Nonda Buxhuku: Kujtesë ISSH-së: Barazoni pensionet !

236
Sigal

 

Për pensionet e aplikuara nga 1.10.1993 deri më 31.12.1996, koeficenti të llogaritet midis pensionit maksimal të sotëm me atë maksimal në fund të vitit 2015, kur u bë shtesa e fundit. Dhe me këtë koeficent shumëzohet individuale për të dalë te pensioni i ri i barazuar.

Pensioni i plotë minimal i pleqërisë në qytet është sot 14449 lekë dhe ai maksimal sa dyfishi, ose 28898 lekë, sipas aplikimeve deri më 31 dhjetor 2014, para reformës së pensioneve. Por, duke përjashtuar pensionet minimale, që pavarësisht nga periudha kur janë aplikuar, janë të gjitha të barabarta, pra 14449 lekë. Pensionet ndërmjetëse (midis pensionit minimal dhe atij maksimal), të aplikuara deri më 31 dhjetor 1996, janë me diferenca akoma edhe sot ndaj atyre të aplikuara pas këtij viti. Pra pikërisht për këtë kategori pensionesh bëhet fjalë në këtë shkrim, ku kërkohet barazimi i tyre.

Po si dhe kur lindën këto diferenca? Për të ruajtur raportin e drejtë midis pensioneve minimale dhe atyre maksimale, që sipas ligjit të sigurimeve shoqërore ky raport deri më 31 dhjetor 2014 ka qënë 1 me 2. Duhej që çdo rritje apo indeksim të bëhej në përqindje të barabartë. Në fakt, duke filluar nga viti 1991 deri në vitin 2000, në shtatë-tetë raste, rritja e pensioneve, u bë e diferencuar. Kështu, pensionet minimale janë rritur në përqindje më të lartë. Pensionet e mesme janë rritur më pak, ndërsa ato më të larta janë rritur shumë pak. Në këtë mënyrë u krijuan shpërpjestime dhe diferenca, aq sa po kalohej drejt barazimit të pensioneve. Nga kjo politikë rritje e diferencuar, raporti i pensioneve nga një me dy, që duhet të ishte, më 30.3.2000, arriti 1 me 1.19 ose nga: 4400 lekë, që ishte pensioni minimal, në atë kohë pensioni maksimal ishte 5242 lekë, kundrejt 8800 që duhet të ishte. Arriti deri aty, sa masa e pensionit të mjekut, të ishte e barabartë me atë të infermieres dhe sanitares.

Para një gjendjeje të tillë kaotike në masën e pensioneve, qeveria socialiste në atë kohë, vendosi që nëpërmjet disa ndërhyrjeve (faza siç u quajtën), diferencat e krijuara të zbuteshin hap pas hapi, deri në barazimin e tyre të plotë, pra pavarësisht se në çfarë periudhe ishin aplikuar ato.

Janë bërë deri tani 6 ndërhyrje për ngushtimin e diferencave të kategorive dhe periudhave të aplikimit të pensioneve. Ndërhyrja e parë u bë sipas vendimit të Këshillit të Ministrave numër 104, datë 9.3.2000, ku përfituan shtesë pensioni të gjithë pensionistët që kishin dalë në pension të plotë pleqërie me ligjin e vjetër të sigurimeve shoqërore deri më 30.9.1993. Ndërsa ndërhyrja e gjashtë u bë në vitin 2015, ku përfituan shtesë pensioni të gjithë pensionistët, që kishin dalë në pension nga 1.10.1993 deri më 31.12.1996. Por edhe me këto ndërhyrje, diferencat e krijuara nuk janë eliminuar plotësisht. Ato kanë akoma diferenca afërsisht në masën 3.41 deri 3.5 përqind ndaj pensioneve të aplikuara nga viti 1997 deri në fund të vitit 2014: ose në lekë, diferenca varion nga 493 lekë për pensionin më të ulët përfitues në 986 lekë për pensionin më të lartë (maksimal). Kjo për pensionet e aplikuara deri me 30.3.1993, ndërsa për pensionet e aplikuara nga 1.10.1993 deri në 31.12.1996 është diçka mbi 1000 lekë.

Pra, duhet edhe një ndërhyrje tjetër për eliminimin përfundimtar të diferencave dhe barazimin e pensioneve pavarësisht nga koha kur janë aplikuar ato. Dhe nuk është se kanë mbetur shumë pensionistë me këto diferenca. Edhe qytetari që ka dalë në pension 1996 (viti i fundit me diferenca), është sot 85 vjeç. Ata që kanë dalë në pension para vitit 1996 dhe jetojnë akoma kuptohet janë edhe më të mëdhenj.

Sipas Institutit të Statistikave persona me moshë 85 vjeç e lart, në të gjithë vendin tonë janë rreth 26000 veta. Po të zbresim 50% që jetojnë në fshat dhe 60%, që janë me pension minimal që nuk përfitojnë shtesa ngelen afërsisht rreth 5000 veta.

Në rastin e një ndërhyrjeje të re për zgjidhjen përfundimtare të diferencave në pensione, zgjidhet me këtë rast edhe një problem tjetër që ka lindur në zbatim të VKM  numër 319 datë 13.5.2005 “ Për zbutjen e diferencave të pensioneve”, ku bëhej shtesë pensioni për personat që kishin dalë në pension deri në vitin 30.9.1993. Sipas këtij vendimi, pensioni i plotë maksimal nga 12365 lekë që ishte, bëhej 14038 lekë me një shtesë prej 1673 leke ose 13.53%. Me këtë përqindje duhej që të rriteshin edhe pensionet e ndërmjetme. Në fakt, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, gaboi në llogaritje. Filloi me shtesë 0.28%( për pensionin më të ulët) me rritje graduale deri në 13.59% për pensionin më të lartë (maksimal). Me këtë llogaritje të gabuar u dëmtuan më shumë pensionet e ulëta duke u zbutur me rradhë pensionet e mësipërme deri te pensioni maksimal që mori shtesën e plotë. Edhe pse u kap në kohë ky gabim llogaritje dhe u premtua për t’u korrigjuar, asgjë nuk është bërë deri edhe sot duke rënduar në xhepat e pensionistëve më të moshuar dhe duke thelluar më tej diferencat midis pensioneve të ndërmjetme.

Me qëllim të evitimit të ndonjë gabimi tjetër të mundshëm në llogaritjen e barazimit përfundimtar të pensioneve, veprimet për çdo pensionist që përfiton, mund të bëhen fare thjesht nëpërmjet koeficentëve. Kështu, për pensionet e aplikuara deri më 30.9.1993 mjafton të pjestojmë pensionin maksimal, që është sot me pensionin maksimal që ka qënë në fund të vitit 2000 ( kohë kur u bë shtesa e parë e pensioneve) dhe do të kemi një koeficent rritjeje. Me këtë koeficent shumëzohet çdo pension individual përfitues për të dalë te pensioni i ri, i barazuar. Për pensionet e aplikuara nga 1.10.1993 deri më 31.12.1996, koeficenti të llogaritet midis pensionit maksimal të sotëm me atë maksimal në fund të vitit 2015, kur u bë shtesa e fundit. Dhe me këtë koeficent shumëzohet individuale për të dalë te pensioni i ri i barazuar.

Pensionistët e mbetur, që përfitojnë nga barazimi i pensioneve nëpërmjet një ndërhyrjeje të fundit, kanë besim për një zgjidhje të shpejtë nga organet përkatëse.