Prof.Dr.Agron Fico: “Blloku” i Isuf Kalos dhe misteret e Enverit

934
Sigal

Përqasja e figurës së Ahmet Zogut me atë të Enver Hoxhës, më duket anti-historike

Libri “Blloku” i Isuf Kalos, dhe misteret e Enver Hoxhës

Ramiz Alia kaloi kulisat e intrigave djallëzore, manovroi me shkathtësi dhe arriti të bëhet “krye-burri i Shqipërisë

Prof. Dr. Agron F. Fico HC

Poeti ynë klasik, Lasgush Poradeci, sa herë që e pyesnin se çfarë është kultura, poeti i mençur iu përgjigjej me një fjalë, librat. Libri “Blloku i Prof. Dr. Isuf Kalos është para së gjithash një vepër kulture, ndonëse mbart edhe cilësi të tjera. Mik librash dhe si lexues i përhershëm i tyre, po ndaj me lexuesit disa mendime dhe përshtypje për librin “Blloku” të doktor Kalos.

Sfida e autorit me lexuesin

Një vëmendje të veçantë meritojnë, sado shkurt, debatet dhe diskutimet për librin. Ato mund të klasifikohen, sipas mendimit tim, në disa grupe.

-Një grup do të përfshinte nostalgjikët e regjimit të kaluar monist, të cilët e kritikojnë autorin se nuk e ka dhënë Enver Hoxhën sipas dëshirës dhe mendimit që ende ruajnë për të, si “marksist-leninist i madh”, si “Skënderbe i epokës socialiste” etj.

-Grupi tjetër, të persekutuarit, të cilët në regjimin diktatorial iu nënshtruan një trajtimi të egër, që nga internimi gjer te pushkatimi dhe varrosja në gropa masive ose në vende të paditura etj. Këta duan të mos ia dëgjojnë as emrin Enver Hoxhës ose, kur shkruhet për të, të nxihet gjithçka në figurën e tij udhëheqëse dhe të vizatohet si kriminel mbi kriminelët, diktator stalinist, shkaku i të gjitha të këqijave të vendit etj.  -Grupi i tretë, që edhe pa e lexuar librin, vetëm duke dëgjuar pjesën e dytë të titullit, të kopertinës së librit “mjeku personal i Enver Hoxhës” e shajnë dhe e mallkojnë autorin Isuf Kalo sipas modelit gjuhësor të deputetëve të parlamentit tonë, ose “kolltuko-fagëve”, siç do t’i cilësonte Fan Noli i madh. Ky grup e mallkon doktor Kalon edhe sipas stilit gjuhësor të arkeologut N. C., duke parafrazuar nga Kurani i shenjtë: “Të vraftë Zoti! Të zëntë sytë buka e Perëndisë, buka e Partisë!”

Brezi i shoqërisë shqiptare që nuk e ka jetuar regjimin monist dhe nuk është edukuar me “mësimet e partisë dhe shokut Enver Hoxha” mban një qëndrim më të matur. Një mikeshë e familjes, Sh. M., vajza e një partizani trim nga fshati Rabie, Tepelenë, më thoshte se “Mirë ka bërë doktor Isuf Kalo që ka shkruar historinë e Bllokut, se nuk e dinim dhe as që e merrnim me mend jetën plot qejfe dhe kënaqësi të tyre, ndërsa prindërit tanë për një shishe qumësht ose një pako gjalpë zinin radhën nga mesi i natës gjer në mëngjes, kur vinte furnizimi në dyqan, se mos mbarohej.”

E vërteta subjektive

Isuf Kalo në librin “Blloku” ka shprehur publikisht dhe me guxim qytetar mendimet, kujtimet, reflektimet e veta për Bllokun dhe njerëzit e tij. Ai pra, ka thënë të vërtetën e vet, të vërtetën subjektive. Ati i historisë moderne amerikane, Artur Shlesinger, ka shkruar “I try to write about myself as if I were writting for someone else. All history is subjective.” Arthur Shlesinger Jr. (Mundohem të shkruaj për veten time sikur të shkruaja për dikë tjetër. E gjithë historia është subjektive.) Në një vështrim tërësor, ky qëndrim, ky vlerësim publik ndaj librit Blloku, tregon për mungesë të kulturës, kulturës qytetare, por kryesorja është se shqiptarët parapëlqejnë mitet, janë mitomanë, madje edhe kur këto mite mungojnë, i sajojnë vetë dhe i shpërndajnë si legjenda.

