Prof. Dr. Arben Malaj: Përse po zihemi? Për gjysmën plot të gjysmës bosh apo për gjysmën bosh të gjysmës plot?

520
Sigal

Prof Dr. Arben Malaj-Lektor për integrimin Evropian.

 

Pa çeljen zyrtare të negociatave me vendim të Këshillit Evropian çdo propozim nga Komisioni dhe Parlamenti evropian mbetet i pamjaftueshëm. Prandaj duhet të presim të gjithë vendimin zyrtare të Këshillit evropian, i cili del pas rreth tri javëve. Prandaj duhet që çelja e negociatave të mos ulet këmbëkryq në debatet e mbingarkuara dhe të tensionuara në mediat vizive dhe të shkruara. Aty duhet diskutuar për reformat kushtetuese në politikë dhe qeverisjen e vendit.

Opozita e di se dhënia e propozimit për çeljen e negociatave bazohet në gjysmën plot të gjysmës bosh.

Mazhoranca e di që, nëse propozimi i Komisionit dhe Parlamentit evropian nuk mbështetet nga Këshilli evropian, jo sepse Evropa është në krizë institucionale, por sepse ata vlerësojnë se gjysma plot e gjysmës bosh në disa reforma kritike politike dhe ekonomike, si dekriminalizimi i institucioneve kushtetuese, vettingu në gjyqësor, kapja e shtetit nëpërmjet PPP-ve, koncesioneve dhe tenderëve publik, paqëndrueshmëria e administratës publike nepotizmi dhe korrupsioni ndërhyrja e grupeve kriminale në politikë dhe ekonomi, bëjnë që gjysma plotë në elementët shtetformues dhe të demokracisë funksionale të jetë më e vogël se gjysma bosh.

Këtu mbështetet refuzimi i tyre ndaj propozimeve të dy institucioneve evropiane për çeljen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Ky është argumenti real dhe i sinqertë që liderët evropian ja kanë dhënë në sy mazhorancës dhe opozitës se përse ata nuk do të autorizojnë çeljen e negociatave, pa e mbyllur dorën e anëtarësimit, por duke zgjatur kohën në pritje.

Ja kanë thënë në sy të gjithë faktorëve politikë në vend jo për të ushqyer grindjet dhe krizat midis tyre, por për ti ndërgjegjësuar edhe publikisht për përgjegjësitë e përbashkëta të tyre ndaj një prioriteti historik dhe kombëtarë të cilin e dëshirojnë mbi 93 për qind e shqiptarëve.

Pranimi i gjysmës plotë ku janë bazuar vlerësimet teknike të Komisionit dhe Parlamentit Evropian krijon premisa që politika të fokusohet tek gjysma bosh, të fokusohet tek plotësimi sa më parë i detyrave të shtëpisë, të fokusohet tek eliminimi i vonesave të integrimit dhe reduktimi i kohës dhe i efekteve negative te dështime të përsëritura.

Këndvështrimet me fokus gjysmë plotë janë më pozitive se atë që fokusohen tek gjysma bosh. Kjo sepse mohimi i arritjeve të certifikuara nga dy institucione të BE, ul inspirimin, angazhimin dhe përkushtimin shoqërore dhe politik për të ecur përpara.

Fokusimi tek gjysma bosh duke mohuar gjysmën plotë nxit grindjet dhe agresivitetin ndërpartiak aq sa gota mund të thyhet,gjysma plotë të bëhet bosh dhe gjysma bosh të bëhet e gjitha bosh. Ky është modeli i krizave të mëparshme që jo vetëm na kanë penguar të ecim përpara por na kanë kthyer disa vite mbrapa.

Ndërsa fokusimi tek gjysma bosh pa e thyer gotën, pa e injoruar gjysmën plot, mund ta ndihmojë opozitën të qartësojë vizionin dhe prioritetet e saj, Të programojë qartë dhe premtoj me sinqeritet, se cilat do të jenë realisht objektivat, hapat dhe afatet konkrete që gjysmën bosh e bëjnë gjysmë plot dhe që të dyja pjesët plot e bëjnë të plotë angazhimin dhe përkushtimin për të plotësuar sa më parë detyra e shtëpisë.

Shqipërisë i duhet që sa më parë, gota e plotësimit të detyrimeve tona ndaj kritikave të BE-së duhet të jetë plot. Kjo mund të arrihet nëse ;

  1. Mazhoranca njeh pjesën bosh dhe përkushtohet ta mbush atë sa më parë me reforma të thella strukturore në politikë dhe ekonomi
  2. Opozita e njeh pjesën plotë dhe për kushtet brenda institucioneve kushtetuese të vendit të saj dhe në mënyrë paqësore në protesta e saj, për të mbushur sa më parë gjysmën bosh, që së bashku e mbushin tërë gotën.

Në situatën aktuale kthimi i opozitës në institucionet kushtetuese të vendit mund të arrihet vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme, Një marrëveshje win-win për reformat e domosdoshme dhe kritike është bërë kusht i panegociueshëm jo për mbijetesë të klasës politike por për një moment të ri (tipping point) në jetën politike të vendit tonë.

Ky moment i ri i një ndryshimi të thellë, mund të krijohet vetëm në qoftë se do të arrihen marrëveshje për zgjidhje të ngërçeve konstitucional që kanë rritur deficitin demokratik, kanë vrarë demokracinë e brendshme në partitë politike por edhe në çdo institucion tjetër publik, kanë ushqyer elitat politike arrogante dhe të babëzitura. Kapja e shtetit dhe dështimi i tij gjatë 10 viteve të fundit i kanë varfëruar shqiptarët duke ju ofruar si zgjedhje të vetme, emigrimin masive nga vendi i tyre. .

Në rast të kundërt, nëse nuk do të ketë zgjidhje por vetëm zgjedhje vendore, me këtë ambient politik të mbingarkuar negativisht, rrezikohemi gjithnjë e më shumë që mazhoranca ta injorojë ekzistencën e gjysmës plot, pra të përkushtohet tek marketingu i sukseseve dhe jo tek përgjegjësitë e dështimeve dhe njëkohësisht opozita të injoroi ekzistencën e gjysmës plotë dhe të mbështetet përherë e angazhuar për gjysmën bosh, gjë që do të cenonte kredibilitetin e saj politik dhe legacy/trashgiminë e saj politike në tranzicionin shqiptar.