Hyqmet Zane: Çështja Çame mes folklorizimit dhe realitetit

715
Sigal

Keqardhja e spikatur se si po veprohet me çështjen çame në Shqipëri, ka krijuar një tollovi të madhe në opinionin publik, se çfarë po bëhet me këtë kauzë të madhe që po trajtohet nga njerëz të vegjël në disa drejtime. Jo të vegjël nga mosha, por nga mendimi, nga mungesa e kapaciteteve që duhet të ketë një lidership në drejtim të trajtesave dhe zgjidhjeve të një problemi sa madhor, aq edhe të lënë në vakum. Shfaqjet “teatrale” që bëhen nga disa individë që duket i kanë uzurpuar institucionet që merren me çështjen çame për qëllime të mbrapshta kushedi për cilën kauzë. Janë domethënia e asaj që na shqetëson, jo thjesht mua si individ me orgjinë çame, por gjithë komunitetin çam. Ka një shprehje që thuhet se “Kush nuk është i zoti të bëj brumë për bukë, tund sitën tërë ditën”, që nuk ka nevojë për koment se e ka të qartë mesazhin që na jep. Kështu edhe me rrjedhën dhe realitetin në të cilën ndodhet sot çështja çame. Ai është një problem që nuk ka nevojë për folklorizëm të tejzgjatur, as për këngë e valle festivalesh që gjithsesi janë të nevojshëm në kohë dhe në vende të caktuara apo takimesh për të diskutuar ‘atë–këtë dhe më pas asgjë’, jo ‘ai tha ashtu, ky ia ktheu kështu, ai presidenti grek dhe ai kryeministri grek’. Drama jonë është një kauzë që, fatkeqësisht sot nuk ka as platformë, as statut institucional, nuk ka as orientim të duhur dhe ka hyrë në një proces “privatizimi” nga njerëz që duket se paskan mision shkatërrimin dhe jo zgjidhjen.

Në sofrën e çështjes çame i kemi të gjitha “asortimentet” që na kanë servirur vitet e kësaj toke me kaq shumë trazira. Puna është se si duhet t’i gatuajmë këto “asortimente” që ne të shijojmë frytet e gatimit mbi këtë sofër. E gjitha kjo varet nga amvisa që e gatuan dhe e përgatit ushqimin. Me fjalë të tjera, komunitetit çam po i mungon lideri dhe lidershipi, po i mungon dëshira për të dëgjuar urtësinë e njerëzve që dinë dhe kanë se çfarë të thonë dhe të bëjnë për çështjen çame dhe që e kanë vuajtur mbi supe hallin e madh të një toke që nuk ka më të zotët e saj dhe banorët e asaj toke nuk kanë më tokën e tyre, Çamërinë. Nuk na kanë mbetur shumë nëna shami bardha dhe baballarë me feste në kokë që na jepnin nasihate të mira dhe që na kanë ushqyer me aq kujdes si për shëndetin, ashtu edhe na kanë dhënë “ushqimin” e dashurisë dhe përpjekjeve jo për të mos harruar Çamërinë, por ta duan kauzën dhe të sakrifikojnë gjithçka për atë që na është lënë amanet. Nuk është folklor të dëgjosh ata që dinë dhe kanë çfarë të thonë, se, në fund të fundit, për të arritur qëllimet tona, na duhet të gjejmë gjuhën mes nesh. Ajo që na mungon është orientimi për në rrugën e duhur. Është sanksionimi i liderit tip “rugovian” që të bëjë atë sensibilitet real dhe frutdhënës ku faktorizimi i çështjes çame të jetë parësore, nëse vërtet duam që të hapim një faqe të re në rrugën e vështirë të zgjidhjes.

Dëgjoj shpesh se kemi një shtet fqinj të fortë dhe që e do Evropa dhe këtë e dimë, por përballë kësaj fuqie ne duhet të kemi fuqinë e bashkimit dhe të mirëkuptimit. Këtë e bën lideri dhe lidershipi i tij, nëse vërtet do të duhet të ulet me këmbë në tokë për të kuptuar realitetin dhe jo të merret me deklaratat e përsëritura kohë pas kohe. Thuhet se duhen para për këto punë. Është e vërtetë, por para së gjithash na duhen mendje të urta dhe dëgjesa të komunitetit çam me dëshirën për të marrë me vete uratën e urtësisë së trashëgimisë sonë.