Libri Blloku i Isuf Kalos përfshin rreth 107 ndarje dhe ka 625 faqe, pra është e pamundur në një ese gazete të trajtohet tërësia e çështjeve për të. Kam banuar rreth 20-30 metra larg Bllokut, te ajo që quhej rruga “Miqësia”, dhe kaloja pothuajse përditë para murit rrethues të Bllokut; asgjë nuk pipëtinte dhe as që mund të merrej vesh jeta e fshehur luksoze e pashallarëve të kuq, që drejtonin Shqipërinë. Është merita dhe një prurje e veçantë e librit të Isuf Kalos “Blloku” që “rrëzoi murin e Bllokut” dhe na la ta shohim “lakuriq mbretin dhe mbretërinë.. Me të drejtë autori shpjegon se në ditët e sotme, të një pluralizmi të theksuar të shoqërisë, “… Për shqiptarët ekziston vetëm e bardha ose e zeza, e mira ose e keqja, pa të ndërmjetmen.” (F. 502.) Ndofta këtu ka qenë vështirësia dhe sfida më e madhe e autorit, d.m.th. me cilën anë të jetë. Dhe ai zgjodhi të ndërmjetmen. Kjo shpjegon dhe interesin e madh të lexuesve.

E gjithë e vërteta

Ne shqiptarët nuk jemi komodë me të vërtetën. Në betimin që kam bërë për t’u pranuar qytetar amerikan m’u dha formula “E vërteta, gjithë e vërteta dhe vetëm e vërteta”, që është edhe betimi para çdo seance gjyqësore në Shtetet e Bashkuara. Natyrisht që në pajtim me lirinë e fjalës dhe të mendimit në një shoqëri demokratike kam shprehur edhe disa mendime të ndryshme nga ato të autorit, pavarësisht nga mendimi që kam për njeriun e mirë dhe mjekun e njohur, doktor Isuf Kalon. Kështu, përqasja e figurës së Ahmet Zogut me atë të Enver Hoxhës, edhe pse jam i biri i një oficeri të mbretërisë, më duket anti-historike. Madje, edhe përmendorja e Zogut në fund të shëtitores më duket e pamerituar. Aty është mirë të vendoset përmendorja e atit të pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemalit. Përmendorja e Skënderbeut në krye dhe ajo e Ismail Qemalit do të formonin pikat kardinale të historisë sonë kombëtare. Në Amerikë në revistën “Periphery” (1998) kam botuar një shkrim me titullin “Albanian Challenge”(Sfida shqiptare) në të cilin kam thënë se udhëheqësit e Shqipërisë në shekullin e kaluar kanë lindur në inkubatorë, pra të pazhvilluar plotësisht. Madje ata kanë lindur me mami të huaja që nuk e dinin dhe as nuk e njihnin ADN-në shqiptare. Këta tipa ndikoheshin lehtë prej mamive të huaja që i sollën në jetë, në pushtet dhe u kanë shërbyer atyre. Kështu më radhë: Ahmet Zogu (Pashich – serbët), Enver Hoxha (Miladin dhe Mugosha – jugosllavët), Sali Berisha (E. B. – amerikanët). Ata nuk merakoseshin për fatet e popullit shqiptar, por punonin etshëm për pushtetin e tyre. Siç thonë filozofët amerikanë, “The love of power is love for yourself.”(Dashuria për pushtetin është dashuria për veten)Te libri “Blloku shqiptarët do të mësojnë “të ndërmjetmen” nga një dëshmitar i pranishëm gati në të gjitha ngjarjet madhore të asaj periudhe historike, të njohur me emrin “shoqëria socialiste”, por mbi të gjitha do të mësojnë për bëmat e udhëheqësve të saj. Ata janë të gjithë bashkë në Byronë Politike, por në fakt të pabesë me njëri-tjetrin, siç provoi fundi tragjik i shumë prej tyre. Enver Hoxha mban përgjegjësinë kryesore.

Ramiz Alia, krye-burri i shtetit

 Në libër, në një mënyrë ose një tjetër, gjen shumë figura të jetës politike të atyre viteve, por autori Kalo ka në qendër Ramiz Alinë dhe Nexhmie Hoxhën. Ramiz Alia ishte sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste për ideologjinë. Ai i ngjiti majat e karrierës njëra pas tjetrës, shkallë pas shkalle, por më shumë e ndihmoi fati. Pak herë kam pasur rastin ta takoj dhe më kishte lënë përshtypjen e njeriut të mirë, të qetë dhe të kulturuar. Merita e tij paska qenë se në kulisat e intrigave djallëzore për pasardhësin e Hoxhës ai manovroi me shkathtësi dhe arriti të bëhet edhe “krye-burri i Shqipërisë”. Me statusin e shefit të propagandës dhe agjitacionit, kuptohet që vendin kryesor do të zinin letërsia, arti, kultura dhe masmedia në propagandimin e vijës ideo-politike të partisë dhe të mësimeve të Enver Hoxhës dhe mbrojtja e tyre nga shtrembërimet revizioniste dhe kapitaliste.

