Në një shtet si ky, nuk ke më asnjë fije shpresë!! Gazetari thirrje BE-së: U jepni azil politik shqiptarëve…

639
Sigal

Gazetari Mentor Kikia në një postim në rrjetet sociale ka shkruar se Bashkimi Europian duhet t’u japë azil politik shqiptarëve sepse në një shtet si ky i yni nuk ka më asnjë fije shprese.

Kikia në postimin e tij shprehet se një betejë midis politikanëve të korruptuar po zhvillohet për të kontrolluar drejtesinë. Më tej ai shkruan se Shqipëria është vendi më i varfër dhe më i korruptuar në Europë.

Po ashtu ai thotë së zgjedhjet e gjykatësve janë edhe më qesharake sesa kur zgjidhnim si të ndanim portat, kur ishim fëmijë e luanim me top llastiku.

Postimi i plotë:

Viti 2019! Pragu i 2020! Shteti shqiptar, gati 110 vjeçar, është një orkestër tërësisht e ç’akorduar. Ose një ndeshje futbolli ku luhet me disa topa, dhe secili shënon gola për hesap të vet. S’ka Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë? Jo jo, është edhe më keq.

Zgjedhjet e gjykatësve janë edhe më qesharake sesa kur zgjidhnim si të ndanim portat, kur ishim fëmijë e luanim me top llastiku. Kishte më seriozitet, edhe kur vendosnim se ishte penallti. Në një listë prej 4 kandidatësh, parlamenti voton si gjykatës vendin 2 dhe 3. Meqë presidenti nuk e kishte dekretuar vendin 1, ai bëhej automatikisht. Presidenti vjen dhe dekreton vendin 4. Pastaj vendi 1 shkon dhe betohet si Gjykatëse Kushtetues tek noteri.

Pritet ta konfirmojë edhe administratori i njësisë bashkiake…. Në kuadër të kësaj rrumpalle, kryeprokurorja e vendit që kërkon një mandat të plotë tashmë, thotë publikisht se është e papolitizuar. Dhe si argument sjell se ka lëshuar urdhër arresti për Kajmakun e socialistëve të Vorës.

Urdhër arresti u lëshua pasi Kajmakut nuk i kishte ngelur më pikë yndyre, pasi ishte denoncuar publikisht, ishte bërë lekcë. U lëshua pasi e shkarkoi KQZ dhe pasi e përzuari edhe PS, që e bëri gazin e botës. Një betejë e tmerrshme mes politikanëve të korruptuar, për të kontrolluar drejtësinë, për ta përdorur si armë ndaj kundërshtarit apo si mburojë për veten.Në vendin më të varfër e më të korruptuar të Europës, shteti dëshmon me zë dhe figurë, tani edhe me noter po deshët, se është një organizatë kriminale.

Dhe BE duhet ta marrë seriozisht në konsideratë këtë fakt që ta njohë si arsye për tu dhënë azil politik shqiptarëve.

Po, kjo është një arsye edhe më e madhe sesa varfëria, për tia mbathur nga ky vend. Sepse kur je thjeshtë i varfër, ke shpresë se do të bëhesh më mirë. Ndërsa kur jeton nën një shtet si ky, nuk ke më asnjë fije shpresë.’’