Gentian Çala: Venecia përmbyt propagandën, ne na takon të rrëzojmë regjimin!

407
Sigal

Nga Gentian Çala:

VENECIA PËRMBYT PROPAGANDËN, NE NA TAKON TË RRËZOJMË REGJIMIN

Raportimet mediatike dhe jo vetëm, të ditëve të fundit që vijnë nga Komisioni i Venecias duken si një valë cunami që merr përpara gjithë propagandën e Qeverisë Rama mbi zgjedhjet moniste të 30 Qershorit, përplasjet mbi krijiin e Gjykatës Kushtetuese, betimi i anëtarëve të Gj.K.-së dhe deri Ligji famëkeq i Anti-shpifjes. Presidenti i Republikës ka respektuar Kushtetutën dhe ka qenë brenda frymës së saj, thotë pa ekuivoke raporti paraprak i Komisionit. Tashmë Komisioni i Venecias po kupton qartë atë që po ndodh në Shqipëri dhe si një organ me reputacion të mirënjohur, po shërben qartësisht në kthjellimin e opinionit publik dhe në rrëzimin e tezave propagandistike që synonin vetëm kapjen e pushteteve nga mazhoranca aktuale.

Për opinionin tim, ky ka qenë ndër institucionet ndërkombëtare që po jep një ndihmë të rëndësishme vendit tonë, demokracisë dhe sundimit të ligjit në Shqipëri në udhëkryqin e një krize politike, institucionale dhe sociale të krijuar nga regjimi i Ramës. Turravrapit të uzurpimit të pushtetit legjislativ, ekzekutiv, të drejtësisë dhe të medias duket se po i mbaron oksigjeni i bazuar kryesisht në trushpëlarjen përmes propagandës. Gjithësesi kjo betejë me regjimin duhet vazhduar seriozisht deri në çmontimin e tij. Presidenti i Republikës ka qenë në një betejë të principtë, e cila duhet përshëndetur nga të gjithë, edhe nga skeptikët. Kurse ata që i kanë mbajtur ison regjimit duhet të heshtin, sepse e di që nuk do të kenë kurajo ta pohojnë ndjesën (nëse e kanë një të tillë).

Ata nuk do të heqin dorë nga pengmbajtja e vendit, do të provojnë me çdo mjet dhe mënyrë për të vazhduar atë që kanë nisur, sepse nuk dinë të bëjnë ndryshe. Nuk duhet pasur asnjë iluzion. Kushdo që mendon se ata mund të qeverisin ende duhet të pyesin veten: ku është Shqipëria sot dhe ku ishte 7 vite më parë?! Mos ju referoni as fjalëve të Opozitës dhe as kritikëve të Qeverisë, shikoni raportet e indekseve të ndryshme të organizatave ndërkombëtare që monitorojnë Shqipërinë . Të gjitha shënojnë regres. Nëse nuk ju mjafton kjo, pyesni veten sa njerëz e kanë braktisur vendin, si e kemi ekonominë familjare, a jetojme në një vend të sigurtë apo është shtuar pasiguria?! Përgjigjet i ka secili prej jush.

Skeptikët pyesin: ja iku regjimi, po kush do të vijë?! Mosbesimi te politika është i përligjur, por mos harroni se kjo nuk ështē aspak arsye për ti zgjatur jetën një regjimi. Opozita është një alternativë jo e përsosur, por padyshim më e mirë se regjimi aktual. Ne kemi vetëm një detyrë, ta rrëzojmë regjimin me votë! Nëse jo për veten, për fëmijët tanë!