Arti, letërsia dhe kultura në Shqipëri, në pushtetin e diktaturës së proletariatit, u zhvilluan sipas teorisë së estetikës marksiste-leniniste, sipas modelit sovjetik. Kjo teori, d.m.th. estetika sovjetike, erdhi në Shqipëri për herë të parë me librin e A. Uçit me titull “Realiteti, jeta dhe arti”. Madje erdhi në formën më të ashpër, zhdanovizmit. Estetika marksiste-leniniste u bënë Bibla dhe Kurani për shkrimtarët dhe artistët. Në një kuptim, kjo estetikë u bë feja zyrtare e krijuesve të artit dhe të letërsisë, që kishte fuqi ekzekutive. Largimi nga parimet e kësaj teorie shoqërohej me pasoja nga më të ndryshmet, që nga ndalimi i botimit ose ekspozitës e gjer tek përjashtimi nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, burgosja, internimi, ekzekutimi e varja në litar. Shkrimtari Mehmet Myftiu, DEBATIK-asi 12-vjeçar që u kap në një aksion gueril në Tiranë nga trupat gjermane, i dënuar me vdekje në kampin e Prishtinës, nga ku shpëtoi rastësisht, u internua nga regjimi komunist se nuk pranoi pasaportën që i ofruan që të studionte estetikën marksiste në Moskë. Shkrimtarin tonë të shquar, Ismail Kadare, e kritikuan dhe e paralajmëruan për shkrimet larg metodës së realizmit socialist dhe me frymë revizioniste. Poemën “Pashallarët e kuq” Enver Hoxha e quajti manifest armiqësor. Romani “Dimri i vetmisë së madhe” u shoqërua me kritika, me mesazhe dhe letra për ndalimin e tij, se kishte frymë liberale. “Shto ndonjë frazë, si për shembull ‘Rroftë Partia’”, e këshillonte miku i vet Drago Siliqi Kadarenë, “se për romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur kanë caktuar ta recensojë shkrimtarin Z. S.” Festivali i 11-të në radio-televizion u cilësua si përpjekje armiqësore. Todi Lubonja dhe Fadil Paçrami u ndëshkuan rëndë. Madje edhe Ramiz Alia u vu nën zjarrin e kritikave të ashpra të Mehmet Shehut, por Enver Hoxha e shpëtoi. Nga ky qëndrim kontradiktor, na thotë Kalo, mësojmë për rivalitetin e ashpër për të qenë pasues i Hoxhës. Ramiz Alia, si udhëheqësi kryesor i sektorit ideologjik, organizoi një veprimtari të gjerë me forma nga më të larmishmet që të bindte shqiptarët se “Uji del i pastër nga lart”, nga udhëheqja, “por turbullohet poshtë”, në bazë! Ky ishte një mashtrim, se uji, vija politike, ishte e gabuar, e turbullt dhe e ndotur.

