“Lufta civile” dhe të vërtetat e krizës në Shqipëri

489
Sigal

Prof. Dr. Arben Malaj

 

Është e vërtetë që situata sociale dhe politike në vend është në krizë. Çdo përpjekje për të mos e pranuar krizën apo për ta fshehur atë e thellon dhe e bën më të gjatë krizën. Po kështu është e vërtetë që vazhdimi kësaj situate ku është bojkotuar parlamenti nga partitë opozitare, e dëmton jo pak ambientin ekonomik, social dhe politike të vendit tonë. Është e vërtetë që “viktimat” reale të kësaj mënyre të të bërit politikë janë qytetarët e thjeshtë të cilët në tranzicionin tonë të gjatë dhe të lodhshëm iu kanë dhënë dhe ri-dhënë mundësinë për t’i (mirë) qeverisur të gjitha partive politike dhe pjesës më të madhe të politikanëve aktualë.

Është ë vërtetë që shume prej tyre e kanë filluar si demokratë, por kanë udhëhequr në demokraturë.
Është e vërtetë që zhgënjimi është rritur sepse është rritur abuzimi me pushtetin.
Është e vërtetë që qeveritë janë bërë më arrogante, shikoni protestuesit e Astirit dhe dhunën e gjobave.
Është e vërtetë që kryetarët e bashkive dhe qeveritarët janë larguar nga hallet e njerëzve dhe janë afruar me qeverisjen me poza.

Është e vërtetë që, ndërsa në fazat e para të tranzicionit sundonte korrupsioni, më vonë është bërë kërcënues kapja e shtetit.

Është e vërtetë që shqiptarët janë të lodhur dhe të zhgënjyer dhe ata po zgjedhin më mirë të braktisin familjet dhe vendin e tyre të dashur, se sa të vazhdojnë të nëpërkëmbur.
Është e vërtetë që oligarkët po bëhen bashkë-qeverisës të vendit duke imponuar politika publike, projekte publike dhe fonde publike, aty ky ata pasurohen më shpejt, duke varfëruar më shumë klasën e mesme dhe duke e çuar në pragun e mbijetesës pjesën e varfër të shoqërisë.
Është e vërtetë që e ardhmja jonë mund të jetë më e vështirë nëse qeverisja prodhon më pak rritje ekonomike, më pak punësim, më shumë deficit dhe borxh tek individët, biznesi dhe ai publik
Është e vërtetë që qeverisja me borxh dëmton të sotmen. Me borxhe më të më mëdha dhe nesër më të rënda, mund të vështirësojë të ardhmen e gjeneratave të ardhshme.

Është e vërtetë që nuk ka gjë më të dhimbshme për çdo familje, për çdo vend, për çdo komb se braktisja nga fëmijët e tyre, të cilët ikin duke mallkuar politikanët, por me lot në sy për mallin për familjet dhe vendin e tyre.

Ka shumë të vërteta të hidhura, të cilat duhet të na zgjojnë nga gjumi.

Por, edhe pse është kjo situatë ashtu ka një të vërtetë të madhe

– Me apo pa thonjëza Shqipëria nuk është dhe nuk duhet të shkojë në konflikt civil dhe, aq më pak, në luftë civile.

Një politikan i nderuar si Z. Trajani, Presidenti aktual i parlamentit evropian, mund të mos e përmendte luftën civile në deklaratën e tij.

Pasi kjo deklaratë edhe me thonjëza mund të tingëllojë joshëse për radikalët dhe ekstremistët dhe si një mundësi për territore të reja. Kjo bëhet edhe më e ëmbël për ata që mbështesin apo parapëlqejnë opsionin e një pranvere shqiptare apo ballkanike.

Pranvera arabe nuk duhet të jetë një opsion për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Lufta kundër korrupsionit, lufta kundër kapjes së shtetit, lufta kundër lidhjeve me krimin e organizuar në ekonomi dhe politikë prodhon efekte pozitive më shumë se çdo ballafaqim civil.
Është e vërtetë që mungesa e eficiencës së institucioneve të forta, mungesa e shtetit ligjor ka ushqyer sëmundjet e rënda të demokracisë sonë.

Kultura jonë demokratike dhe politike, sado e dobët që është aktualisht, duhet të eliminojë dhe të mos ushqejë kurrë opsione te konflikteve apo “luftë civile”.

Në shekullin e 21-të asnjë objektiv politik nuk synohet të arrihet me konflikt apo luftë civile. Demokratizimi i informacionit, demokratizimi i pjesëmarrjeve te drejtpërdrejta të grupimeve politike ose shoqërore për ta përmirësuar qeverisjen e vendeve të tyre, janë “armët” demokratike shumë më efektive së konfliktet apo “luftërat civile”, të cilat lënë pas pasoja të rikuperueshme në ndarjet, politike që keqpërdorin ndasitë partiake, krahinore, etnike apo fetare.
Kundër paralajmërimeve edhe me thonjëza për konflikte apo luftëra civile, të gjithë faktorët politikë, akademikë, shoqërore dhe të biznesit duhet te angazhohen që me negociata, kompromise, konsensuse, me zgjedhje dhe rizgjedhje t’i largojnë retë e zeza në horizontin e të ardhmes euroatlantike të vendit tonë dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor.