Sigal

Kristo Mërtiri

Tranzicioni me sëpata, Ramiu Nga Luzati dhe nata…

Përsiatje nga cikli “Antiharresa”

Sa herë kaloj përmes Lukovës në Bregdet, sikur më zë të qarët, miku ynë! Nuk më bëhet të ndaloj makinën si dikur, apo të vendos plot kërshëri e kënaqësi pëllëmbën e një dore mbi ballë dhe të sodis ato brezaret e mrekullueshme me ullinj e agrume. Ama, dikur…kur të mbushej syri e shpirti me një dallgë gëzimi të veçantë, të zgjerohej kraharori dhe ishe gati të bije në gjunjë përballë asaj bukurie të rrallë mbi kodra e male. Bukuri me themele djerse e mençurie, përkushtimi e diturie. Një brez idealistësh la gjurmë të ndritura, gjurmë pune e atdhetarie. Mbaj mend një grup të madh me vizitorë të huaj, mbi tri dekada më parë, që e lodhën dhe gati e sfilitën përkthyesin shqiptar shoqërues me pyetje pa fund. E, mbi të gjitha, nuk e konceptonin dot atë rrjetin ujitës që i kish dalë zot çdo rrënje ulliri, portokalli, limoni e mandarine. Shkurt, nuk e përtypnin e as e kuptonin plotësisht shuarjen e etjes së mijëra pemëve frutore nga këmbët e kodrave buzë detit dhe gjer në majat me kurorë. Në çdo hap prekje nga afër jo pa krenari vrullin, mundin dhe sakrificat e rinisë shqiptare nga shkollat e universitetet, nga ushtria, punëtoria e bujqësia. Por edhe përpjekjet e këmbënguljen profesionale të specialistëve, që drejtoheshin me aq talent e zotësi nga shkencëtari i palodhur, Vasil Anagnosti. Një emër ky, që kujtohet e nderohet me dashuri e respekt nga Jugu në Veri. Emër që mbeti i gdhendur në historinë më të re të Bregdetit. Dje, sot dhe nesër !…Sepse aty hodhën rrënjë, jo vetëm fidanët e ullinjve që zinin mbi gjysmën e krejt tokës së mbjellë, por veç të tjerave, do të mbinte edhe një poezi e bukur e mikut tim të dashur, gazetarit e poetit të madh skraparli, Xhevahir Spahiu. “Shpërngulja e ullinjve nga fidanishtja”, shkruar mbi 35 vjet më parë:

“Bisqe ullishtesh të ardhshme !

Kur të shtegtoni nëpër kodra e brigje,

 kur luginave të thella të kullosni si kuaj,

 unë udhëtari do të ulem një çast

nën hijen tuaj.

 Era do të fryjë

e ju do të dridheni prej kulmit në rrënjë

 e mua do më duket sikur thoni:

