Prof. Dr. Arben Malaj: Bankat Qendrore dhe risku i reputacionit publik

819
Sigal

“Nuk mund të keni në një shoqëri demokratike një institucion

që është plotësisht ose pjesërisht i shkëputur nga procesi zgjedhor.

Nëse do të kemi banka qendrore të pavarura

atëherë në pavarësinë tyre është edhe përgjegjësia e tyre.

Kemi luftuar me këtë (sfidë) dhe kemi arritur në përfundimin, se

ne duhet t’i bëjmë të ditur elektoratit çfarë mendojmë, pse po bëjmë atë që po bëjmë

dhe në mënyrë të përgjithshme nën cilat kushte do të silleshim ndryshe”

Alan Greenspain ish-Kryetar i Fed (1994).

Mirënjohjen ja keni borxh presidentit Trump për përzgjedhjen tuaj, por përgjegjësinë gjatë mandatin si kryetar i Fed e keni ndaj vendit tuaj. Ishte kjo këshilla që i dhanë z. Jerome Powell, 65-vjeçarit me një integritet të admirueshëm publik dhe përvojë të shkëlqyeshme profesionale, sapo Presidenti Trump reagoi i zhgënjyer me politikën monetare të Fed, tani që i përzgjedhuri i tij është kryetari i Fed. (https://www.federalreserve.gov/aboutthefed/bios/board/powell.htm)

Ky është një leksion i vyer për këdo, që mirënjohja individuale nuk duhet të cenojë apo dëmtojë kurrë përgjegjësitë profesionale dhe ligjore ndaj vendit tënd.

Ky duhet të jetë parimi themelor i vlerave dhe standardeve morale që duhet të kenë dhe respektojnë të gjithë të përzgjedhurit në institucionet kushtetuese të vendeve të tyre.

Këto parime dhe standarde etike janë shumë të rëndësishme sidomos për reputacionin publik të institucioneve të pavarura. Detyra themelore e çdo qeverie është të reduktojë në maksimum paqartësitë dhe pasiguritë për zhvillimet politike, ekonomik e sociale. Bankat qendrore kanë një rëndësi të veçantë për reduktimin e pa sigurive dhe paqartësive, prandaj reputacioni i tyre publik duhet të jetë një vlerë e shenjtë dhe e pacenueshme.

Në rrënjën e skandaleve dhe rreziqeve potenciale, në rrënjët e keq qeverisjeve të bankave qendrore, në rrënjët e risqeve që cenojnë reputacionin e tyre publik qëndrojnë:

  • risku i kapjes së bankave qendrore nga interesa të errëta;
  • arroganca e paditurisë në drejtim;
  • shkelja e parimeve të qeverisjes së mirë;
  • mos qartësimi i kompetencave;
  • mos respektimi i tyre kur ato janë të qarta;
  • mos kontrolli i përmbushjes të drejtave;
  • mos respektimi i përgjegjësive në çdo nivel të bankave qendrore;
  • shantazhimi direkt dhe i indirekt i çdo punonjësi që ngre një shqetësim profesional apo një problematike konkrete dhe,
  • keq përdorimi i mandateve drejtuese për ofrim bonusesh, jo vetëm financiare kujtdo që nënshtrohet ose nuk ngre shqetësime kur problemet janë të prekshme dhe me pasoja ligjore për vetë ata, siç ndodhi me skandalin e fundit të Bankës së Shqipërisë. (https://www.bloomberg.com/…/latvia-scandals-pose-a-test-for)

Reputacioni i lartë publik i Bankës së Shqipërisë është domosdoshmëri kritike. Kjo, sepse skandalet e saj të mëparshme të ripërsëritura, për nga periodiciteti i përsëritjes së tyre dhe i përmasave relative, janë të pa ndodhura në bankat qendrore as edhe në Ballkan.

Në konceptin e analizës bazuar tek risku i reputacionit publik, i cili në thelb mban parasysh historinë e (keq) qeverisjes se bankave qendrore, duhet të jemi të vetëdijshëm për sfidat prioritare dhe të rëndësishme me të cilat duhet të ballafaqohet Këshilli i ri Mbikëqyrës.

Kjo sepse rënia e reputacionit publik të bankave qendrore zvogëlon efektivitetin e hartimit dhe zbatimit të politikave monetare, cenohet transparenca e politikave të burimeve njerëzore, transparenca dhe eficienca e hartimit dhe zbatimit të buxhetit të saj, cenohet investimi me efektivitet maksimal i burimeve humane, materiale dhe financiare.