Prishja e krushqisë me Kinën – akt i gabuar

Pas prishjes së marrëdhënieve me Republikën Popullore të Kinës dhe ndërprerjes së të gjitha marrëveshjeve ekonomike, ushtarake etj. gjendja ekonomike e vendit shkoi në prag të varfërisë së tejskajshme dhe urisë. Kësaj gjendjeje iu shtua edhe marrëzia e tufëzimit të plotë të bagëtive. Në Plenumin e Komitetit Qendror të Partisë, në fjalimin e Mehmet Shehut, me një ton solemn dhe të lartë, deklarohej se “Ky është një zhvillim krijues origjinal i teorisë ekonomike marksiste-leniniste nga udhëheqësi ynë i madh, shoku Enver Hoxha…”Asaj ekonomie të varfër iu dha grushti i fundit me marrëzinë e tufëzimit të plotë të bagëtisë. Shqiptarët u vunë para alternativës që më mirë të “hanin bar”, se të tradhtonin marksizëm-leninizmin. Ramiz Alia e kishte për detyrë funksionale, si i thonë, t’i shpjegonte popullit këtë kurs të ri, barin marksist si ushqim. Prishja e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me Kinën ishte e gabuar. Madje edhe Ramiz Alia, në një farë mënyre, e ka pranuar këtë gabim. Në vitet ’60 të shekullit të kaluar jetoja dhe punoja në kryeqytetin kinez Pekin, ku më kishin dërguar si profesor për hapjen e katedrës së gjuhës shqipe, e cila gjatë këtyre 6 dhjetë-vjeçarëve është rritur dhe është shndërruar në një qendër të Albanistikës. Ajo është e vetmja qendër Albanistike në kontinentin e Azisë. Kështu ato vite pata rastin të shoh nga afër thelbin e këtyre marrëdhënieve të gjithanshme midis Shqipërisë dhe Kinës. Edhe pse përgjegjësinë kryesore për këtë prishje e ka Enver Hoxha, jashtë përgjegjësisë nuk mbeten as ambasadorët shqiptarë në Pekin, të cilët i dërgonin Enver Hoxhës të dhëna të llojit që sot quhen “fake news”(lajme të rreme). Ambasada jonë në Pekin më shumë i ngjante një bunkeri sesa një qendre informacioni dhe marrëveshjeje. Ambasadorët ishin besnikë, ish-partizanë trima, por atyre u mungonte kultura e duhur dhe stofi diplomatik.. P.sh., a i shkruanin Hoxhës se në Kinë kishte liri mendimi, që shprehej me parullën “Le të lulëzojnë njëqind shkolla, le të lulëzojnë njëqind lule”? Ose a guxonin t’i shkruanin Enver Hoxhës se Mao Ce Duni kundërshtarët politikë nuk i burgoste dhe as i vriste? Tri herë e dënoi dhe e dërgoi në një qytet industrial në veri të Kinës Ten Hsiao Pinin, atë që do të bëhej më vonë udhëheqësi i një Kine të pasur; kurse gardistët e kuq e detyruan presidentin Liu Shao Çi të jepte dorëheqjen, por e izoluan në një vilë në qytetin piktoresk në Hanxhou etj. Meraku i Enver Hoxhës se Partia Komuniste e Kinës dhe Mao Ce Duni kishin tradhtuar marksizëm-leninizmin, se kishin lidhur marrëdhënie me imperializmin amerikan, ishte pa baza dhe dritëshkurtër. Madje, edhe në ditët tona udhëheqësi Xi Jinping i bën thirrje rinisë ta studiojë marksizmin.

Dhuna, më brutale në kampin socialist

 Doktor Isuf Kalo te Blloku shkruan se “Enveri përdori dy mekanizma për ruajtjen dhe forcimin e pushtetit:

  1. Bindjen përmes propagandës dhe
  2. Dhunën. Përvoja shqiptare e mbajtjes së pushtetit thuhej, se ishte më brutalja në kampin socialist.” Dhëmbi i çeliktë i diktaturës më kafshoi edhe mua me familjen. Pasojat ishin të rënda dhe të dhimbshme. Më degdisën në një shkollë nate mekanike në rrethinat e Tiranës për edukim në gjirin e klasës punëtore dhe u vura nën vëzhgimin e Sigurimit të Shtetit si “agjent i imperializmit amerikan”. Jo vetëm unë, por ishte dënuar e gjithë familja. Vajzën e madhe, Albanën, që kishte mbaruar studimet në fakultetin e mjekësisë me diplomën “Shkëlqyer” e dërguan të punonte në fshatrat e Kukësit, ndërsa ime shoqe u propozua të shkonte të punonte në prodhim. Ishin vite psikologjikisht të vështira dhe shumë të vështira. Miq, shokë, të njohur dhe të afërm nuk më flisnin, ndërronin rrugën.

Brenda një jave u thinja, u mpaka dhe u plaka nga stresi dhe izolimi

Publikisht kam deklaruar, se pavarësisht nga këto vuajtje nuk e kam mbajtur dhe as nuk e mbaj veten, as si viktimë dhe as si hero, se do të lëndoja dhe fyeja ata shqiptarë që lindën dhe u rritën në burgje e kampe internimi mes torturash të pamasa fizike dhe psikike. (Agron Fico, Gazeta “Illyria”, nr. 1593, datë 27-30 tetor 2006, f. 28.)

Vetëm e vërteta

Autori i “Bllokut nëpër rreshtat e librit, por edhe në paragrafë të veçantë, vë në dukje arritjet e pushtetit popullor, veçanërisht në fushën e ekonomisë. Hidrocentralet, kanalet vaditëse e kulluese, hekurudhat, fabrikat dhe kombinatet, kërkimet shkencore, operacionet kirurgjike, romanet, operat, madje edhe tunelet dhe bunkerët etj. i bënë qytetarët që i shërbyen vendit me përkushtim e patriotizëm. (Po aty, f. 599.) Të gjitha këto, siç kemi përmendur edhe më lart, u shoqëruan me zhvillimin e një lufte të ashpër klasash, me mungesë të plotë të çdo lirie politike dhe individuale, me një jetë plot frikë dhe ankth, me një dhunë brutale, që nga internimet e burgosjet e gjer tek vrasjet. Libri “Blloku” i Isuf Kalos është një vepër polifonike, në të gjinden dhe përzihen shtresa gjuhësore dhe stile të larmishme, që nga ato të karakterit historik, të prozës poetike – përshkrimi i marrëdhënieve romantike të gjimnazistit Qemal Stafa me nxënësen Nexhmije Xhuglini, ose skena shekspiriane si ajo e seancës së fundit për dënimin e Kadri Hazbiut etj., e gjer tek ato të stilit mjekësor (dukuri sëmundjesh, prognoza mjekësore, mjekime, probleme e shërbime ambulatore etj.) Isuf Kalo për 30 vjet ka qenë mjek personal i Enver Hoxhës, i privilegjuar. Doktor Kalo ishte vetë Blloku. Megjithatë është për t’u admiruar integriteti i lartë intelektual, guximi qytetar dhe i sinqertë që ai publikisht dhe disa herë në mënyrë të përsëritur kërkon ndjesë publike. Ai e di mirë se katarsisi i shpirtit bëhet përmes ndjesës njerëzore dhe hyjnore. Është e rrallë, tepër e rrallë gjer sot të kërkuarit ndjesë publikisht për privilegjet e pamerituara, për krimet dhe dënimet e padrejta. Isuf Kalo dëshmon se është specie individuale e racës shqiptare që gëzon edhe statusin e një xhentëlmeni danez. Ky virtyt etik, pra të kërkuarit ndjesë publike, merr një kuptim edhe më të thellë sot, kur dëgjojmë dhe shikojmë se mjaft pinjollë të udhëheqjes së lartë të djeshme janë bërë opinionistë, analistë, që ngjiren e shkumëzojnë duke sharë diktaturën e djeshme dhe i bëjnë ‘hosana’ anarkisë sociale sot në vend. Libri “Blloku” duket qartë se është hartuar nga një “usta” librash; në të gjen referime, citate dhe tituj librash që nga Aristoteli i Greqisë antike e gjer te Konfuci i Kinës së lashtë. Titujt e këtyre librave të përmendura po t’i mbledhësh formojnë një bibliotekëz të tërë. Libri “Blloku” i doktor Isuf Kalos, mjekut personal të Enver Hoxhës është një prurje e re e librit të përzgjedhur të bibliotekës shqip. Ky botim provon se edhe në Shqipërinë tonë mund të shkruhen dhe të botohen libra të cilësisë dhe nivelit evropian.

Epilog

 “Blloku” -n e lexova në Pogradec, kohë pushimesh. Aty hodha në letër edhe skicën e këtyre mbresave për librin. Një ditë bashkë me gruan, Lirinë, shkuam për një kafe në të shumë-përfolurën Drilonin magjik, ku pushonte muajt e verës Enver Hoxha dhe mjeku personal, Isuf Kalo. Ndërsa po kalonim në një nga urat e drunjta mbi liqenin e vogël dhe unë po admiroja mjellmat lozonjare, pa vënë re se Liria po më fotografonte me smartphone, vetëtimthi m’u fanit në kujtesë varka legjendare dhe varkëtarët e hareshëm. Ata ishin familjarët e Enver Hoxhës, familjarët e Isuf Kalos dhe Sali Berisha. Të gjithë ishin mbledhur me sebepin e 40-vjetorit të doktor Isuf Kalos. Kjo fotografi është lakuar dhe lakohet, sidomos kur temperatura politike në Tiranë rritet mbi mesataren e zakonshme. Intelektualë dhe të njohur të mi kanë shprehur habinë që dokor Isuf Kalo nuk e ka përfshirë tek “Blloku” këtë fotografi që tashmë ka marrë edhe vulën historike. Ndërsa po largoheshim nga Voloreka për në hotel Enkelana dhe po ecnim buzë liqenit, Liria papritur më tha: “Më dukesh i ndryshuar dhe i menduar, siç të ndodh edhe sa herë shkojmë në Gjirokastër!”