Prof.Dr. Qemal Lame: Serbia të dëshmojë paqe, jo agresivitet

259
Sigal

Situata politike dhe e sigurisë në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë ka krijuar me të drejtë shqetësim për opinonin publik të dy shteteve dhe rajonin, si dhe reagimet zyrtare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, NATO, etj. Ato bëjnë thirrje për ulje të tensioneve duke tërhequr menjëherë njësitë e posaçme të policisë dhe hequr barrikadat në rrugë dhe rikthim të palëve në tryezën e bisedimeve dhe kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme nga të dyja palët dhe përkushtimin në integrimin evropian.

Shpërthimi i propogandës antishqiptare nga Beogradi evidenton përgjegjësinë e presidentit serb Aleksandër Vuçiç që nuk reagoi qetësisht dhe të sqaronte të vërtetën, të kërkonte bisedime në rast se kishte kundërshtime. Me thirrjet luftënxitëse dhe urrejtjen ndaj shqiptarëve, ai nxiti ngritjen e një vale të re tensionesh kundër normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe demostrojnë vazhdimësinë e politikës së vjetër antishqiptare. Në fjalimin drejtuar kombit, në 20 shtator, ai deklaroi pretendimin se “targat serbe janë targa të një shteti sovran”! Politikanët e lartë serbë nuk ju referuan marrëveshjes, por menjëherë shpërthyen me akuzat kundër Kosovës sikur sulmohen të drejtat e minoritetit serb në Kosovë.

Qeveritë e Kosovës të monitoruara nga partnerët ndërkombëtarë kanë përgjegjësi që nuk zbatuan në kohë reciprocitetin sipas marrëveshjeve të ndërmjetësuara në Bruksel. Vendimi i qeverisë së Kosovës është zbatim i marrëveshjes së nënshkruar midis dy vendeve në Bruksel që Serbia e bën prej vitesh me makinat me targa të Kosovës. Vendimi nuk është kundër dhe nuk ka asnjë lidhje me qytetarët e Kosovës, shqiptarë apo serbë. Vendimi është vetëm për makinat me targa serbe, që vijnë nga Serbia në Kosovë. Vendimi ka për qëllim të forcohet zbatimi i rendit kushtetues të Kosovës, të luftohet trafiku dhe kontrabanda e paligjshme e mallrave dhe e njerëzve. Policia e Kosovës, në zbatimin të detyrave të saj kushtetuese. Heqja e targave të përkohshme nga të dy shtetet do të normalizonte menjëherë situatën.

Presidenti serb reagoi me masa emergjente për të simuluar një situatë lufte të re. Ai iu dërgoi letra të menjëhershme zyrave të BE dhe të NATO-s për gjoja kërcënimet ndaj serbëve në Kosovë. Në 21 shtator presidenti thirri mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë. Ai ka kërkuar mbledhjen e përfaqësuesve në Beograd “Quintit”, të pesë shteteve kryesore perëndimore.  Me një gjest teatral ambasadori i Serbisë në Uashington, M.Gjuriç, në 21 shtator, njoftoi se do të fluturonte për në Beograd që të rregullojë situatën në Veri të Kosovës! Vuçiç urdhëroi dislokimin e njësive tankiste, si dhe fluturimet kërcënuese të helikopterëve e avionëve Mig në kufirin shtetëror të Serbisë me Kosovën.

 

Shtetet evropiane në veçanti dhe bashkësia ndërkombëtare në tërësi u vunë edhe një herë para faktit se provokimi i tensioneve dhe situatës së luftës me shtetet fqinjë është një metodë klasike zyrtare e politikës dhe diplomacisë së shtetit dhe veprimtarisë së institucioneve subversive serbe. Serbia vazhdon programin e saj shovinist të “Serbisë së Madhe”, të cilin qeveria e Vuçiçit tani e maskon me emrin “bota serb”, duke synuar të aneksojë Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinës. Vuçiç ka ambicien të arrijë gjithçka që Millosheviçi nuk mundi as me luftë.

Reagimi i padrejtë dhe agresiv i Beogradit tregon, së pari, Serbia kërkon të imponojë në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare të drejtën e metropolit dhe të pranimit  de facto të statusit të provincës midis Serbisë dhe Kosovës. Beogradi me papërgjegjshmëri tenton të mos i zbatojë dhe t’i shkelë 36 marrëveshjet që i ka nënshkruar vetë në Bruksel, dhe të refuzojë që Kosova të zbatojë për ato marrëveshje me reciprocitetin. Njëkohësisht bën edhe presion në Bruksel që të mos pranohet reciporociteti  në marrëdhëniet ndërshtetërore Kosovë-Serbi.

Së dyti, për mungesën e sinqeritetit për bisedimet dhe marrëveshjen përfundimtare. Kjo dëshmohet edhe në mossuksesin prej 10 vjetëve të dialogut në Bruksel dhe të shtyrjes së njohjes së pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Serbia kërkon t’i shmanget kërkesave pa rrugëdalje nga SHBA dhe Gjermania, si dhe BE për përfundimin e dialogut Serbi-Kosovë me njohje reciproke me mirëkuptimin e të dy palëve.

Së treti, rrezikun e diplomacisë dhe zbulimit subversiv e luftënxitës të Serbisë për Bashkimin Europian dhe NATO-n që po tregon njëkohëshmëria e zhvillimeve të fundit në tre shtetet fqinjë me Serbinë. Serbia është një bazë politike, ushtarake dhe informative për realizimin e interesave të Rusisë në Ballkan. Rusia frymëzon e nxit strategjienë serbe të tensioneve me shtetet fqinje që Serbia të fuqizohet dhe Ballkani të destabilizohet.

Së katërti, Serbia beson se është koha për të ribërë kufijtë në Ballkan. Me këtë ide, ajo insiston për ndarjen e Veriut të Kosovës dhe krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe me kompetenca teritoriale. Këto nuk pranohen nga kombi shqiptar dhe as nga popujt e tjerë.

Së pesti, tensionimi artificial në kufirin e Veriut të Kosovës tregoi për nxitimin e nismës “Ballkan i hapur” të ndërmjetësuar nga Fondacioni Sorros. Nuk mund të ketë lëvizje të lirë të njerëzve e mallrave, në kushtet e rrezikut potencial të veprimtarisë agresive të Serbisë. Kufijtë e hapur i duhen Vuçiçit për shtrirjen e pushtetit të Serbisë. Kur ai vihet para reciprocitetit, vendos tanket, helikopterët, avionët e dronet luftarakë. “Tregu i Përbashkët Ballkanit”, “Mini Shengeni”, apo “Ballkani i hapur” kërkojnë standartet e demokracisë perëndimore, reflektimin e Serbisë dhe njohjen e pavarësisë e sovranitetit të Kosovës nga vetë Serbia. Kështu realizohet lëvizja e lirë, paqia e siguria në rajon e në Evropë. Besoj se me këtë përfundim pajtohen edhe partnerët që na mbështesin për hapjen, paqen e sigurinë në rajon.

Bashkimi Evropian dhe shtetet e rajonit, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin integrimin evropian të Serbisë dhe të Kosovës. Për t’u ralizuar me suksese dhe në kohë kërkohet që vetë bashkësia të bindi 5 shtetet e saj anëtare që nuk e kanë njohur akoma Kosovën.

Strategjia kombëtare shqiptare është e nevojshme të jetë përparësi e dy shteteve shqiptare, istitucioneve e instrumenteve në gjithë trojet e shqptarëve në rajon, si dhe ndihmës nga diaspora. Për të patur efektivitet dhe parandaluar konflikte luftënxitëse, është e nevojshme të ndërgjegjësohemi më shumë për të mbrojtur interesat kombëtare dhe vazhduar kontributin  për marëdhënie fqinjësie korrekte në respektim me barazi të normave ndërkombëtare.

Shqipëria dhe Kosova është e domosdoshme të bashkëpunojnë ngushtë dhe të veprojnë me strategji të qartë politike dhe diplomatike për njohje të reja dhe realizimin e anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Të kërkojmë më shumë ndihmë nga SHBA dhe BE. Marrëveshjet ndërkombëtare që sanksionojnë barabartësinë sovrane midis Kosovës dhe Serbisë të nënshkruara në dialogun e Brukselit të respektohen e zbatohen në kohë. Shkeljet e marrëveshjeve nga Serbia të kundërshtohen e të bëhen problem në kohë në bisedimet e ndërmjetësuara. Kështu do të njihen manovrimet e prapaskenat që kurdisin politikanë e diplomatët serbë dhe do të mënjanohet alarmi evropian i presidentit Vuçiç për reciprocitetin që kërkon Kosova. Marrëdhëniet ndërshtetërore të Kosovës me Serbinë janë në radhë të parë çështje kombëtare që lidhet me pavarësinë e sovranitetin e shtetit të dytë shqiptar dhe shkatërrimin e politikës shoviniste serbe. Për këto arësye, është e papranueshme që disa forca politike, si dhe politikanë e intelektualë të caktuar me interesa të ngushta personale sipas ngjyrave politike ose grupimeve fisnore e krahinore shfrytëzojnë situatën e krijuar për të përfituar duke sulmuar qeverinë e Kosovës dhe vendimet e saj të drejta.

Të mbrojmë me vendosmëri parime kushtetuese dhe normat ndërkombëtare të barazisë dhe reciprocitetit në marrëdhëniet me shtetet e tjera. Zbatimi i reciprocitetit është e drejtë e ligjshme e Kosovës që duhet ta trajtojë me kujdes dhe në bashkërendim me partnerët strategjik. Politika e Serbisë është e domosdoshme të vlerësohet me objektivitet për rrezikshmërinë potenciale me Kosovën e Shqipërinë dhe gjithë rajonin. Kërkohet të jemi realistë dhe të nxirren mësime nga politika dhe diplomacia e dy shteve shqiptare, të bashkëpunojmë ngushtë me partnerët tanë strategjikë për ruajtjen e paqes e sigurisë dhe realizimin e reziprocitetit e të marrëveshjes përfundimtare për njohjen e Kosovës nga Serbia pa kushte dhe pa ndryshim të kufijve.