Sigal

Kristo MËRTIRI

Të jesh njeri i mirë është e lehtë; vështirë është të jesh i drejtë. Ky postulat i moçëm mbetet kurdoherë i ri dhe me tingëllimë aktuale. Për çdo të gjallë të kësaj bote të kokolepsur. Aq më tepër punonjësit e Drejtësisë, që populli i shikon në dritë të syrit dhe punën e tyre e prek përditë. Në qytet e në fshat, në çdo familje të kamur a të varfër. Prandaj u ka besuar peshoren më të shenjtë. Sidomos ju dhe vartësit tuaj që mbroni e përfaqësoni akuzën në emër të Shtetit, në emër të Kushtetutës së tij Demokratike. Sepse në fund të fundit, siç na thoshte shpesh dikur një akademik i shquar shkodran, “nuk mund të ketë asgjë të ndershme në jetë, në qoftë se ajo nuk përputhet me Drejtësinë”. Por unë po ua them qysh në fillim (megjithëse nuk njihemi hiç personalisht): Bëj pjesë te ata njerëz që shpresuan shumë tek ju, zonja Marku! Nuk fluturova aspak në tym pas tymuesve në Parlament, në median elektronike e atë të shkruar. Kam parë, kam lexuar e dëgjuar shumë kumbulla të pjekura e aguridhe për ju. Dhe nuk m’u mpinë asnjëherë dhëmbët! Besova dhe heshta mbi një vit. Sot nuk u kërkoj as qiqra në hell dhe as të vraponi pas berihasë. E, as më kanë hipur “xhindet” nga ndonjë zemërim e inat vetjak. Përkundrazi. Por heshtjen time në media, sikur e mbuloi rëndshëm e dalëngadalë një mjegullnajë zhgënjimi e dëshpërimi. Ishte heshtja juaj përballë disa skandaleve e hatave të djeshme e të sotme. Sinqerisht, nuk besoj t’ua kenë zënë të dyja bulçitë ende!…Le të vazhdojmë më konkretisht :

Së pari, mbi një muaj më parë (në një ditë të shënuar të jetës sime), u transmetua për publikun e gjerë një emision televiziv jo i shkurtër e me fakte tronditëse për ndërgjegjen e qytetarëve të ndershëm. “Kupa po derdhet, tani dëgjoni krismat e Prokurorisë në poligonin e ndjekjes penale”, thanë jo pa shpoti njerëzia aty për aty, por edhe me seriozitet. Dhe pritëm me ankth e pa ankth. Unë atë mbrëmje dhjetori (për arsye objektive) nuk munda ta ndiqja dot në detaje. Më vonë lexova e dëgjova ndonjë fakt ulërimë të padëgjuar më parë. Sepse shumicën i dija dhe i kisha bërë publike me kohë, por Drejtësia e shtetit tonë pluralist vazhdon të përpëlitet nën kthetrat e hajdutërisë politike. Fol, o gur, fol o mur! Prapë provova një shije të hidhur: Deri në çastet që po shkruaj, askush nga institucioni juaj, nuk bëzan! Heshtje totale e vrastare. Në cilën humbëtirë paska rënë zëri i përfaqësuesve të Akuzës në emër të Shtetit të së Drejtës?

Nuk e di nëse punonjësit e sektorit të marrëdhënieve me Publikun e Median, ua kanë zbardhur apo jo në letër. Po nuk u zbatua as kjo detyrë minimale, po ju bëj një kërkesë të hapur:

