Prof. Dr. Lisen Bashkurti: Maska që bien dhe maska që vihen!

391
Sigal

Çdo e keqe ka dy anë. Edhe pandemia e koronavirusit na e solli një të mirë dhe një të keqe: na hoqi maska dhe na vuri maska. Mbas maskave që po bien, do shohim përtej fasadave të lyera dhe të zhyera për farsë e propagandë të një realiteti zhgënjyes.Do prekim varfërinë e skajshme ku na ka zhytur makuteria e njerëzve trutharë me bark të prangopur. Do ndjejmë dhimbjen e plagëve sociale të krijuara nga obskurantizmi dhe dehumanizimi i atyre që i kemi besuar çdo gjë për të mos bërë asgjë. Do kuptojmë sesa fatalitet na shkakton sjellja e mbarë shoqërisë që fle kur duhet të zgjohet dhe zgjohet kur duhet të flejë. Do qartësojmë foshnjën nga uji i turbullt, dritën nga errësira, të vërtetën nga mashtrimi, iliminizmin nga mediokriteti që na shpien buzë humnerës. Më së fundi, rënia e maskave do na bëjë të reflektojmë për çdo gjë brenda dhe jashtë vetvetes, që historia mos të përsëritet dhe shoqëria jonë mos të kalojë nga njëra pandemi në tjetrën. Por le të vemë disa maska kundër koronavirusit, duke shpresuar që këto maska të na zenë hundën dhe gojën, por jo sytë dhe mendjen për atë që na pret. Koronavirusi rrëzoi maskat jetërrënuese dhe vuri maskat jetëshpëtuese. Dhëntë Zoti mos të ngatërrojmë maskat që të mos humbasim midis humbëtirës dhe qartësisë… Ra koronavirusi që po bien ca maska dhe po vihen ca të tjera… Kaq shumë kohë pa na u ndarë maskat… Le të shpresojmë një të ardhme pa to.