Malaj: “Venecia” diagnostikoi sëmundjet politike të Qeverisë! Rimbyllja e vendit do prodhonte efekte të pallogaritshme

328
Sigal

Ish-ministri i Financave Arben Malaj flet në një intervistë për “STANDARD” mbi aktualitetin politik në vend si edhe zhvillimet e fundit sa i takon qëndrimeve ndërkombëtare mbi hapat e Shqipërisë për Integrimin. Po ashtu ai komenton edhe opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias mbi çështjen e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese ku theksoi se,: “Komisioni vuri theksin tek parimet jetike të demokracive funksionale që bazohen në ndarjen, balancën dhe kontrollin e pushteteve. “Venecia” i dha të drejtë Presidentit për qëndrimet e tij kushtetuese”.

Këshilltari strategjik për platformën dhe organizimin e Partisë Agrare Ambientaliste komenton gjithashtu edhe angazhimin e tij të ri politik pranë partisë së drejtuar nga Agron Duka, duke vënë në dukje synimet politike për zgjedhjet e ardhshme.

Ndërkaq ish-ministri i Financave analizoi edhe emetimin e eurobondit prej 650 milionë euro nga ana e qeverisë shqiptare në tregjet globale, ku tha se mungesa e transparencës ngre pikëpyetje jo të vogla për termat e marrjes së borxheve dhe përdorimin e tyre.

Nga ana tjetër, Malaj thekson se Shqipëria nuk duhet të përllogaris si opsion rimbylljen e saj si pasojë e rritjes së shifrave të të prekurve me koronavirus, pasi sipas tij, rimbyllja e cila do të prodhonte efekte negative të pa llogaritshme.

Intervistoi: Gëzim Saliu

Para pak ditësh u zbardhen zyrtarisht opinionet përfundimtare të Komisionit te Venecias mbi çështjen që krijoi një përplasje të fortë institucionale në vend, sic ishte ajo për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Cili është vlerësimi juaj për këtë opinion?

Kontributi i Komisionit të Venecias duhet vlerësuar shumë pozitivisht sepse vuri theksin tek parimet jetike të demokracive funksionale që bazohen në ndarjen, balancën dhe kontrollin e pushteteve.

Liderët me mentalitete dhe modele qeverisëse që synojnë pushtetin absolut e kanë bërë më të vështirë tranzicionin tonë. Ata kanë krijuar pengesa dhe vonesa në sfidat tona edhe kombëtare. “Venecia” i dha të drejtë Presidentit për qëndrimet e tij kushtetuese. Njëkohësisht “Venecia” diagnostikoi sëmundjet politike në mazhorancën qeverisëse.

Parlamenti Evropian nga ana tjetër kreu një votim, të paprecedentë në aktivitetin e tij, ku u zyrtarizua rezoluta me 15 kushtet ndaj Shqipërisë, për nisjen e negociatave me BE. Si e gjykoni këtë vendimmarrje të PE? Marrë se bashu kjo me apelet e forta të Budestagut, a gjykoni se ka një klimë në rritje të presionit ndërkombetar mbi Qeverinë?

Si studjues dhe lektor i integrimit evropain e ndjek nga afër këtë proces. Bazuar edhe në përvojën parlamentare dhe disa vite si kryetar i delegacionit shqiptar për bashkëpunimin me BE, ndjej trishtim për trendin përkeqësues të qeverisjes së vendit tonë.

Nuk kam parë asnjë rast tjetër ku të ketë pasur kaq shumë angazhim të europarlamentarëve dhe aq shume çështje kritike për keq funksionimin e demokracisë në vendin tonë. Nuk është koha për të vajtuar dështimet. Është koha që secili në raport me pozicionin në spektrin shoqëror e politikë shqiptar të ndjeë më shumë përgjegjësi dhe të kontribuoj për ndryshimet pozitive. Pa dyshim që pas korrikut presioni ndaj qeverisë do të rritet, kjo sepse presidencën e Këshillit Evropian e merr Gjermania e cila është inicuese e kushteve si një element për ta nxjerrë vendin nga kriza politike që konkretizohet edhe në krizen sociale dhe ekonomike të vendit.

Ndërsa palët siguruan një marrëveshje për reformën zgjedhore në Këshillin Politik, debati ka ngecur te kompozimi i KQZ. Ju si e shihni çështjen e reformës dhe sa do ndikojë ajo në gjykimin tuaj në minimizimin e atyre që tashmë edhe ndërkombetarisht njihen si “krime zgjedhore” ( dosjet “339” dhe “184”)

BE dhe SHBA kanë vite që i kanë kërkuar Shqipërisë të çrrënjos kulturën e mos dënimit. Korrupsioni dhe kapja e shtetit po grryen rritjen ekonomike dhe rrezikon stabilitetin e financave publike.

Deri tani asnjë rast dënimi edhe pse dihen mirë që partneritet publike private preferenciale që do tju kushtojnë taksapaguesve shqiptarë qindra milion euro, janë abuzime. Krimi politik duhet të dënohet ashpër, pasi aty nuk vidhet vota, vidhet e ardhmja e një kombi. Nga krimi elektoral lind krimi politik dhe nga krimi politik ushqehet korrupsioni dhe kapja e shtetit. Dy dosjet duhet të gjykohen sa më parë, zvarritja e tyre apo hedhja e topit nga një gjykatë në tjetrën mund të penalizojnë hapjen e negociatave.