-Nënë, o nënë !”…

E, kush nuk i ka kënduar kësaj peme të bekuar nga Perëndia dhe Njerëzia?! Në kohë lufte e në kohë paqe. Nëpër mote me shtëllunga resh e vetëtima, me diell e në cingërima. Kur shkova para ca kohësh në vendlindjen time të shenjtë, përjetësisht me shpatullat mbi gjunjët e malit Golik përballë Trebeshinës, si gjithmonë, ngadalësova hapin dhe kërkoja të shkelja si mbi gjurmë mushke a kali. Në të vërtetë, kërkoja zemërdridhur gjurmët e arta të Fëmijërisë, te arat e zhuritura për një pikë ujë në gurra, trëndafila e zaje, te shkozat e ferrat plot grifsha e mëllenja, te ai guri – sofat në Bregun e Kulunxhiut, te lisat e paprerë në vite rreth e rrotull Shën Mërisë që i bëjnë hije, freski e elegji pa fund motërzezës Frosinë (jo ajo e Janinës) që nuk arriti të bëhej as Doruntinë. E kërkonin ta hipnin në kalin e bardhë të nusërisë. Po ajo mbeti duke fluturuar mbi dafinat erëmira te Guri i Shkallës, në Piligrinë hone-rënkuar. 60 vjet kështu. 60 vjet që peshtanakët e vjetër e të rinj e pagëzuan dhe e thërrasin: Buza e Cocos! Toponim dhimbjeshumë…Dhe jo pak kroje flasin me shushurima sot e kësaj dite. Mirëpo, pa kaluar Curregën dhe Përroin e Faros, nuk mund të rrija pa u kthyer te shkolla ime e fillores, te foleja më e ngrohtë në botë. Atje ku nisëm udhëtimin e vërtetë të diturisë, një udhëtim sakrilegj e gati të pabesueshëm për fëmijët e nipat e mi aq të shtrenjtë dhe për brezat pasardhës. Mbi portën e shkollës era e Grykës së Këlcyrë-Mezhgoranit tund e shkund palët e Flamurit Kombëtar. Sa herë zbardhet sadopak nga lloha e vapa, Aljosha Jorgo e Josif Gjoka, sjellin një të ri nga Tepelena…Por veç ulliri i moçëm nuk kishte ndryshuar! Nuk i ra kurrë rrufeja, as sëpata e njeriut dhe as zjarri. Ulli që ka pritur e përcjellë qindra vogëlushë, bashkë me mësuesin e paharruar Stathi Kume etj. Në ato banka e në atë vatër të ngrohtë, këndova për herë të parë duet me Mjaftoninë e xha Jonuzit të dashur, këngën “Thëllëzat kur shkojnë përpjetë, thëllëzo !”. Dhe ulliri sikur na mbante iso e na përshëndeste degë më degë e gjethe më gjethe. I paprekshëm. Si tani,çdo tetor fillonte pjekja e kokrrave dhe çdo ditë na dukej se ndërronte kostumet shumëngjyrëshe. Copëz e pavenitur nga parajsa e fëmijërisë…Një meditimi të tillë nuk i shpëtova dot as pak ditë më parë në kryeqytet, teksa po dëgjoja ca shifra zyrtare tronditëse:Vetëm brenda një dy javori të shtatorit që iku, “janë djegur 1162 ullinj të vjetër e të rinj”(!). U shkrumbuan kullota, pyje, livadhe, tokë bujqësore, bazë ushqimore për bagëtinë etj. Nuk munguan paralajmërimet bajate “ligjore” si nga maja e Olimpit përballë kamerave e mikrofonave në Tiranë. Dhe arsyetimi komiko-tragjik shkon më tej: Meqenëse nuk ishin pjekur njerëz të gjallë por pemë e kullota, dyshimet vulosen me konkluzionin e prerë: “zjarret janë të qëllimshme”(?!). Apo me kaq lahen duart nga përgjegjësia shtetërore?! Pas asaj dite informative të thatë, e gjer më sot, asnjë kambanë nuk ra. Asnjë OJQ nuk proteston, asnjë media vizive dhe e shkruar nuk belbëzon. Ngrysemi e gdhihemi me politikë e opinione “Babalesh”. Ku hallet e popullit fukara, e ku “hallet” e partive politike dhe të medias rakitike! “Të zhduken 1162 rrënjë ullinj brenda dy javësh nuk është cikërrimë por ulërimë, miku ynë. Dikur në monizëm, për arsye e nevoja nga më të ndryshmet, të priteshin ullinj p.sh. sa gishtat e duarve, a e dini se kush duhej të merrte vendim? Vetëm Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë! Ku po shkojmë me këtë rrumpallhanë e kasaphanë të padëgjuar?! Sepse janë shkelur me këmbë edhe zakone e tradita të lashta në fshat e qytet. Fjala vjen, në nahijen tënde, vetëm një Rami nga Luzati merrte rrogën nga shteti si teknik për pyjet e pemët. Dhe zyrtarisht përgjigjej për disa fshatra. Nuk bënte asnjë lëshim antiligjor. Më shqip, nuk të falte apo të pranonte pazare të fëlliqura private. Ky nam i mirë u përhap kudo. Prandaj shkonte fshat më fshat, sy më sy, serioz e i ndershëm. Çdo situatë e prekte me dorë atje ku krijohej. Nuk mbajmë mend të dëmtohej a të pritej me sëpatë druvari ndonjë pemë. Ulli jo e jo, por as lisa, mollë, blirë a qiparisa. Po sot? Apo ku rafsha, mos u vrafsha!… Fasadat lumë, më tepër ushqejnë euforinë dhe hipokrizinë. Konkretisht, dikush mburrej publikisht me ca shifra në letër që ngjajnë me hirin e hedhur mbi sytë e opinionit të gjerë. Na bënte me dije “arritjet” e deritanishme dhe nuk na tha se përse importojmë deri 3 mijë ton vaj në vit e eksportojmë vetëm 10 deri 50 ton (?!). Ose më tej. “-Deri në fund të vitit 2012, numri i bimëve të ullirit i kaloi 4 milionë rrënjë dhe u prodhuan 25 mijë ton vaj, nga 20 në 1992…”. Por njerëzia nuk ha bar dhe as e ka kujtesën të shkurtër si këmbët e gënjeshtrës me bisht e pa bisht. Në fund të viteve ’80, Shqipëria jonë kishte rreth 6 milionë rrënjë ullinj! Ndërsa fillimet telendare e shkatërrimtare të Tranzicionit “demokratik” e katandisën me 3. 1 milion rrënjë(?). Hesapi është i qëruar. Një hata jo e vogël ra pa mëshirë edhe mbi pemët frutore. Dënglat e tanishme burokratike nga zyrat lokale e qendrore në rrethe e Tiranë (sot dhe dje), i rrëzon menjëherë realiteti i hidhur, denoncues e akuzues. Ministria përkatëse dhe degët e saj, mos vallë i bien shkurt: Ku shkoi lata, të shkojë edhe sëpata! Se “kasapët” e drurëve dhe pronarët e tyre “biznesmenë” të pashpirt, sot janë të kollarisur e milionerë të pistë. Dëgjoni dhimbjen e poetit për ullirin e prerë:

“I blertë në mëngjes

argjendar në mesditë

në muzg gushëpëllumbi.

Po ra dora

Dëbora

ra nata

sëpata.

Sytë e mi-

Dy gëzhoja plumbi”.

Qeveritë që vijnë e shkojnë serbes-serbes, të paktën të begenisin përvojën e Ramiut nga Luzati i Tepelenës ose kolegëve të tij. Përndryshe druvarët dhe zuzarët e parasë së qelbur do vazhdojnë t’u nxjerrin gjuhën ministrave të pagjuhë dhe vartësve të tyre memurë e pa mullë…