
Sigal

Politikanë të pakrahasueshëm për hajdutëri dhe prodhim krizash

 

Prof. Dr. Lush SUSAJ

 

At Gjergj Fishta (Hylli i Dritës, 1932), ka shkruar: “Gjithkund e gjithmonë, ku ma shum e ku ma pak, ka pasë funksionarë e zyrtarë hajna. Edhe sod, mund të thuhet ashtu si dikur thonte Katoni për kohë të veta: hajnat e gjanave private e shkojnë jetën ndër të rrahuna e hekura në burg, ndërsa hajnat zyrtarë, në kadife e pasuni. Shqip, kush vjedh 100 korona, shkon në burg, kush vjedh njëmijë napolona, rri në shpi e vishet në qyrk. Pa nder e moral, ka pasë thanë dikur Ciceroni, s’mbahet shtet m’ kambë. Pse ku nderi ligshtohet, ligshtohet edhe shteti. E ku ma nder e burrni të mos ketë, aty shteti vdes e mbaron”.

Këto fjali e shembuj të shkruara tek “Hylli i Dritës”, duket që janë më aktuale se kurrë. Dihet nga të gjithë fakti që burimi i vërtetë i të gjitha krizave, tensioneve dhe sherreve politike e shtetërore në Shqipëri, ka qenë dhe vazhdon të jetë mungesa e theksuar e moralit të qeverisjes. Në këto 107 vite, kjo mungesë na është shfaqur si një mungesë e theksuar e gjithë përfshirjes dhe përfaqësimit të qytetarëve dhe grupeve të ndryshme shoqërore në qeverisje, në vendimmarrje dhe në institucionet tona që për fat të keq, kurrë nuk u bën as demokratike dhe as evropiane. Mungesa e gjatë e moralit në politikë dhe qeverisje na shfaqet edhe si një reduktim i skajshëm i kapaciteteve administrative e konkurruese të vendit, mungesë që vjen nga kultivimi i injorancës dhe mënjanimi i elitës dhe specialistëve më të mirë të vendit nga administrata, nga institucionet dhe nga projektet shoqërore e politike të zhvillimit. Mungesa e moralit të qeverisjes, më qartë se në asgjë tjetër na shfaqet edhe përmes sjelljes fyese e irituese të politikanëve dhe drejtuesve të institucioneve, sjellje e dominuar nga injoranca, mashtrimi, servilizmi, hipokrizia, abuzivizmi, hajdutëria, korrupsioni dhe arroganca deri në harbutëri ndaj ligjeve, mjedisit dhe jetëve njerëzore. Ka dy modele sjellje, mendimi dhe zhvillimi, është fjala për modelin e sjelljes orientale dhe saj evropiane, euroatlantike. Modeli evropian dhe euroatlantik i sjelljes shtetërore e politike ka për bazë të vërtetën dhe moralin e pastër të të bërit politikë dhe shtet funksional. Ndërsa modeli oriental ka për bazë mashtrimin, demagogjinë dhe sjelljen hipokrite ku tjetër thuhet e tjetër bëhet. Në këtë këndvështrim, humbjen e moralit të qeverisjes dhe krizat që burojnë prej qeverisjeve klanore, hajdutërore e despotike, duhet ta kërkojmë tek rruga e gabuar që praktikisht është ndjekur që nga ditët e para të themelimit të shtetit të pavarur shqiptar. Dihet fakti që politika shqiptare e këtyre viteve, në mënyrën më të pashembullt ka prodhuar sisteme kriminale e korruptive të cilat kanë gjeneruar kriza dhe humbje të vazhdueshme të kapaciteteve shoqërore, ekonomike e politike, gjë që ka sjellë një reduktim dhe përkeqësim të vazhdueshëm të kapaciteteve shtet-formuese e konkurruese të ekonomisë dhe të politikës shqiptare në rajon dhe në botë.

