Hyskë Borobojka: Natë e ditë në veprim, monologë pa mbarim!

510
Sigal

Rrenacakë me “ferman” që lëpijnë çdo sahan

Kryeministrin tonë të nderuar e të respektuar sa e sollën me avion nga Parisi në Tiranë vuri në veprim agjentin “G99”, që bashkë me disa pinxho e kopukë të etur për pushtet e p՚ër kolltukë, rrenacakë me “ferman” që lëpijnë çdo sahan e të tjerë për të larguar sa më parë kryeministrin e vendit, duke thirrur në rrugë, në sheshe, madje edhe nëpër trotuarët të zënë nga korriget e lokaleve: “Nano ik! Ik Nano!”

 

Rilindja e Madhe” shkriu pasurinë për Shqipërinë. “Rilindja e Re” rropi Shqipërinë për pasurinë vetjake

Si e kreu me sukses këtë “veprimtari”, vendosi të krijojë një “Rilindje të Re”, si dikur “Rilindja e Madhe”. Por e madhja ishte si “mal me borë, si fushë me lule” kjo e vogla e ashtuquajtur e re, ishte me Rilindje “cule” e mbushur me trafikantë, kusarë, oligarkë, mashtrues, llafazanë, servilë, vjedhës votash me zë e me figurë, ashtu si mbushi shumë kuti me fletë votimi të falsifikuara në 30 qershor. “Rilindësit e Mëdhenj” shkrinë pasurinë për Shqipërinë, kurse këta të “Rilindjes së Re” shkrinë e rropën Shqipërinë për të shtuar pasurinë

Kur dialogët bëhen monologë pa mbarim

Kryeministri ynë i nderuar dhe i respektuar e shton dhe e zgjeron veprimtarinë kur vijnë fushatat, jo ato të korrje, shirjeve grumbullimeve, por ato zgjedhore. Sa fillon fushata, lëshon veqilët e tij besnikë, që vetë i ka zgjedhur me dorë, njërin me borie në buzë, tjetri me këmborë të shpuar në qafë, i treti tjetri me daulle të madhe në sup. Nuk mungojnë edhe ata me pranga në brez, se, helbete, ndonjë zullumqar e firaun, qoftë larg, ia prishin “dyzenë” monologëve pa mbarim të kryetarit te “Rilindjes së Re”. Ata janë kasnecët që lajmërojnë miletin: se u ka ardhur kësmeti, të dëgjojnë premtimet, korr e mos lidh, të kryetarit të “Rilindjes së Re”, se kryeministri ynë, premtimet i ka të majme dhe i shpërndan, jo me trasta të vogla e thasë të ngushtë, por me zabllofë të mëdhenj. Lum kush t’i dëgjojë e t’i shijojë.

Kryeministri zë vend në shesh e fillon të deklamojë monologët e tij për “sukseset” e arritura dhe të mirat e begatitë pa kandar që do vijnë. Monologët e tij, pa pika e pa presje, fillojnë me diell e mbarojnë me hënë. Ndërsa mileti që janë thirrur me porosi të veçantë duhet të hapin veshët të dëgjojnë, të tundin flamurët, të duartrokasin e të thërrasin sa të tundet vendi emrin e tij, si dikur atë të diktatorit

Në aerodromin e Kukësit këndon qyqja!

kuksianët e mbajnë mend si tani premtimin e madh që u bëri kryetari i “Rilindjes së Re”, se të gjithë ata kuksianë, që jetoni e punonin jashtë “nahijes” së tyre, mund të vinin me “tajare” (aeroplan) në aerodromin e ri të Kukësit të ndërtuar nga “Rilindja e Re” për të festuar Vitin e Ri”. Madje do udhëtoni me gjysmë çmimi, Por ky premtim (si shumë të tjerë) mbeti në historinë e premtime të kryeministri tonë të nderuar e të respektuar. Që atëherë ka rrjedhur shumë ujë në Drinin e Bardhë e Drinin e Zi, por në vend të ulen avionët në aerodromin e premtuar, këndon vetëm qyqja këngën monotone të premtimeve boshe

Kur miku të le në baltë…

Kryeministri ynë, i nderuar e i respektuar u zotua e premtoi se do të ndërtonte një aerodrom edhe në Vlorë, me ndihmën e mikut të tij të nderuar Erdogan. Mirëpo miku i doli nga fjala e ia ktheu nga myka, duke lënë në baltë për ta turpëruar. Por lëkura e tij është regjur me premtime boshe. Po, nëse nuk e ndërtoi dot aerodromin modern në Vlorë, që turistët të shijojnë bukurinë e Rivierës Shqiptare…..

Aerodrome në Sarandë e Delvinë…!

Zotohet e premton se do ta ndërtojë në Sarandë e në Delvinë. Madje mund të ndërtojë edhe në qytete e zona të tjera të vendit, nga Jugu në Veri. Nuk është çudi që të ndërtojë aerodrome edhe në “Bjeshkët e Namuna” e në Jezercë, që të mos lodhen turistët që duan të shijojnë bukuritë e Alpeve Shqiptare dhe ata që kanë ikur nga brigjet e detit të ndjekur nga mushkonjat e tërbuara. Pse mos premtojë të ndërtojë një aerodrom në malin e shenjtë të Tomorit, që turistët të mos lodhen shumë kur duan të vizitojnë mekamin e Abas Aliut. Ashtu si mund të ndërtojë një tjetër në malin e Nemërçkës për t’u ardhur në ndihmë turistëve, që duan të ngjiten në majën e Papingut Të gjitha këto premtime e shumë të tjera do të tregojnë me “shembuj konkretë” rezultate e “shkëlqyera” që ka arritur e do të arrijë “Rilindja e Re”, duke e renditur Shqipërinë, jo vetëm në fundin e Evropës, por edhe të Ballkanit

Karroca e “Rilindjes së Re” niset drejt Evropës, po i vënë shkopinj në rrota!

Karroca e “Rilindjes së Re”, e ngarkuar me arritje e suksese të “papara” është nisur disa herë drejt Evropës së Bashkuar, por disa firaunë, bashibozukë, kokëpalarë e zjarrvënës, që janë më të këqij e “kriminelë” se Talebanët e Afganistanit, janë munduar e mundohen t’i venë shkopinj në rrotat e saj për ta penguar, siç kanë bërë bënë disa vjet me radhë, ashtu si e penguan edhe në qershor të këtij viti. por ajo s’do ndalet. Në s’vajti dot në qershorin e qershive, do të vejë në shtatorin e gorricave fice, në tetorin e pekmezit, ose, në fund të fundit në nëntor, kur të vijë kampionia e botës në futboll për t’u ndeshur me Kombëtaren tonë në stadiumi e ri e modern të Tiranës.

“Rilindja e Madhe ishte si “mal me borë, si fushë me lule”, kjo e vogla e ashtuquajtur “Rilndje e Re”, ishte me Rilindje “cule” e mbushur me trafikantë, kusarë, oligarkë, mashtrues, llafezanë, servilë, vjedhës votash me zë e me figurë, ashtu si mbushi shumë kuti me fletë votimi të falsifikuara, në 30 qershor. “Rilindësit e Mëdhenj” shkrinë pasurinë për Shqipërinë, kurse këta të “Rilindjes së Re” shkrinë e rropën Shqipërinë për të shtuar pasurinë