Kim Mehmeti: Mposhtja e ‘Rilindjes’ së Piktorit do të thotë fitore mbi nëntokën kriminale politike!

506
Sigal

Nga Kim Mehmeti:

Kudo nëpër “Shqiperitë” tona ndodh thuajse e njëjta: fati i popullit dhe shtetit varet nga burrështetasit që interes parësorë ‘kombëtar’ kanë të ardhmen e vet politike, çka edhe i bënë të pa kompromis në luftën që me çdo kusht të mbeten në pushtet. Pra shqiptaria mbeti në duart e trinisë që e përbëjnë leninistët në krye të BDI-së në Maqedoni, shtetshkatërruesit e ‘Klanit Pronto’ në Kosovë dhe, ‘Rilindësit’ e Piktorit në Shqipëri, e të cilët, duke pasur frikë nga të vërtetat për vetveten mëkatare, bëjnë çmos që edhe kritikave ndaj keqqeverisjes së tyre, t’u japin dimensionin e luftërave dhe inateve personale ndaj figurave të tyre ‘heroike’ e ‘atdhetare’,

Këtë të vërtet më së miri e shpalosë veprimi politik i Piktorit të ‘Rilindjes’, i cili ia doli që kritikat ndaj tij të mos duken si pasqyrim i mjerimit politikë që ka pllakosur Shqipërinë, por të tingëllojnë si inate personale ndaj madhësisë së tij ‘intelektuale’ e artistike. Dhe këtë e arriti sa nëpërmjet propagandës gebelsiane mediatike që përbuzte gjithë kundërshtarët e tij, poaq edhe i ndihmuar nga kritikët e tij që nuk merren me thellësinë e humnerës drejtë të cilës ai e çon popullin e vendin, por me dorën e vockël me të cilën zëvendësi i tij trupvogël e zhurmëmadh, mundohet që atij t’ia mbajë brekushet politike që të mos i bien e ti zvarriten nëpër këmbë.

Për mbijetesën politike të leninistëve injorantë në krye të BDI-së si dhe të bajraktarëve të ‘Klanit Pronto’, e të mendjemëdhenjve ‘Rilindës’ të Piktorit, merita të mëdha ka edhe paaftësia jonë që të shpjegojmë se jemi duke e jetuar diktaturën demokratike, në të cilën, për dallim nga ajo e Enverit kur to vrisnin pse e kaloje kufirin, në këtë të sotmen të ‘vrasin’ nëse je kundërshtar politik i pushtetarëve e nuk e braktisë vendin, dhe në të cilat diktatura, nuk kontrollohen të vërtetat që duhet publikuar, por gënjeshtrat që duhet thënë popullit.

Pra ne nuk arritëm ta pasqyrojmë të vërtetën se mbase populli ynë është duke i jetuar kohët më shkatërrimtare për bërthamën e tij kombëtare, kohët kur shqiptaria thuajse bëhet e pandjeshme ndaj fatit të vet, kohët kur neve thuajse nuk na intereson se kush do i drejtojë “Shqipëritë’ tona, sepse të ardhmen e pasardhësve tanë e shohim jashtë shteteve ku ne, si prindër pakurrizorë, ua lamë fëmijëve tanë në trashëgimi burrështetasit të cilët kurrë nuk kanë guxuar të ëndërrojnë se do mund të bëhen diçka më shumë se sa drejtues të ndonjë kooperative bujqësore.

Po pra, duhet pranuar se injorantët leninistë të BDI-së në Maqedoni, se shkelësit e shumë vlerave kombëtare të ‘Klanit Pronto’ në Kosovë dhe, kalbësit e shqiptarisë të ‘Rilindjes’ në Shqipëri, mbetën pranë grazhdit të pushtetit sepse edhe ne të ‘urtit’ e të ‘mençurit’, nuk e kuptuan se, ta luftosh nëntokën kriminale politike në pushtet, nuk do të thotë se je vënë në mbrojtje të ‘vrasësve’ nga radhët e partive opozitare, por se merresh me shpalosjen e të vërtetës se “Shqipërite’ tona të sotme janë shndërruar në varreza masive të ëndrrave rinore dhe të shpresave prindore se do mundë të pleqërojnë e të vdesin pranë fëmijëve që kanë rritur e shkolluar, por të cilët fëmijë thuajse nuk i deshti vendlindja.

Andaj mposhtja e ‘Klanit Pronto’ në zgjedhjet e tetorit në Kosovë, nuk ka te bëjë vetëm me fitoren e partive opozitare, por me ringjalljen e shpresës se Kosova mund të bëhet shtet për shqiptarët, e jo për ata që e sundojnë atë. Dhe andaj pra mposhtja e vëllazërisë leniniste në krye të BDI-së, do të thotë ngadhënjim i mençurisë dhe ndershmërisë mbi injorancën dhe pafytyrësinë. Po pra, ta luftosh e ta mposhtësh regjimin e sotëm në Shqipëri, do të thotë se e ke kuptuar që nga gjitha ‘Rilindjet’ që Piktori ua premtoi shqiptarëve, e realizoi vetëm atë që tani mundohet ta fsheh prej tyre – kriminalizimin e politikës dhe kanabizimin e Shqipërisë. Dhe prandaj pra, mposhtja e ‘Rilindjes’ së Piktorit do të thotë fitore e ndershmërisë dhe shpresës mbi nëntokën kriminale politike.

E në ndërkohë duhet sqaruar se thëniet e para një viti të autorit të këtij teksti, se edhe po ta hapësh frigoriferin të del Piktori dhe se, Kryeministri i Shqipërisë mbijeton politikisht ashtu si edhe Linda Morina në botën e muzikës – e që në ndërkohë u bënë ‘meme’ dhe përsëriten nga shumë kush si të ishin këngë popullore, që nuk u dihet autori – nuk kishin për qëllim vetëm të talleshin me drejtuesin e ‘Rilindjes’, por edhe të përqeshnin mendësinë politike se ‘qelbësirat’ e bashkuara të krahut tim politik, nuk do e qelbin dhe nuk do e kalbin Shqipërinë po aq sa edhe gropa septike e kundërshtarit tim politik. Mendësi të cilën e promovuan ata që për çdo natë debatojnë, thuajse vetëm sa për ta hutuar edhe më shumë popullin dhe, sa për t’ia mjegulluar atij të vërtetat politike që i jeton, ata pra që dinë çdo gjë, që nga ajo si ndikon seksi te mushkonjat e deri te ajo pse presidenti amerikan mbanë monedha njëzet dollarësh në xhepi e pasmë të pantallonave, por që kurrë nuk guxuan të shpjegojnë pse mbetëm me frigoriferë ku na paraqiten strategët politikë bythëcullak dhe, me ‘rapsodë’ popullor që këndojnë me prapanicë, e jo me gojë.