Prof. Dr. Lush Susaj: Të parandalojmë konfliktin që synon mosndëshkimin e krimit të sferave të larta

493
Sigal

Pas shpalljes së dekretit të presidentit të republikës për anulimin e datës së zgjedhjeve të njëanshme, zgjedhje pa opozitën të 30 Qershorit 2019, në vend që politika të reflektonte me urtësi dhe një analizë racionale e të hapur mbi situatën e krijuar, u kalua në një situatë edhe më absurde për shkak të fillimit nga ana e maxhorancës të një ofensive me fyerje, shantazhe dhe mospërfillje ndajë opozitës dhe institucioneve kushtetuese të vendit. Për më tepër, me një çmenduri dhe mendjemadhësi tipike orientale, drejtuesit e lartë të parlamentit dhe të qeverisë vrapuan edhe më shumë drejt thellimit të mëtejshëm të gjuhës së konfliktualitetit me qëllimin e vetëm, arritjen deri tek dhuna dhe përplasja civile që nga njëra anë do të shërbente për të ndëshkuar popullin dhe nga ana tjetër do të vlente për të siguruar mosndëshkimin e krimit politik e ordiner që ka për autor shefat dhe sferat e larta të politikës dhe shtetit. Vetëm me anë të zjarrvënies dhe kaosit do të mund të zhduken personazhet, dosjet dhe provat e krimeve të kryera mbi investimet dhe projektet e vjedhura nga mafia që ka uzurpuar shtetin, natyrën dhe shoqërinë shqiptare. Në kushtet e një shoqërie me ligje dhe politikanë normal, dekreti i Presidentit të Republikës do të kishte shërbyer për më shumë normalitet, gjithëpërfshirje dhe impenjim në drejtim të rishikimit të sjelljes elementëve të tjerë shoqëror, historik, politik e kulturorë që na obligojnë dhe bashkojnë për një rifillim sa më parë të dialogut dhe bashkëpunimit në shërbim të ruajtjes dhe forcimit të shtetit dhe të unitetit tonë kombëtar. Rita Mae Braun (2018), ka shkruar: “Statistikat mbi shëndetin mendor, janë ato ku, një në katër persona vuan nga një sëmundje mendore. Shihni tre miqtë tuaj më të mirë. Nëse ata janë në rregull, atëherë i çmenduri jeni ju”. Kjo thënie më duket shumë aktuale për mediokrit dhe gojëprishurit, që në vend që të qeverisin me urtësi dhe ligje demokratike, përgojojnë, tallin, kërcënojnë dhe shantazhojnë çdo njeri dhe institucion që kundërshton apo ngre zërin kundër demagogjisë, hipokrizisë, korrupsionit dhe babëzisë së bandave të abuzivizmit politik e qeveritar. Sundimtarët e këtyre viteve, në vend që të na qeverisnin, kanë vjedhur. Në vend të llogaridhënies, shërbesës dhe transparencës kanë ndërtuar sjelljen sofiste, arrogancën, fiktivitetin dhe dhunimin e mirëqenies dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut. Në vend të modelit evropian të sjelljes ndajë zgjedhjeve, institucioneve dhe resurseve natyrore e njerëzore të vendit kanë zgjedhur modelin oriental të bejllëkut e të mendësisë enveriste të nënshtrimit, të poshtërimit dhe të eliminimit të kundërshtarit. Në këtë situatë, për mafien e manipulimit, vjedhjes dhe degradimit në fiktivitet të proceseve zgjedhore dhe institucioneve ligjzbatuese të shtetit, opsioni më i mirë për interesat e tyre është arritja e deri tek përçarja dhe konflikti i përgjakshëm që është mjeti për shpëtimin e mafies nga llogaridhënia dhe ndëshkimi ligjor. Përmes rrugës së konfliktit, klanet hajdute të politikës do të mund të mbulojnë shpërdorimin skandaloz që i kanë bërë investimeve dhe projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare