Paraja, bankat dhe shoqëria

684
Sigal

Akad. Prof. Dr. MUZAFER KORKUTI

Një Enciklopedi e vërtetë dhe e thelluar në dorë të kërkuesit shkencor dhe lexuesit të thjeshtë

Nisur nga veprimtaria e gjerë dhe cilësore botuese e profesorëve Aristotel Pano dhe A kademikut Anastas Angjeli, nga përmbajtja e librit, nga trajtimi i parasë (veprimtarisë monetare) dhe bankave në vështrimin historik shkencor, të lidhur dhe në harmoni me epokat e zhvillimit të shoqërisë, domethënë që nga fillesat, format e para, deri në ditët tona, e kam shfletuar e lexuar me kënaqësitë veçantë, me bindjen se leximi i thelluar do të ishte me shumë vlerë edhe për mua si “lexues i kualifikuar”.

Kur historiani dhe ekonomisti bashkërendojnë punën në studimet e tyre, përfundimet e arritura janë me solide. E theksova këtë aspekt sepse në shumë trajtesa e studime, qoftë të historianëve apo të ekonomistëve, vihet re njëanshmëria në këndvështrimin e periudhave historike. Ndërsa në  këtë botim, ky bashkëpunim është më se i arrirë. Prandaj dëshiroj të theksoj në fillim, se është meritë e autorëve Angjeli e Pano që procesin e lindjes e zhvillimit të parasë, e kanë parë e shtjelluar në kontekstin historik e shoqëror të çdo epoke.

Kësisoj, libri është ndërtuar mbi një strukturë të saktë e të logjikshme. Prandaj “udhëtimi” në faqet dhe rreshtat e tij, është sa i veçantë dhe tërheqës, aq dhe interesant, realist i pasur dhe i argumentuar, historik dhe shkencor, informues dhe i dobishëm, me bazë të fortë për fushën, temën dhe çështjet që trajton. Ai është ndarë në 9 kapituj dhe çdo kapitull në përputhje me përmbajtjen është ndarë në çështjet përkatëse, të cilat ndihmojnë në shtjellimin e trajtimin logjik dhe harmonik historiko shkencor të veprës në tërësi. Duke u bazuar në kriterin kronologjik, kreu I i kushtohet fillimit të sistemeve para monetare, kalimit nga këmbimet në natyrë, në formën e parave primitive, duke u ndalur te sistemi monetar i mbretërisë së Lidias, i cili përbën shembullin më të mirë të procesit të lindjes e prerjes së monedhës.

Në kreun II, trajtohet sistemi monetar i Greqisë antike, duke u ndalur në karakteristikat kryesore të etapave të ekonomisë e të marrëdhënieve monetare e financiare në periudhën antike greke; në zhvillimin e ekonomisë e të sistemit financiar e monetar në qytet-shtetet kryesore, si: të shtetit të Eginës e të Korinthit, duke vazhduar më tej në sistemin monetar të mbretërisë së Aleksandrit të Madh (siç shihet autorët kanë trajtuar veprimtarinë monetare të qytet-shteteve më të rëndësishëm të mbretërive kryesore).

Me pas, në kreun III, shtjellohet sistemi monetar i Romës së lashtë duke iu përmbajtur periudhave përkatëse historike: Ekonomia dhe monedha në periudhën e mbretërive të Romës, sistemi monetar në periudhën e Republikës dhe sistemi monetar e veprimet bankare në kohën e Perandorisë Romake.

Udhëtimi shkencor në historinë e parasë dhe te bankave vazhdon me trajtimin e sistemit monetar të Perandorisë Bizantine, sistemi monetar i Perandorisë Otomane, sistemin  monetar dhe veprimtaria bankare në Evropën Perëndimore të shek. V-XVI, zhvillimin e sistemit monetar dhe bankar në Evropën Perëndimore gjatë shekujve XVI-XIX, bankat qendrore dhe sistemi monetar në fazën e globalizimit të ekonomisë botërore gjatë gjysmës së parë të shek. XIX, dhe në kreun IX, të fundit, trajtohet sistemi monetar ndërkombëtar dhe institucionet e tij . Ashtu sikurse autorët kanë bërë të qartë, që në hyrje të këtij botimi, synimet e studimit të tyre, ata ja kanë dalë me sukses dhe kanë arritur plotësisht të japin, të shtjellojnë e të parashtrojnë lindjen,  zhvillimin, e përsosjen kohë pas kohe të funksionit e rolit të parasë, të këtij instrumenti të fuqishëm që i dha jetë, ndikoi e ndikon në vazhdimësi në zhvillimin dhe rritjen ekonomike dhe në tërë veprimtarinë bankare botërore.