Në këtë sfond realiteti, komuniteti çam nuk ka gjetur përkrahjen e qeverisjeve në Shqipëri, si faktori bazë mbështetës në çështjen kombëtare në tërësi dhe atë çame në veçanti. Analistë të çështjeve kombëtare thonë se, që të bëhet kjo më e domosdoshmja është jo thjesht një bashkim fizik, po që po, por një bashkim në mendime dhe ide, bashkim në angazhime dhe në hartimin e një programi udhëheqës që duket se na mungon si qëllim në vetvete. Orientimi i komunitetit çam drejt një organizimi si në partitë politike dhe lënia jashtë radhëve të Shoqërisë “Çamëria” të çdo çami të lindur dhe krijimi i situatave aspak demokratike dhe mos mirëkuptimi mes çamëve për të menduar për programimin dhe faktorizimin, duket si një porosi e politikës antiçame dhe e shërbëtorëve të punëve që bëhen si “limontozi në qumësht” që thartojnë gjithçka që është bërë në gati 28 vjet. Si një anëtar i vjetër që në ditën e krijimit të Shoqatës “Çamëria”, por edhe si një kontribues real dhe mediatik, ndjehem i zhgënjyer dhe i habitur, se si dhe përse punët mes nesh po shkojnë keq e më keq, me shtyje ta shtyjmë organizimin, vetëm e vetëm pse kështu do një apo disa politikanë që e mbajnë veten si punëbërës në një kohë që kanë manifestuar çuarjen në nivelin zero të organizimit dhe përfaqësimit të çështjes çame dhe gjetjes së fjalës mes vetë pjesëtarëve të këtij komuniteti. Në këtë situatë nuk ka nevojë për folklorizma dhe këngë e valle që i kishim dhe nuk janë më. Në këtë klimë kemi nevojë për një gazetë apo revistë që e kishim dhe nuk e kemi më. Por në këto kushte kemi nevojë për sinqeritet dhe rahmën e dashurisë mes nesh që e kishim dhe sot shahemi dhe bëhemi bolori mes nesh portaleve dhe realisht në takime vetëm e vetëm, pse kështu do një individ apo grusht individësh që kanë thjesht ca interesa “privatizimi apo protagonizmi” pa platformë e pa ide dhe asgjë më shumë. Nëse themi këto të vërteta, ka asisoj në mes të komunitetit çam që edhe mërziten ose bëjnë interesantin se si është e mundur që ndodhin këto që shkruaj unë. Në fakt nuk do të doja të shkruaja këto të vërteta që nuk janë të këndshme dhe që dhembin. Me sinqeritetin e një njeriu që e dua vendin tim dhe gjithë jetën kam menduar për të mbajtur gjallë këtë çështje e, veçanërisht në këto 28 vjet, do të doja të isha një zë në atë sofrën e madhe të diskutimeve për problemin tonë madhor për të dhënë mendime dhe për të marrë ngarkesa. Po ku dhe kur, në cilën sofër çame të japin mundësinë që të thuash atë që mendon? Në këtë rast më kujtohet një shprehje e amerikani George Orwell kur dikton se “Në një botë ku mashtrimi është bërë i zakonshëm, të thuash të vërtetën është si të bësh revolucion”. Aq e vërtetë është kjo se bërtasin ata që janë fajtorët e kësaj gjendjeje të pa rrugëdalje dhe intelektualët dëgjojnë dënglat e uzurpatorëve të kësaj çështjeje që po e mbajnë peng. Aq e vërtetë është kjo, sa ata që janë me shpirt atdhetari dhe që nuk janë çamë, të ndalojnë dhe pyesin se “Çfarë po bëhet me ju, na vjen keq që jeni të përçarë?!”. Po përse kështu, ku është koka e interesave me këtë çështje që më shumë si amanet, po shikohet si interes nga ata që tanimë nuk e gëzojnë më të drejtën morale të jenë në krye të këtyre punëve që kanë shkuar aspak mirë dhe me gjasa të vazhdojë kështu fatkeqësisht.

Kemi përmendur shpesh togfjalëshin “çështje çame” dhe realisht po na mungon ose po zbehet fjala “kauzë” që është qëllimi më i madh i një komuniteti. Kauzën e Kosovës e bënë kosovarët. Ata shqiptarë të devotshëm që patën një Rugovë në krye, që bëri atë që do të dëshiroja ta bënte një Rugovë çam. Nuk e di se sa jam i vërtetë dhe i duhet opinionit publik çam dhe jo çam kjo shprehje e mendimeve të mia. Por nëse ai ose ajo apo disa syresh nuk dëshirojnë praninë time, unë i dhuroj mungesën time.