që rezultojnë të jenë pa produkt dhe me impakt zero. Në këtë mënyrë do të mund të justifikojnë edhe mashtrimet për mungesën e produktit real të reformës në drejtësi ku janë investuar miliona euro për konsulta, ekspertiza, trajnime e mbledhje pa fund. Me anë të rrokullisjes së shoqërisë drejtë konfliktit, doktor gjilpërat e politikës konfliktuale e hajdute të Tiranës do të mund të justifikohen edhe për mos goditjen e krimit dhe të korrupsionit të sferave të larta të shtetit dhe politikës shqiptare, nga ku janë sajuar të gjitha marrëveshjet dhe ligjet abuziviste të PPP-ve dhe VKM-të me kontratat abuziviste për shkollën, mjedisin, bujqësinë, shëndetësinë, inceneratorët, etj. Duke ndezur konfliktin social, banditët e politikës do të mund të sigurojnë edhe alibinë që ju duhet aq shumë për të përfituar azil në vendet e BE dhe SHBA-së, ku studiojnë dhe jetojnë fëmijët dhe familjarët e tyre. Ndezja e konfliktit nga ana e politikës do të siguronte vazhdimësinë e mafies politike të projekteve dhe të investimeve që kurrë nuk shkuan në destinacionin e duhur të së mirës publike. Në këtë mënyrë, edhe për shumë vite të tjera do të vazhdonte edhe ajo mungesa e njohur e qarkullimit të elitave, projekteve dhe ideve progresiste, nga ku krijohen të tilla situata konflikti, stanjacioni dhe reduktimi të kapaciteteve administrative e politike. Të tilla situata janë në favor të atyre që na fyejnë duke na etiketuar si njerëz të dhunshëm, njerëz të zbritur nga mali e që nuk e meritojnë as shtetin dhe as pavarësinë politike. Në asnjë rast nuk duhet të harrojmë që rendja pas konfliktit i shërben edhe mafies së njohur të pronave që përmes emigracionit masiv të popullsisë, i hapët rrugë zhvlerësimit të pasurive kombëtare dhe blerjes së pronave me çmime qesharake. Për këto e shumë arsye të tjera, në këto kohëra të vështira që po kalojmë, nga çdo njeri që ka qoftë dhe një minimum dashurie, mirënjohje, detyrimi apo lidhje gjaku dhe origjine me këtë vend që quhet Shqipëri e që është atdheu ynë i përbashkët, kërkohet vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi maksimale. Kërkohet më shumë dinjitet dhe veprime që i konvenojnë interesit më të lartë të shtetit dhe çështjes sonë kombëtare. Ajo që i duhet vendit është uniteti kombëtarë dhe qëndresa e qytetarëve në anën e drejtë të rrugës së dialogut dhe kompromisit për ndërtimin dhe funksionalizimin e shtetit ligjor me gjithpërfshirje dhe me transparencë. Është koha për një aleancë të fortë qytetare kundër hajdutërisë, arrogancës, korrupsionit, mendjemadhësisë, injorancës dhe karrierës manipulative e të pamerituar të politikanëve pa shpirt, pa ideale kombëtare dhe pa ndjesi shoqërore. Më shumë se kurrë më parë, shqiptarëve ju duhet bashkimi dhe uniteti në drejtim të shpërfilljes dhe përbuzjes ndajë sjelljeve degraduese e fyese të politikanëve tonë të çmendur e të çnderuar që mbjellin hajdutëri, përçarje, denigrim dhe konfliktualitet. Pema e shtetit shqiptar është mbjellë, ushqyer e rritur me shumë gjak e sakrifica. Ndërsa kujdesi dhe mbrojtja e përjetshme e kësaj peme nga krimbat e krijuar e të rritur nga vetë metabolizmi dhe trupi i saj, është një detyrim e përjetshëm ndaj brezave që do të vijnë dhe një amanet e premtim hyjnor ndaj dëshmorëve dhe themeluesve të shtetit shqiptar.