Libri “Paraja, banka dhe shoqëria”, siç është cilësuar edhe në nëntitull Bashkëudhëtimi historik që nga fillesat deri në kohët moderne, i përmbahet kriterit tematik e kronologjik, duke e dhënë procesin e lindjes, të zhvillimit të sistemit monetar dhe bankar në epoka të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë dhe duke marrë si bazë disa nga vendet më të rëndësishme të botës, duke u mbështetur në studimet e historianëve, të arkeologeve, të numizmateve, vendas dhe te huaj, si dhe të studiuesve të historisë së ekonomisë shqiptare, në veçanti, e të asaj botërore në përgjithësi. Gjithashtu, siç theksohet nga vetë autorët në parathënie, “në studim pasqyrohen jo vetëm ndryshimet materiale në llojet e monetave, por edhe ndryshimet e funksionet e tyre në secilën etapë të zhvillimit të ekonomisë, me të gjitha shfaqjet përkatëse të cikleve ekonomike, të ndryshimeve të fuqisë blerëse të monedhës e të institucioneve të tjera, si normat e interesit, madhësia e investimeve, e punësimit me dukuritë përkatëse të inflacionit, të deflacionit e, për rrjedhojë, edhe të ndikimeve në shoqëri”. “Një vlerë tjetër e shtuar e veprës është aparati i gjerë e i plotë bibliografik, i shoqëruar me citime e literaturë bashkëkohore dhe me nje aparat te gjere e te pasur statistikor. Treguesi i termave dhe i emërtimeve kryesore, si edhe hartat, fotot përkatëse të përdorura sjellin një nivel të lartë komplementar dhe argumentues të çështjeve dhe të ideve që janë trajtuar duke plotësuar e rritur    në mënyrë të ndjeshme vetë përmbajtjen e librit, dhe e bëjnë të lehtë për të kuptuar e vendosur në kohë e hapësirë kur e ku kanë ndodhur ndryshimet përkatëse të Parasë”  Pa u ndalur më tej në detajet e vlerat që ka botimi i kësaj vepre, të cilat do ti vënë në pah shumë mirë ekspertët, ekonomistët, historianet, mendoj se: Vepra “Paraja, banka dhe shoqëria… Bashkëudhëtimi historik që nga fillesat deri në kohët moderne”, e prof. A. Panos dhe akad. A. Angjelit është një enciklopedi e plotë, e thelluar dhe një libër bazë për të gjithë ata studiues, që dëshirojnë të çojnë më tej kërkimet e dijet në këtë fushë. Ai, gjithashtu vlen edhe si manual për ata pasuniversitarë që mjaftohen me leximin e literaturës së detyruar, e rrjedhimisht mbeten me dije të kufizuara.

Dhe, së fundi, ky botim është me vlerë edhe për faktin e thjeshtë se, pasi e lexon dhe njihesh me historinë 3000-vjeçare të parasë e të bankave, të lind natyrshëm mendimi dhe pyetja: po në të ardhmen si do të jetë ecuria e parasë dhe e bankave! Pikërisht për këtë, nisur edhe nga zhvillimet e post krizës financiare globale të vitit 2008, në këtë botim hidhet dritë në zhvillimet e reja  monetare, në veçanti për të ashtuquajturat “Criptomonedhat”, çfarë po ndodh dhe çfarë pritet të ndodhë me to, fenomene me shumë interes në kohën e sotme në jetën e tregjeve financiare. Kështu,  në historinë e lindjes së monedhës (parasë) e të bankave, ky botim i zgjeruar është një vlerë e shtuar, një kontribut shkencor i ri, i cili trajton e zgjeron në mënyrë të plotë e me kritere historiko-shkencore procesin e lindjes, zhvillimit dhe rolin e gjithanshëm të sistemit monetar dhe bankar të vendit tonë, e atë botëror që duke u i shtohet veprave te veçanta të kësaj natyre. botuar.

Falënderime e përgëzime profesorëve të nderuar Pano e Angjeli që u  dhatë një vepër të tillë lexuesve dhe gjithë te interesuarve.