Sigal

(Me rastin e 10 vjetorit të vdekjes)

Jovan BASHO*

Në datën 05.08.2018 mbushen 10 vjet nga vdekja e Prof. Josif ADHAMIT, njërit prej figurave më të ndritura të mjekësisë shqiptare. Prof. Adhami u lind në Hoçisht të Korçës në vitin 1925. Mbas mbarimit të shkollës së mesme ai u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë, fillimisht  në Sarajevë e më pas në Bukuresht. Këtu ai ndoqi edhe një kurs pasuniversitar kardiologjie (1952-1953). Me tu kthyer në Shqipëri, u caktua pedagog në Politeknikumin Mjekësor, pastaj në Institutin e Lartë Mjekësor në disiplinat Propedeutikë (1954-55) dhe Terapi e Fakultetit (1955-56). Ai e drejtoi këtë Katedrër deri në vitin 1959. Më pas  drejtoi katedrën e Terapisë së Fakultetit (deri më 1976), Katedrën e Sëmundjeve të Brendshme (deri më 1982), atë Hepatologji-Gastroenterologji-Pneumoftiziatri dhe Radiologji (deri në vitin 1990). Ishte shef i Shërbimit Hepatologji-Gastroenterologji deri më 1991, pastaj pedagog i jashtëm dhe shef i komisionit spitalor QSU “Nënë Tereza” deri në vitin 1994.   Prof. Adhami u specializua në Moskë për Ftiziatri dhe Hematologji (1957, 1958) dhe për Hepatologji në Paris (1967) e Kopenhagen (1972). Mbrojti Disertacionin më 1964 dhe iu dha titulli Profesor më 1972. Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nga viti 1999-2008. Prof. ADHAMI ka botuar një numër të madh artikujsh shkencorë, brenda e jashtë vendit. Shkroi më se 30 tekste e monografi dhe redaktoi volume të tëra shkencore. Për 31 vjet ishte zv/kryeredaktor i Buletinit të Shkencave Mjekësore (1961-91), ndërsa më pas (1995-2008) kryeredaktor i Revistës Mjekësore, si dhe anëtar Bordesh Drejtues të disa revistave ndërkombëtare. Ishte anëtar i Komisionit të Lartë të Atestimit (1981-1990), Komitetit të Shkencës dhe Teknikës (1981-1985), redaksisë së Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (1981-1985) dhe përgjegjës i redaksisë së fushës për ribotimin e tij (1995-2008).  

Prof. Adhami për herë të parë në vendin tonë ka futur eksperimentin në klinikë, duke diferencuar B. Koch human nga ai bovin (1954-59) nga eksudatet në kafshë eksperimentale. Ka drejtuar laboratorin klinik-biokimik të sëmundjeve të brendshme (1954-1967) dhe ka kryer sistematikisht punksionin sternal në të rritur (1954-1967).             Prof. Adhami vuri në përdorim laparoskopinë dhe laparografinë (1967) dhe kabinetin përkatës, punksionin biopsi të mëlçisë dhe realizoi hepatite dhe cirroza eksperimentale toksike dhe imunologjike (1973). Me iniciativën e tij u ngritën në vendin tonë kabinetet e Ekografisë abdominale dhe Endoskopisë digjestive (1983). Që para vitit 1990 ka kryer për herë të parë tek ne vaksinimin kundër hepatitit B, në përsonelin mjekësor dhe në studentët e Fakultetit të Mjekësisë. Në klinikën e drejtuar prej tij, e kanë zanafillën disa specialitete: hematologjia, hepatologjia, gastroenterologjia, reumatologjia dhe alergologjia. Ka diagnostikuar disa sëmundje të panjohura më parë në vendin tonë si: polikondritin rekurent, kolagjenozat dhe ka futur mjaft metoda të reja mjekimi. Prof. Adhami udhëheqoqi tema shkencore të nomenklaturës qeveritare për Hepatitet Kronike dhe Cirrozat, Reumatizmin artikular akut, etj. Bashkëpunuar me institucione të huaja në Moskë, Romë, Utrecht, Bilthoven, etj. Ishte anëtar i Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekëve (2001-2008).  Prof. Adhami është dekoruar me Çmimin e Republikës të Kl.II (1976), medaljen Naim Frashëri kl.I (1977) si dhe është shpallur Punonjës i Shquar i Shkencës dhe Teknikës (1987).