Për të qenë në të drejtën e Zotit dhe të interesit tonë kombëtar, krimbat, akrepat helmues dhe rriqnat e kësaj politike hajdute, denigruese e shkombëtarizuese duhen shkulur e shkelur me këmbë. Ekziston një ngjashmëri shumë e madhe midis krimbave të pemëve dhe krimbave të shtetit. Në të dyja rastet, krimbat janë të kudondodhur, janë të neveritshëm, janë dëmshëm dhe shtohen shumë shpejt. Për pasojë, nëse në bujqësi nuk trajtohen me teknologji dhe në shoqëri me ligje, krimbat e thajnë pemën sado e madhe që të jetë ajo, dhe, e mbysin shtetin dhe politikën, pavarësisht nga mosha dhe hapësira gjeografike ku ai shtrihet dhe funksionon. I vetmi dallim i vogël midis krimbave të pemëve dhe krimbave të shtetit dhe politikës është ai që ka të bëjë me faktin që krimbat e pemëve nuk kanë identitet as origjinë gametike, ndërsa krimbat e shtetit kanë identitet, origjinë dhe dëshirë të lartë për të qenë krimba e për të shijuar sjelljen e tyre tipike të zvarritjes dhe pabesisë ndajë interesave shoqërore e kombëtare. Krimbat e shtetit dhe politikës e duan poshtërimin pa e përditshëm të padronit dhe sundimtarit, ata e shijojnë jetën e tyre krimbore pa nderë e dinjitet. Për këtë kategori shoqërore e të neveritshme, filozofi Emanuel Kant (1724-1804), ka shkruar: Ai që e bën veten krimb, nuk mund të ankohet pastaj kur të tjerët shkelin mbi të me këpucë”. Dhe më tej Kanti vazhdon duke thënë se:“Është e domosdoshme që unë të jetoj i lumtur, por është e domosdoshme që sa të jetoj, të jetoj me nder”. Krimbat e politikës dhe shtetit dinë të gërryejnë e të shkatërrojnë ekonominë dhe lumturinë e qytetarëve të Shqipërisë, krimbat nuk e njohin as nderen dhe as dinjitetin. Krimbat e politikës sonë konfliktuale duket që nuk kanë të ngopur pa i parë shqiptarët të çakërdisur e të zhytur në konflikte të përgjakshme që do të shkatërronin të gjithë procesin shekullor të kombformimit dhe shtetformimit. Për këto e shumë arsye të tjera, krimbat duhen neveritur dhe duhen mënjanuar me çdo mjet nga vendimmarrja dhe nga administrata politike e shtetërore. Për më tepër, krimbat e shtetit dhe politikës duhen shtypur me anë të forcës së lirisë dhe të ligjeve demokratike që rregullojnë meritokracinë, bashkëjetesën dhe administrimin.

Në këtë kohë të mbingarkuar me arrogancë dhe injorancë politike, me pabesi dhe bojkot institucional, me presione dhe me thirrje për arrestime e veprime të karakterit demagogjik e shantazhues, detyrimi më i madh që kemi ndajë kombit dhe shtetit është kontributi që duhet dhënë në drejtim të zgjidhjes së krizës përmes dialogut dhe zbatimit të ligjeve morale e demokratike të vendit. Kjo detyrë nuk ka të bëjë as me përkatësinë politike, as krahinore, as fetare dhe as profesionale të qytetarëve. Pikë së pari ka të bëjë me të qenit shqiptar dhe detyrimi që secili ka për të punuar dhe kontribuar për unitetin dhe prosperitetin e shoqërisë, shtetit dhe kombit të tij. Përbuzja ndaj rrugës së dhunës, konfliktit dhe kaosit është detyrë jetike e çdo shqiptari, është borxhi i përjetshëm që i kemi Shqipërisë dhe shtetit shqiptar.