Ju lutem, më rezervoni një takim ndoshta të ngushtë a jo, si ta gjykoni! Në zyrën tuaj kam shkelur vetëm një herë, 16 vite më parë dhe në kushte të tjera, si funksionar në Kabinetin e Ministrit të Drejtësisë, Spiro Peçi (Njeri, jurist e ministër me integritet të lartë moral, profesional e qytetar të admirueshëm, që deri sot nga ai post nuk e ka konkurruar dot askush në cilësitë e tij të vyera). Nuk kam asnjë fije interesi pune, karriere, fisnore, shoqërie a miqësie. Më dalin e më teprojnë mbi 40 vjet me penë në dorë! Sa për dijeni, e kam paguar herët dhe më vonë koston e dashurisë time për Gazetarinë e pastër si drita e diellit. Shkurt, nuk jam yshtur nga askush për interesa meskine e partiake apo thjesht për t’i rënë teneqesë së ndryshkur me tymuese politike brenda e jashtë Parlamentit; as nga shtrungat këllirë të opozitës e mazhorancës. Më shkoqur, më dhemb gjer në kockë Shqipëria ime, Shqipëria juaj, hallemadhes që nuk iu sosën kurrë lëngimet krejt të pamerituara. Meqenëse jeni nga familje e persekutuar, po u citoj edhe dy vargje vetëtimë të bashkëfshatarit tim, shkruar pak orë para pushkatimit në fillimvitet ’60:

“E shkreta ti, moj Republikë

Në emrin tënd, të marrin jetën!”.

Është Trifon Xhagjika nga Gryka e Këlcyrë-Mezhgoranit, të cilin e takova për herë të parë dhe të fundit në shtëpinë e tij përdhese në kryeqytet, kur po përfundoja shkollën fillore në Peshtan e në ato banka ku kish mësuar edhe ai poet trim që s’po i gjenden ende eshtrat…

Së dyti, zonja Prokurore e Përgjithshme, kush e vuvosi institucionin tuaj përballë ngjarjeve që bombardojnë e shokojnë çdo shqiptar brenda e jashtë Shqipërizës sonë? Të kuptohemi, nuk duam temenara apo “qiqra në hell”! Mirëpo, njerëzia nuk janë as shurdh, as memecë dhe as qorra. Fjala vjen, deri kur do të tororisen, trallisen e engledisen vartësit tuaj rreth “bizhuterive të Tahirit”, të lakuara e zgjedhuara me aq vulgaritet e banalitet juridik nëpër media? Veçse një gjë nuk e lëkund bindjen time qytetare e profesionale: “Çështja e Saimirit” nuk mund t’i pastrojë kurrë gjirizet 30 vjeçare të Polit(h)ikës shqiptare pa kurrfarë morali… Bumerangu po duket sheshit! Sidomos përballë zyrtarëve e politikanëve të tjerë të lartë (të djeshëm e të sotëm), që rokanisin e gogësijnë këmbë përmbi këmbë nga vilat, pallatet, bizneset legale e ilegale, llogaritë e majme bankare, nga luksi i shfrenuar e verbues, realizuar me “rrogat” shtetërore (pasi vranë, poshtëruan, poqën e dogjën, vodhën sa e si deshën me soj e sorollop, duke sharë e mallkuar “komunizmin”. Një hipokrizi e pashoqe që të detyron të mbash hundën me dorë!). Të tillë menefregizëm (më e pakta) të prokurorëve mehmurë e ethebutë, nuk e honeps dot. E jo vetëm unë. S’jam kurrsesi për të bërë punën me yrrja-byrrja dhe jashtë çdo rregulli ligjor e moral. Por ama t’i bësh kapicë mjaft denoncime, siç janë ato nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit të Pasurive (kështu bëri edhe paraardhësi juaj), denoncime me emra e mbiemra konkretë majtas e djathtas, flet ashiqare për një korrupsion aspak të rafinuar a të djallëzuar. Ose “pushimi i çështjeve”, nuk është pushim a qepje e xhepave erërënda. A mund ta bëni transparencën e tyre publike, sipas shkresave zyrtare të Inspektoratit dhe si i kanë kullandrisur, bitisur e gremisur punonjësit tuaj ? Me adresa, jo me statistika e lesa! Taksapaguesit e thjeshtë tashmë janë velur me përqindjet burokratike e qesharake të zyrave rakitike. Madje u vjen për të vjellë kur dëgjojnë ende raportime të rrumbullakosura e të sheqerosura, qoftë edhe rrallë e për mall. Një status quo e neveritshme dhe tepër e vjetruar, pse jo edhe irituese për opinionin e gjerë besimthyer.

