Prof. Elmaz Sherifi: Dje u krijua një precedent i ri antikushtetues

261
Prof. Dr. Elmaz Sherifi
Sigal

Për ata që kuptojnë! Sot (dje) u krijua një precedent i ri antikushtetues. PS-ja e miratoi Kushtetutën  me Referendum në 1998, sepse opozita nuk e pranonte. Ajo asnjëherë nuk ka bërë ndryshime kushtetuese, pa konsensus me opozitën politike. Sot PS-w e ndryshoi Kushtetutën pa konsensus, për të eleminuar koalicionet parazgjedhore, duke marrë edhe kompetencat e pushtetit gjyqësor dhe të organeve përfaqësuese të partive, pasi, nëpërmjet ndryshimit të dispozitave kushtetuese, realisht realizohet “shkrirja” e partive. Nëse do të pranonim për të arsyetuar, se edhe opozita po e jep konsensusin  me “deputet listarë”, pasi ata janë përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së, atëhere duhet pranuar, se këta deputetë tani kanë “shkrirë” edhe organet drejtuese të partive dhe ushtrojnë kompetencat e tyre, në kundërshtim me statutet e partive. Me këtë status absurd të dhuruar nga Rama, jo nga organet drejtuese të partive, deputetët listarë,  janë shkrirë e janë bërë njësh me PS-në  dhe me “dhunën e kartonave” i detyrojnë partitë, që i vendosën në listë e i bënë ligjbërës, që të shkrihen në një listë zgjedhore. Po cili do të jetë simboli partiak që do vendoset në fletën e votimit, pasi çdo parti ka simbolin e vet partiak të miratuar në forumet drejtuese dhe me vendim gjykate? Logjikisht duhet një vendim gjykate për të miratuar simbolin e partive që detyrohen të futen në një koalicion konkurues. E pra, me ndryshimet e sotme kushtetuese realizohet një coup de etat. Në kushtet kur në Shqipëri, nuk funksionon  Gjykata Kushtetutese, interpretimin e ndryshimeve kushtetutese, nuk mund ta bëjë, as partia socialiste, as ambasadorët! Pluralizmi politik demokratik në Shqipëri mbetet një alternativë që duhet realizuar, pasi të shkatërrohet ngrehina e vjetër politike, që po dergjet në morgun politik antidemokratik.