Këto ishin shkurtimisht disa të dhëna biografike nga jeta e Prof. Adhamit.  Por ai ishte jo vetëm mjeku i shquar e shkencëtari erudit, por në rradhë të parë njeriu i mirë. Historia e mjekësisë moderne shqiptare fillon me formimin e shtetit shqiptar dhe krijimin e institucioneve shendetësore në kohën e Mbretërisë. Në atë kohë një grusht mjekësh patriotë, që kishin studiuar kryesisht në Perëndim, i dhanë hov të madh mjekësisë së vendit, duke u nisur nga hiçi dhe duke e bërë atë të krahasueshme me vendet përreth. Pas Luftës së Dytë Botërore një numër studentësh shqiptarë u shkolluan në Universitetet e Lindjes, kryesisht në Moskë, Bukuresht, Budapest etj.  Mendoj se Prof. Adhami ishte një nga përfaqësuesit më të ndritur të asaj plejade mjekësh të shquar që solli në mjekësinë shqiptare pikërisht eksperiencën dhe praktikën më të mirë të Mjekësisë së Lindjes dhe e çoi atë përpara. Si njohës i thellë i sëmundjeve të brendshme ai është vazhduesi i drejtpërdrejtë i internistëve të shquar Janko Theodhosi e Sabri Tefiku. Shkrimet dhe librat e tij të shumtë e bënë që të ishte një nga anëtarët më dinjitozë, midis mjekëve, të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.  Për nder të tij, Shërbimi Gastroenterologji/Hepatologji në QSU “Nënë Tereza”, Tiranë, mban emrin Prof. Josif ADHAMI. Unë, megjithëse i ri në moshë, pata fatin të punoja më se 8 vjet pranë tij, e pas daljes në pension e deri në fund të jetës, të isha një nga njerëzit që ai priste me qef, e mua më vinte mirë të bisedoja me të, ta dëgjoja kur fliste e të qortoja veten pse nuk gjeja më tepër kohë që të vija më shpesh te ai. Kur unë fillova punë pranë shërbimit që ai drejtonte (tetor 1986) profesor Adhami ishte 61 vjeç, kishte kryer pjesën kryesore të aktivitetit të tij në fushën e mjekësisë dhe ishte shumë i njohur në të gjithë vendin. Që kur isha student pata bërë pjesë në rrethin shkencor të Sëmundjeve të Brendshme të drejtuar prej tij. Ajo që më kishte bërë më shumë përshtypje në atë kohë ishte vullneti i tij dhe serioziteti në punë. Na dëgjonte me vëmendjen më të madhe dhe na ngarkonte me shumë detyra. Kur e dëgjoja, pyesja veten se ku e kishte gjetur gjithë atë kohë për të shkruar tërë ato libra, gjithë ata artikuj, të drejtonte aq shumë disertacione, konferenca shkencore etj. Nuk ka student që ka mbaruar Fakultetin e Mjekësisë e të mos ketë studiuar me librat tij, thuajse në çdo fushë të sëmundjeve të brendshme, dhe të mos e ketë admiruar për mënyrën e të shkruarit, plotësinë e temës dhe lehtësinë në të kuptuar. Kur punova me të e kuptova se ai twrë jetën ia kushtoi punës duke qënë mishërimi i njeriut të punës midis kolegëve dhe shokëve të tij. Tavolina e zyrës së tij ishte e mbushur me libra e revista të hapura në problematikën që ai ishte duke përgatitur. Por befasia ime më e madhe, ishte kur shkova për herë të parë në shtëpinë e tij. Në dhomën e tij të punës gjendej një tavolinë e stërmadhe, mbi të cilën një mori librash e revistash të hapura e të vendosura sipas një kodi që ai e kishte krijuar me vite për veten e vet dhe që e bënte të orientohej me lehtësi në mes atij deti librash e revistash. I ulur në një kolltuk para një abazhuri ai punonte këtu gjithë pasditen pasi kishte punuar në zyrë deri vonë. Në paradhomën e zyrës së tij, sekretarja e shërbimit, ose zoti Guri Lubonja (redaktori i mirënjohur i Buletinit të Shkencave Mjekësore) shtypnin papushim shkrimet e tij dhe tingulli i makinës së shkrimit nuk pushonte nga mëngjesi e deri në mbarim të ditës së punës. Ai ishte tepër korrekt, vinte në punë i pari dhe ikte vetëm pasi ishte takuar me mjekun e rojes dhe pasi kishte pyetur për të sëmurët rëndë e problematikë. Vizita e përgjithshme me të ishte një shkollë e vërtetë, jo vetëm për specializantët dhe mjekët e rinj por edhe për të gjithë kolegët e shërbimit. Ai merrte një anamnezë të plotë, duke i dhënë rëndësi çdo gjëje që kishte lidhje me të sëmurin dhe sëmundjen e tij dhe pasi e vizitonte të sëmurin nga koka deri në fund të këmbëve, e diktonte të shkruarin në kartelë të vizitës që kishte bërë (që shpesh shkonte mbi një faqe), e cila përfundonte me diagnozën dhe ekzaminimet që duheshin bërë për ta plotësuar atë, ose që i shërbenin ndjekjes dhe mjekimit të të sëmurit. Vizita e përgjithshme në shërbimin që ai drejtonte zgjaste ndonjëherë edhe dy ditë, por ai nuk mërzitej, për të kishte rëndësi që i sëmuri të zgjidhej nga pikëpamja diagnostike dhe të gjendej mundësia me e mirë e mjekimit në momentin e dhënë.