Së fundi, vërtet po të perëndon “ylli” i karrierës, zonja Marku apo është heshtje gënjeshtare përpara ndonjë furtune politike me shashka e pa shashka parlamentare? Ditët e fundit na thuhet tinëzisht, se pritet muaji shkurt a mars dhe do të bëhet nami a dita e qametit nga SPAK E BKH (iniciale që po ia bëjnë mendjen ujem miletit). Të tjerë konspirativë të thekur shprehen vesh më vesh, se ju nuk e hani atë kokërr ulliri për të hedhur ca byzylykë në duart e hajdutëve të pasur nëpër piramidën politike e shtetërore, sepse doni të siguroni një vend pëllumbash në kryeqytet! Ky lloj pragmatizmi pjellor a shtirak nuk na e mbush kollaj radaken. Por ndonjëri shkon edhe më tej: Besimi i Publikut po rrokulliset drejt nivelit zero (?!). Kjo dëshmi mua sikur më trondit e më lëndon realisht, veçse vërteton tërë ato pikëpyetje që vërshuan pa mëshirë qysh ditën e parë të punës tuaj. Por heshtja juaj i ka ushqyer pa hesap mjegullnajat e pa daravitura në qiellin e vrenjtur të politikës e medias. Komentet e tjera më duken si pesë me hiç. Apo të mërmërijmë atë urtësinë e njohur: “Shkurti shkurton urët, marsi ngre lëkurët!?” Pritmëria nga ju ka qenë jo e vogël dhe as vërë në ujë. Aq më shumë që po vije drejt e në majë nga një familje e thjeshtë e pa “shpatulla të ngrohta”. Por duhen këllqe të forta, guxim e trimëri përballë zullumqarëve në nivele të larta. Unë personalisht kam njohur e njoh mirë mjaft nga kolegët tuaj vartës. Ndoshta edhe më tepër se ju, falë punës 40 vjeçare në media. P.sh. nëse dëshironi një “peshore” origjinale e më të saktë se fjala “Vetting”, mund të vendosni për pak kohë në çdo derë prokurorie a gjykate shembullin e papërsëritshëm të juristit të paharruar, Xhevat Hana. Më besoni, ballafaqimi me pasurinë e tij me siguri nxjerr zbuluar shumicën e kolegëve tuaj prokurorë e gjyqtarë. Ai punoi gati 4 dekada dhe familja e tij (me 6 vetë në moshë madhore) banon sot e gjithë ditën në 70 metra katrorë. Më gjeni sot një të dytë që ka vetëm një apartament të vjetër e parafabrikat! Një model dinjiteti e ndershmërie. Si nuk kujtoheni xhanëm, të thoni dy fjalë të merituara për atë prokuror atdhetar e idealist të kulluar ?!…Sinqerisht, u përpoqa të jem vullnetmirë, i hapur e mirëkuptues. Sepse heshtja juaj po bëhet e padurueshme. Heshtje që nuk është aspak flori për vendin tënd e për vendin tim. Kur të themi “ Fol, fol ose…dorëzo kolltukun e postit të dhuruar!”, nuk duam të lajmë gojën. Dhe as të bëjmë hajgare, si ai deputeti i dikurshëm që rrinte gojëkyçur në Parlament. Kur po diskutohej buxheti i shtetit, çuditërisht, ngriti gishtin dhe kërkoi të flasë. Kryetari u befasua dhe ngriti zërin: -Tani e ka fjalën, zoti…-Unë desha të them, zoti Kryetar, të mbyllet një çikë ajo penxherja te krei, se bën konkurrencë me derën e hapur, e mos ftohemi…