Lavdosh Ferruni: Skandali që do prekë qeverinë në 2021

1023
Sigal

Vetëm pas 2 vitesh do shpërthejë skandali. Ndoshta edhe më herët, por deri tani ia kanë dalë ta mbajnë të mbuluar skandalin e madh të pritshëm. Në 2021 mbaron afati i koncesionit të inceneratorit të Elbasanit. Koncesionari në bashkëpunim me qeverinë ia kanë dalë që të kalojnë gati 5 vjet jo vetëm me heshtje të frikshme mediatike (shih p.sh., faqen e internetit te kompanisë https://www.albtek-energy.al/ ku mund të shikosh vetëm “së shpejti”), por edhe me monolog lëvdatash, si për shembull në takimin e disa ditëve më parë në Elbasan, kur kryeministri tha: “Elbasani… kthehet në platformën e vendosjes së një modeli të ri të mbledhjes së trajtimit të mbeturinave që ne pastaj do ta shtrijmë në gjithë Shqipërinë”. Në vitin 2021 autoriteti kontraktues i qeverisë do të marrë në dorëzim inceneratorin e Elbasanit.

Së pari, Shqipëria nuk ka një specialist të vetëm që të ketë njohuritë e mjaftueshme për të menaxhuar procesin e punës së një impianti djegie.

E dyta, inceneratori nuk punon. Koncesionari, edhe pse i merr lekët një më një nga buxheti i Shtetit, sipas kontratës së miratuar, edhe pse me ekspert italian që komandon nuk ka arritur të shesë asnjë KW energji elektrike, kështu që miti i një impianti që do pastrojë qarkun e Elbasanit dhe njëherazi do prodhojë miliona KWH energji elektrike tashmë ka rënë.

Mbetjet në Elbasan, si në gjithë vendin janë me fuqi të ulët kalorifike, janë me përmbajtje lagështie të lartë dhe mund të digjen me vështirësi, nëse shton në dhomën e djegies karburant me bazë fosile. Nga ana tjetër është alogjike nga ana ekonomike kur p.sh., 1 ton plastikë e paketuar kushton 300 Euro të ardhura për ton për ata që e grumbullojnë, ndërsa për djegien e plastikës duhet të paguash 30 e më shumë euro për ton.

A mund të ndodhë kjo?

A mundet individi që ka një mbetje të ndalohet ta kalojë atë në linjën e riciklimit, për të prodhuar sërish produkt plastike, letër tjetër, apo pleh organik, duke anashkaluar djegjen?

Brutalisht mund të ndodhë vetëm për një periudhë të shkurtër, por jo për 30 vjet, aq më tepër që edhe Shqipëria nuk mund t’i shpëtojë politikës globale aktuale të ekonomisë qarkulluese, që lidhur me mbetjet vendos riciklimin si primar, pas reduktimit të prodhimit të tyre.

Nëse Qeveria do arrijë të djegë mbetjet a do mundet të kontrollojë që helmet që prodhon djegia t’i eliminojë në kufijtë e standardeve të BE-së, ndërkohë, kur këtë nuk e bëjnë dot shpesh as vendet e zhvilluara, pasi ky proces është jo vetëm shumë i vështirë, por edhe shumë i shtrenjtë? Ajo që pritet që të ndodhë pas 2 vitesh është diçka si me TEC-in e Vlorës, për të cilin taksapaguesit shqiptarë kanë paguar mbi 100 milionë dollarë e vazhdojnë të paguajnë qindra mijëra të tjerë. Inceneratori do mbetet aty si një gërmadhë, si simbol; në rastin më të mirë të injorancës vendimmarrëse, me pasoja të forta për taksapaguesit. Mbetjet do vazhdojnë të grumbullohen në landfill, pa rrezikun e zjarrit, falë rrethimit. Shumica e qytetarëve, si edhe tani, për ca kohë akoma do vazhdojnë të jenë të kënaqur me shmangien e erës së keqe. Por skandali do shpërthejë edhe për një arsye tjetër. Si vëllai i inceneratorit të Elbasanit, po ndërtohet në Fier dhe është projektuar që të fillojë edhe i Tiranës, që për hir të së vërtetës, ky i Fierit, i vendosur në mes të Myzeqesë dhe i Tiranës, me një ajër të ndotur, jo vetëm që janë me kapacitet më të madh e janë shumë më tepër miliona të humbura, por do të kenë një impakt shumë herë më të madh në mjedis dhe në shëndetin e popullsisë, prej ndotjes së shtuar në ajër, në ujë, madje edhe në ushqime. A mund të shmanget skandali tani? Sot pjesërisht, po. Nesër jo.