Porti Durrsit do tu jepet Arabve

700
Sigal

Analizë nga Gëzim Zilja: Vizita e Kryeministrit Rama në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe lajmi se “ miqtë arabë” do na japin 70 milion USD për rindërtimin duket si një afër  pas të cilës fshihen interesat ekonomike dhe anti-kombëtare për dhënien e Portit të Durrsit për Jate dhe zhvendosjen e tij në Porto Romano. Porti i Durrsit kryen 78% të tregtisë detare dhe është një pikë kuçe që lidh Detin Adriatik me Mesdheun, me Detin e Zi dhe Europën. Pse mbahet sekret shitja e Portit, goditja e biznesit dhe pse mungon Strategjia e Sigurisë Kombëtare Detare ?

Ditë më parë Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin Arben Ahmetaj, u kthyen nga Emiratet e Bashkuara Arabe me lajmin e bujshëm se ky vend do të japë 70 milionë dollarë për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti. Madje si kurrë ndonjëherë, me një shpejtësi të pazakontë, pamë përfaqësuesin arab në Shqipëri bashkë me kryeministrin, në vendin ku do të ndërtoheshin mbi 2.000 apartamente. Rama nga ana e tij nuk harroi të ritheksojë se miqtë e largët do të ndërtojnë portin e jahteve, aty ku sot është porti i Durrrësit, ndërkohë që Porti i Durrësit do të zhvendoset në Porto Romano. Kaq iu është thënë shqiptarëve nga kryeministri për këtë pasuri me vlera të shumëfishta. Kryeministri nuk dha asnjë shpjegim nëse këto 70 milionë dollarë janë dhuratë neto,  janë marrë borxh apo janë kapar (paradhënie) për blerjen nga “miqtë” arabë, të Portit të Durrësit. Për të kuptuar rëndësinë e portit të Durrësit (Investimet gjatë tri dekadave në këtë port kalojnë qindra milionë dollarë) po jap shkurt disa të dhëna paraprake zyrtare: Pozicioni shumë i favorshëm gjeografik e bën portin e Durrësit portin më të madh në Shqipëri dhe ndër më të mëdhenjtë në detin Adriatik dhe Jon, një nyje shumë të rëndësishme për tregun ndërkombëtar. Infrastruktura operacionale e tij përbëhet nga 11 kalata me një thellësi kalate që varion nga 7.5m-11.5m. Mallrat kryesore që përpunohen e magazinohen në port janë mallrat të tilla si: rifuxhio të thata, rifuxhio të lëngshme, mallra të përgjithshme, kimikate, mallra të rrezikshme, plehra kimike, konteinerë, ro-ro, ngarkesa të rënda etj. Importohen mallra si miell, grurë, çimento, karburant, materiale ndërtimi, qymyr, mallra ushqimore, konteinerë.  Eksportohen  mallra si: mineral kromi, ferro-krom, skrap, konteinerë, klinker, mallra të përgjithshme etj. Porti i Durrësit kryen  78% të tregëtisë detare në nivel kombëtar.
Ai është gjithashtu një vendndodhje kyçe për rrjetet e trageteve dhe tranzitin e pasagjerëve, duke i dhënë Durrësit një pozicion strategjik në lidhje me Korridorin VIII, që do lehtësojë tranzitin e pasagjerëve dhe mallrave në kontinentin Europian. Porti i Durrësit administrohet nga Autoriteti Portual Durrës (DPA,) që është përgjegjës për planifikimin e strategjisë dhe hartimin e planeve të ndryshme për zhvillimin e Portit të Durrësit, duke marrë parasysh interesat e industrisë së portit, biznesit, dhe të tregtisë. Në dokumentin e Strategjisë së Sigurimit Kombëtar (SSK) botuar nga Ministria e Mbrojtjes në korrik 2014, për domosdoshmërinë strategjike thuhet: “SSK është dokumenti më themelor planifikues për sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë…” Për portin e Durrësit theksohet: “Nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik do të arrihet duke nxitur projekte strategjike për ndërtimin e një aksi të rëndësishëm ndërkombëtar që lidh një port në bregun shqiptar të Detit Adriatik (Mesdheun) me Detin e Zi, përmes lidhjes rrugore, hekurudhore, energjetike dhe të telekomunikacionit.” Nga këto detyrime ligjore të shkruara dhe veprimin e kryeministrit, marrëveshja me Emiratet duket aferë e dyshimtë dhe jo me interes kombëtar sepse:
E para: A është kjo shitje apo dhënie me qira e Portit të Durrësit, (i përcaktuar si një qytet, brenda qytetit të Durrësit)  në në përputhje me Strategjinë e Sigurimit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë? A është pyetur DPA-ja, komuniteti durrsak, lidhur me këtë veprim të kryeministrit dhe gjithë grupet e interesit duke përfshirë specialistë, inxhinjerë lundrimi, ndërtimi, arkitektë, ekonomistë, etj, etj?
E dyta: Sa do të jetë kosto e zhvendosjes dhe e rindërtimit të portit të ri dhe kur fillon e mbaron ndërtimi i tij?
E treta: Pse nuk ndërtohet porti arab i jahteve në Porto Romano, në Bisht-Pallë apo Triport të Vlorës?
E katërta: Porto Romano nuk lejon ndërtime kalate më shumë se 200m, është shumë më i cekët se Porti Durrësit dhe nuk i plotëson kushtet për një park industrial dhe ankorimin e anijeve të tonazhit të rëndë. Si do të zgjidhen këto probleme dhe sa do të jetë kosto e thellimit dhe mirëmbajtjes së portit të ri?
E pesta: Çfarë kapaciteti do të ketë porti i jahteve (është thjesht parking) dhe nga do gjenden këto anije qejfesh që do të parkojnë pikërisht në Durrës, kur bregdeti grek me ishujt, bregdeti dalmat dhe sidomos ai Italian, janë të mbushura me porte të tilla. E kemi një port jahtesh në Vlorë dhe ai nuk mbushet kurrë as në dimër e as në behar?
E gjashta: Pse Shqipëria nuk ka ende një Strategji të Sigurisë Kombëtare Detare?
Shtesë 1. Për Marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë pozita dhe opozita shpallën tradhëtare njëra-tjetrën. Ndërkaq ne e kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata e Strasburgut nuk është zoti mbi tokë. Edhe atje luhet me lobingje si kudo në forumet botërore dhe Greqia është më e favorizuar. Po le të bëjmë “sehir” e mos nxitohemi në parashikime.
Shtesë 2. Dokumenti për Strategjinë e Sigurimit Kombëtar përpilohet çdo pesë vjet. Ai i vitit 2014 ka skaduar në 14 korrik 2019.  Dokumenti i ri ende nuk ka dalë. Kjo tregon mungesë përgjegjësie dhe amatorizëm në drejtimin e shtetit.
Shtesë 3. Dëshiroj shumë, që kjo marrëveshje të jetë një tollumbace elektorale e kryeministrit. Sa për dhurata e  zemërgjërësi të “ vëllezërve arabë” unë nuk besoj. Arabët janë “baballarët e tregëtisë” dhe kurrë nuk investojnë qoftë një dollar, pa fituar tre të tillë.