Personalisht jeni angazhuar në një sfide të re politike duke u bashkuar me Partinë Agrare Ambientaliste. Cilat jane synimet e kesaj force politike për zgjedhjet e ardhshme dhe çfarë ju kërkoni te arrini në aspektin personal?

Ne aspektin personal nuk e kam kushtëzuar me asgjë angazhimin time për ta punuar me drejtuesit dhe anëtarët e PAA që ajo në zgjedhjet e 2021 të jetë parti parlamentare.

Besoj shumë se kredibiteti publik i z. Duka dhe ekipit të tij politike ku përfshihen edhe personalite shkencore në fushen e buqjesisë dhe ambienit, mbeshtetja e PAA nga të Gjelberit evropian dhe mbi të gjitha mundësia e re që PAA ju ofron votuesve shqiptare, kjo forcë do të rezultojnë parti parlamentare në 2021. PAA në parlament dhe qeveri mund që të kushtezoi reformat politike për një demokraci funksionale dhe reformat ekonomike pro ekonomisë të gjelbert, pro fermerëve, pro zhvillimit të qendrueshëm rural dhe pro kohezionit dhe solidaritetit social të dëmtuar shumë rëndë nga keq qeverisja e Ramës dhe nga pasojat negative të tërmetit të 26 nentorit dhe pandemia.

Si e vlerësoni emetimin e eurobondit prej 650 milionë euro nga ana e qeverisë shqiptare në tregjet globale?

Të gjithë ekonomistët e pranojnë se rënia ekonomike nga krizat si tërmeti dhe pandemia do të sjelë rritje të papuneve, rritje të varfërve dhe rritje të borxheve. Por shqetesimi i studjuesve të krizave financiare është se kur paraja ka kosto të lirë qeveritë humbasin sensin e përgjegjësisë, bëhen dorë shpuara në projekte që nuk sjellin një efekt konkret pozitive për një rritje më të lartë, më vibrante ndaj krizave dhe më e ndershme në raport se sa përfitojnë prej saj të papunët, te varfrit, te paaftët për shkaqe shëndetësore.

Sot nuk flitet thjeshtë për ndihme ekonomike, sot diskutohet për poltika efikase që ndihmojnë arritjen e nivelit të mbështetjes direkte dhe indirekte, jo vetëm me paketa buxhetore por me me shumë mundësi pune dhe të ardhura më të mira. Së bashku këto politika duhet të rritin dinjitetin ekonomik të shqiptarëve.

Eurobondi u rrit nga 600 milion euro në fillim të vitit në 650 milion, çka nënkupton se qeveria mund të ketë tentuar të marrë 50 milionë euro kredi me kushte tregtare për ndërtimin e Teatrit Kombëtare.

Kjo është jo korrekte dhe krijon efekte negative, jo vetëm financiare. Po presim që qeveria të bëj deklarimin publik për eurobondin pasi afati zyrtar për të deklaruar termat financiare ishte 16 Qershori dhe për rreth 8 ditë taksapaguesit shqiptare nuk kanë asnjë informacion zyrtar nga qeveria.

Mungesa e transparencës ngre pikëpyetje jo të vogla për termat e marrjes së borxheve dhe përdorimin e tyre.

Ndërkohë që shifrat e të prekurve me Covid-19 kanë pësuar një rritje të forte në vend këtë muaj, Qeveria ka dhënë sinjale se përkeqesimi i gjendjes mund të na çojë në nj ri-karantinim. Cilat do ishin sipas jush pasojat e një mbyllje tjetër mbi ekonominë shqiptare?

Kryeministri Rama karakterizohet nga një arrogancë e pa justifikueshme në komunikimin publik dhe sidomos në parlament. Gjuha e tij në çdo rast është kërcënuese. Ështe fatkeqësi kur kryeministri nga burim optimizmi shndërrohet në burim frike për shkak të dhunes psikologjike dhe shtetërore. Ish presidenti amerikan Jefferson thekson se kur qyetarët kanë frikë qeverinë e tyre, kjo është tirani.

Kryeministri nga burim shprese shndërrohet në burim paqartësie dhe pasigurie. Shqipëria nuk duhet të përllogaris si opsion rimbylljen e saj, rimbyllje e cila do të prodhonte efekte negative të pa llogaritshme. Akoma më të mëdha do të jenë kostot në aspektin e shëndetit mendor, në rritjen e papunësisë dhe varfërisë, në renien me të thellë të ekonomisë dhe në rritjen më të lartë të deficitit dhe borxhit publik.

Kryeministri ka mandatin politik të ofroj zgjidhje, të mundesoi funksionimin e ekonomisë edhe në kushtet e krizave të vështira sic është edhe tërmeti dhe pandemia. Në të gjithë nuk duhet të tolerojmë në asnjë rast mos respektimin strikt të protokollet e mbrojtjes nga pandemia. Kërcënimi i Ramës se do të mbyllte serish ekonominë vrau shpresën për gjallerim të ekonomisë, shpresë e cila sapo kishte filluar të lind nga hapja graduale e ekonomisë në të gjithë vendet e botës.