Pritshmëritë e influencuara edhe nga reputacioni publik kushtëzojnë kursimet, shpenzimet dhe investimet individuale dhe të biznesit. Përmirësimi i pritshmërive duhet të jetë një nga sfidat kryesore te Këshillit të ri Mbikëqyrës, por ajo nuk është e vetmja për të rritur reputaconit publik të BSH-së.

Në rritjen e mirë-qeverisjes së bankave qendrore mund të kontribuosh brenda saj, por edhe nga jashtë saj. Seancat e dëgjimit, hetime të thelluara të komisioneve parlamentare të ekonomisë për kreditë e këqija dhe kostot direkt dhe indirekt që paguajnë taksa paguesit nga performancat e dobët të bankave qendrore dhe korrupsioni në bankat tregtare,aktiviteti i të cilave licencohet, rregullohet dhe mbikëqyren nga bankat qendrore, janë bërë gjithnjë e më të domosdoshme. Kjo edhe për shkak të miliardave të humbura gjatë krizës financiare 2008, kostot e së cilës direkt ose indirekt u rënduan taksapaguesve dhe depozitues, shumë prej tyre me të ardhura të pakta dhe që kursejnë për mbijetesën e tyre në pjesën më të vështirë të jetës së tyre.

Detyrimi në rritje për mirë qeverisjen e bankave qendrore duke rritur transparencën ka rrëzuar statusin “mister” të Bankave Qendrore, ku justifikohej se rritja e transparencës mund të dëmtonte efektivitetin e tyre.

Detyrimi i rritjes së transparencës se bankave qendrore sot është bërë një prioritet për mirë funksionimin institucioneve të cilave u është dhënë/deleguar një pushtet i pa zgjedhur. (http://www.centerforfinancialstability.org/…/Tucker_Unelect…)

Një model pozitiv për ruajtjen e reputacionit publik të bankave qendrore është Avokati i Popullit/Ombudsman në BE si një mbikëqyrës kritik i rritjes së transparencës së Bankës Qendrore Evropiane/ECB/BQE.https://www.ombudsman.europa.eu/en/home

Në 5 janar 2018 ai i kërkoi z. Mario Draghi, presidentit të Bankës Qwndrore Evropiane të bënte transparencë emrat e anëtarëve të grupit (G30), me të cilet takohej në mënyrë periodike në takime të mbyllura. https://www.ombudsman.europa.eu/en/recommendation/en/88592

Ombudsmani shqetësohej se pjesëmarrja e z. Draghi në këtë grup mund të minonte besimin e publikut në pavarësinë e BQE-së. Ai theksonte se e pranon interesin publik në angazhimin e presidentit të BQE në takime me pjesëmarrësit e tregut, por thekson se anëtarësimi në ndonjë organizatë, shoqëri apo klub nënkupton domosdoshmërish një marrëdhënie më të ngushtë ndërmjet atyre që marrin pjesë në aktivitetet e tyre, se sa do të ishin në format e tjera të angazhimit të palëve të interesuar.

Sidomos pas krizës globale 2008 në disa vende, po diskutohet rreth paaftësisë së bankave qendrore për të paralajmëruar dhe parandaluar krizat. Në Shtetet e Bashkuara diskutohet që hartimi i politikës monetare t’i kalojë Kongresit, ndërsa Fed-it t’i mbetet implementimi i saj.

Por gjetjet e studimit afatgjata mbi pavarësinë e bankave qendrore argumentojnë se ruajtja e pavarësisë së bankave qendrore ka pasur efekte pozitive në ekonomi, ndërsa shkelja e kësaj pavarësie konsiderohet një përkeqësim i dobisë së funksioneve thelbësore të bankave qendrore.

Një model pozitiv për ruajtjen dhe rritjen e reputacionit publik të bankave qendrore sapo vjen nga SHBA Bloombergku me humor shkruhet se Jerome Powell (shefi i Fed) ndoshta nuk ka marrë një kartë të Krishtlindjeve nga Shtëpia e Bardhë këtë vit. Bloomberg thekson: “Por duke lënë mënjanë nevojën e bankës qendrore për të mbrojtur pavarësinë e saj nga Trump, rritja e normës ishte thjesht masa e duhur për ekonominë.”

Deficiti demokratik i institucioneve të pa votuara, ku përfshihen bankat qendrore, entet rregullatorë dhe mbikëqyrëse, mund të reduktohen vetëm duke rritur përgjegjësinë morale dhe ligjore dhe duke përmirësuar rrënjësisht cilësinë e mbikëqyrjes së tyre. Për të arritur këtë, kushti i parë është rritja e transparencës së tyre. Parakushti themelor është rritja e reputacionit të tyre publik. [email protected]