Të gjithëve na bënte përshtypje si nuk lodhej ai njeri (madje një kolegu im, pak më i madh se unë, Dr. Kujtim Bodinaku, thoshte me shaka që profesori duhet të ushqehej me substanca radioaktive për gjithë atë energji që zotëronte; ia thoshte edhe atij dhe ai qeshte). Ai i hapte punë vetes dhe gjithë ditën ishte i zënë me punë. Nuk shkonte kurrë në kafe dhe urrente çdo lloj pijeje alkoolike. Kur vinte me pushime në Poradec, tek shtëpia ku rrinte, bënte të njëjtën gjë, ashtu si edhe kur ishte në punë. Shijonte vetëm klimën e freskët, shëtitjet buzë liqenit dhe ndonjë vizitë në familjet e miqve të tij. Më kujtohen si sot mbledhjet e pafund të katedrës që ai drejtonte. Pa asnjë diskutim ishte më i rregullti midis të gjithë shefave të katedrave të Fakultetit të Mjekësisë. Interesohej për çdo gjë që kishte lidhje me mësimin, përgatitjen e leksioneve, shkrimin e teksteve mësimore, lënien e detyrave dhe kontrollin për pedagogët e rinj. Si më i riu, unë mbaja protokollin dhe ai insistonte që unë të shkruaja çdo gjë. Dosjet e pafund të tij ishin një arshivë e vërtetë se përmbanin çdo gjë që kishte lidhje me katedrën, pedagogët, specializantët, studentët etj. Ai nuk nxitonte kurrë, të tjerët mërziteshin ndonjëherë me mbledhjet e tij të shpeshta e të gjata e kur i thonin se jemi mbledhur shpesh e u bë vonë ai skuqej i tëri dhe u thoshte prerë: kjo është një punë që duhet bërë! Punoi pa fund, punoi gjithë jetën, deri atëhere kur sëmundja nuk e lejoi që të kishte përkushtimin dhe energjinë e parë, duke mbetur një shembull i njeriut që ia kushtoi jetën mjekësisë.

*   *

Ai ishte një nga përfaqësuesit më të ndritur të asaj plejade mjekësh të shquar që u shkolluan në vendet e Lindjes dhe sollën në mjekësinë shqiptare eksperiencën dhe praktikën më të mirë të asaj mjekësie dhe e çuan atë përpara. I urtë, i thjeshtë e i veçuar, studioz këmbëngulës,  i pasionuar pas Mjekësisë së Brendëshme në përgjithësi dhe Hepatologjisë në veçanti, ai shpenzoi vite e vite të tëra në studimin, përvetësimin dhe ligjërimin e patologjive kryesore e të rralla, të cilat pasqyrohen në librat dhe artikujt e tij të panumërt. Nuk ka student të Fakultetit të Mjekësisë, nga fillimet e deri vonë, që të mos ketë studiuar e mos vazhdojë të studiojë me librat e tij, prandaj atë e kujtojnë me respekt e dashuri ish studentët e tij të shumtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta dëgjojnë dhe të përfitojnë nga erudicioni, eksperienca dhe interpretimet e tij diagnostike mjekësore. Ai diti të mësojë, edukojë e përgatisë mijëra mjekë, respekti i të cilëve e bëri të ndjehej i lumtur e krenar deri në fund të jetës. Si të gjithë njerëzit e ditur ai ishte i thjeshtë, i matur, serioz e i heshtur për çështjet e rëndomta të jetës, por kur binte fjala dhe e pyesje për probleme të caktuara të fushës së tij, atëhere kishe dëshirë ta dëgjoje. Cili prej nesh nuk përfitoi prej tij e nuk u mrekullua nga bisedat me të? Cili prej nesh nuk e respektoi për ato që dinte e për mënyrën se si i tregonte ato që dinte, duke të imponuar etje për ta dëgjuar? Prof. Josif Adhami kishte lindur jo vetëm për të studiuar Mjekësinë, por në rradhë të parë për t’ua mësuar të tjerëve atë. Ai u shqua jo vetëm në mësimdhënie por edhe në përgatitjen e referateve, kumtesave e ligjëratave shkencore deri në shkrimin e librave të tij të shumtë. Nuk ka fushë të Sëmundjeve të  Brendëshme me të cilën nuk u morr Prof. Josif Adhami, nuk ka sëmundje që ai të mos e ketë përmendur në shkrimet, artikujt dhe në Konferencat e Seminaret e panumërt shkencorë të organizuar prej tij.  Ai është shëmbulli më i qartë dhe mishërimi i njeriut të palodhur në drejtim të studimit, përpunimit, shkrimit dhe botimit të materialeve mjekësore.    Megjithëse ai ka 10 vite që nuk është më midis nesh, është gjithmonë i pranishëm kujtimi i tij, janë librat e tij, përherë aktuale sa i përket mënyrës së përshkrimit, përmbajtjes dhe stilit të të shkruarit.  Ndaj ne që e patëm profesor, shef, mik edhe shok jemi të nderuar që ai ishte midis nesh dhe krenarë sa herë do të themi: kemi qënë nxënësit e tij.

*   *   *

* Prof. Jovan BASHO, Shërbimi Gastroenterologji/Hepatologji, Universiteti i Mjekësisë, QSU “Nënë Tereza”, Tiranë.