Tradita dhe modeli oriental i të menduarit dhe të bërit politikë në Shqipëri, ka sjellë një degradim të thellë të demokracisë dhe të pluralizmit politik në banditizëm dhe në komitë me sundimtarë e bajraktarë që trashëgojnë vulat, myhyrin, territorin dhe bajrakun nga njëri sulltan tek tjetri, nga njëri kryetarë tek tjetri, pa sjellë asgjë të re, asgjë të mirë, asgjë kombëtare dhe asgjë evropiane. Në këtë mënyrë ka funksionuar establishmenti politik i viteve 1908-1920, nga ku mbeti tradita e sherrit dhe krizat e njëpasnjëshme për shkak të mungesës së thellë të gjithë përfshirjes, përfaqësimit real dhe kompromisit kombëtar për projektin europianizues e zhvillimor të Shqipërisë. Sipas modelit pa moral, pa përfaqësim dhe pa meritokraci ka funksionuar edhe establishmenti politik i viteve 1920-1939, i karakterizuar nga dominanca e liderëve oriental që prodhuan kriza, përçarje dhe prapambetje të thellë ekonomike, kulturore e politike. Në këtë mënyrë ka funksionuar edhe establishmenti fashisto-komunist i viteve 1941-1990, një sundim banditesk që nuk prodhoj asgjë më tepër se sa regresin dhe mjerimin e gjithanshëm intelektual, politik, mjedisor dhe ekonomik të Shqipërisë. Në këtë mënyrë ka funksionuar edhe establishmenti politik i këtyre 29 viteve, i karakterizuar nga sajesa dhe emërtimi sulltanor i liderëve politik e shtetëror të cilët nuk rrezatuan asgjë më shumë se krizën e krizës së madhe shoqërore e politike që i lindi, i formësoj dhe i gradoj deri në majat më të larta të sundimit politik e shtetëror, pa pasur asnjë vlerë konkurruese, përfaqësuese dhe as intelektuale. Në këtë mënyrë, edhe me anë të një retrospektive të shkurtër e sipërfaqësore të ngjarjeve dhe sistemeve politike dhe ekonomike të këtyre 107 viteve, do të mund të kuptojmë faktin që burimi i vërtetë i krizave të njëpasnjëshme dhe prapambetjes së thellë shoqërore, politike dhe ekonomike të Shqipërisë, ka qenë dhe është mendësia, trashëgimia dhe modeli i gabuar i të bërit politikë dhe shtet. Janë të njëjtët njerëz dhe formacione politike që prodhojnë dhe pasojnë krizat dhe sherrnajën turpëruese nga njëri tek tjetri. Janë të njëjtat personazhe që vijnë në pushtet përmes mungesës së moralit dhe krizave e që nuk bëjnë asgjë më tepër se sa përgatitjen e imoralitetit dhe krizës së radhës. Në të gjitha rastet kemi të bëjmë me të njëjtën mendësi dhe personazhe që emërojnë dhe riciklojnë njëri tjetrin në krye të krizave dhe të institucioneve në krizë. Kemi të bëjmë me të njëjtët personazhe që në vend të kompromisit dhe zgjidhjes, vrapojnë pas përplasjes dhe pazarit për më shumë hajdutëri, korrupsion, demagogji e banditizëm. Populli, specialistët dhe intelektualët e Shqipërisë duhet të kuptojnë faktin që projekti Evropian i Shqipërisë, pavarësisht nga hipokrizia, mendësia dhe sjellja krizë e klasës sonë politike dhe të gjithë atyre faktorëve që nuk e duan konsolidimin dhe prosperitetin e shtetit shqiptarë, pikë së pari do të ekzistojë e do të zhvillohet falë gjeopolitikës dhe institucioneve evropiane dhe euroatlantike të zhvillimit. Në këtë kontekst, kujtoj faktin që ky projekt për Shqipërinë dhe rajonin, ka nevojë për një ristartim tjetër historik, ka nevojë për një debat dhe kompromis të ri e të gjithanshëm kombëtarë që do ta shkëpuste njëherë e përgjithmonë politikën dhe administratën shqiptare nga mendësia dhe nga modeli oriental i krizave dhe kaosit moral, ekonomik e shoqëror të prodhuar prej krizave. Shqipëria nuk ka më kohë as energji për të humbur me klanet dhe as me personazhet e krizave, sherrit dhe korrupsionit. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për një kompromis të gjerë e të gjithanshëm historik, që do ta shkëpuste përgjithmonë vendin nga establishmenti i prodhimit të njohur të krizave orientale e që do ta orientonte drejt një mendësie dhe modeli të një zhvillimi harmonik e të qëndrueshëm.