Klajda Gjosha: “Timoni” i Ramës dhe qeveria e ‘tepsisë”

695
Sigal

Jakup B. GJOÇA

“Timoni” i Ramës nxjerr në pah fytyrën e vërtetë të qeverisë dhe “tepsisë” së saj

Unë e kam shprehur prej shumë kohësh skepticizmin tim për mundësinë e çeljes së negociatave. Nuk është një proces që mund të përmbushet nëpërmjet propagandës politike të mazhorancës

Klajda Gjosha, ish-ministre e Integrimit, deputete e LSI në intervistën për gazetën “Telegraf” shpreh mosbesim për mundësinë e hapjes së negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në BE, ndërsa për marrëveshjen Greqi –Shqipëri shprehet se çfarëdo marrëveshje të arrihet, duhet gjetur zgjidhje konform Kushtetutës. Zonja Gjosha nuk shikon asnjë vullnet politik të mazhorancës për të bashkëpunuar me Opozitën, por edhe paketa antishpifje e kryeministrit është përpjekje për t’i ndaluar me ligj Fjalën e Lirë opozitës.

– Zonja Gjosha, ish-ministri grek Kotcias deklaroi se me marrëveshjen me Shqipërinë, Greqia do të zgjerojë ujërat e saj territoriale. Pse nuk ka ASNJË reagim, as përgënjeshtrim nga qeveria jonë?

– Kjo është një pyetje që duhet t’i drejtohet qeverisë dhe është shumë normale që të gjithë ne në këtë vend të kërkojmë transparencë të plotë mbi bisedimet dhe negociatat me palën greke. Kjo është një çështje kombëtare, ndaj qeveria duhet të bëj shumë kujdes për të respektuar interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve si dhe të gjejë një zgjidhje të drejtë dhe konform Kushtetutës për të dyja vendet.

– Publikohen fakte që nga fondet sekrete të Ministrisë së Jashtme greke janë financiar edhe negociatorë të marrëveshjes Shqipëri – Greqi. A mendoni se janë cenuar interesat Kombëtare?

– Kjo është një çështje që i përket drejtësisë dhe duhet hetuar deri në fund. Mendoj se sot duhet të jemi të kujdesshëm për të dalë në konkluzione, por nga ana tjetër duhet të kërkojmë të vërtetën dhe të argumentojmë mbi fakte.

– A i ka institucionalizuar Opozita n akuzat për inkriminimin e Mazhorancës në Këshillin e BE-së? Reporteri për Shqipërinë tha, se ata nuk kanë fakte për Deputetin Balla?

-Unë nuk mendoj se faktet për inkriminimin e mazhorancës duhet t’i ketë Brukseli. Këto janë çështje të drejtësisë shqiptare, e cila duhet të tregojë seriozitet dhe paanshmëri. Disa cilësi këto që kanë munguar prej shumë kohësh në sistemin tonë të drejtësisë. Çështja e krimit të organizuar dhe lidhjeve që kanë me politikën nuk është ngritur nga opozita, por ka qenë një shqetësim i BE-së, më pas i zyrtarizuar edhe në strategjinë e zgjerimit publikuar në shkurt të këtij viti nga Komisioni Evropian.

– A mendoni se Shqipëria ka ende kohë të mjaftueshme deri në qershor 2019 të përmbushë kushtet e BE për të hapur negociatat?

– Unë e kam shprehur prej shumë kohësh skepticizmin tim për mundësinë e çeljes së negociatave. Nuk është një proces që mund të përmbushet nëpërmjet propagandës politike të mazhorancës. Ky është një proces letrash, transformimi, riformatimi, reformimi dhe modernizimi me qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë dhe përafrimin e standardeve me ato të BE. Kjo qeveri për fat të keq e ka braktisur prej kohësh qeverisjen e vendit, duke shkatërruar institucionet dhe duke çoroditur administratën publike. Integrimi nuk mund të kryhet pa kapacitetet njerëzore dhe kjo mungon sot më shumë se çdo gjë tjetër. Profesionistët kanë zgjedhur të largohen nga Shqipëria, pasi i mungon vlerësimi dhe siguria për pozicionin e punës. Reformat në të shumtën e rasteve janë përdorur për kapjen e pushtetit dhe jo për t’u vënë në dispozicion të qytetarëve. Muajt kanë ikur shpejt dhe, për fat të keq, asgjë nuk ka shkuar në favor të perspektivës tonë evropiane!

– Zonja Gjosha, tashmë që kryeministri e ka “Timonin” e qeverisjes i vetëm, a nuk e ka ai i pari përgjegjësinë politike për korrupsionin e ish-deputetëve socialistë tashmë drejtorë të përgjithshëm të institucioneve?

– Timoni më në fund ka nxjerr në pah figurën e vërtetë të qeverisë dhe tepsisë së saj. Problemi fillon me kreun e qeverisë dhe zgjedhjet e vetëdijshme në krye të institucioneve dhe më pas me sigurinë që kanë nga individë duke kontrolluar gjithë sistemin.

– A shikoni ju Vullnet politik që Shqipëria të hapë negociatat për anëtarësim në BE?

– Nuk shoh asnjë shenjë pozitive nga qeveria, asnjë tendencë për të kërkuar bashkëpunim dhe dialog me opozitën. Përkundrazi ligji i shpifjes i propozuar nga Kryeministri ka shkuar deri aty sa kërkon të heq të drejtën e opozitës dhe të qytetarëve për fjalën e lirë. Këto janë koncepte të rrezikshme diktatoriale që bien ndesh me thelbin e procesit të integrimit që është ndërtimi i demokracisë!