Frank Shkreli: Vizita e kryeministrit Albin Kurti në Shqipëri dhe interesat kombëtare

148

“Për çështjet e rëndësisë kombëtare na duhet të flasim njëzëri” (Albin Kurti)

Nga Frank Shkreli

Kështu u shpreh Kryeministri i ri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti pas vizitës së tij në Tiranë të martën: “Për çështjet e rëndësisë kombëtare na duhet të flasim njëzëri”.

Kryeministri i Republikës së Kosovës gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri u takua me udhheqsit më të lartë të vendit, përfshir Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta, Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe Kryetarin Partisë Demokratike Lulzim Basha.  Në komentin e botuar në portalin e tij pas vizitës në Tiranë, Kryeministri Kurti ka falënderuar Kryeministrin Rama, “për pritjen shtetërore e për diskutimin konstruktiv që patëm” dhe njëkohësisht ka falënderuar edhe udhëheqsit e tjerë shqiptarë me të cilët është takuar, përfshirë Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta për “Takime të përzemërta e vëllazërore”, që pati me ta gjatë vizitës.

Siç duket e vetmja gjë për të cilën erdhën në marrveshje të dy palët, në takimin e tyre, ishte krijimi i një komisioni ndërshtetëror për të, “analizuar” zbatimin ose jo të nja 77-marrveshjeve midis Shqipërisë dhe Kosovës, shumica e të cilave nuk janë zbatuar, sipas Zërit të Amerikës.

Nga takimi midis dy kryeministrave shqiptarë u ra dakort  edhe që dy qeveritë të takohen në Shkodër në të ardhmen, për marrveshje të tjera, të cilat nëqoftse e kaluara është një mësim, do mbeten vetëm marrveshje në letër, duke marrë parasyshë mospajtimet aktuale midis dy palëve.

Siç dihet pengesa kryesore midis dy republikave shqiptare sot është i ashtuquajturi “minishengeni ballkanik”, për të cilin Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se, “Ishte një temë e trajtuar”, por shtoi se takimi i tij të martën në Tiranë me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama ishte në fakt për “makro Shengenin” shqiptar më shumë se sa për “mini schengenin” ballkanik, u shpreh Kurti.  Ndërsa Kryeministri Rama nguli këmbë se nuk do të heq dorë nga ideja e tij në mbështetje të “minishengenit ballkanik”.  Ai citohet nga Zëri i Amerikës të ketë thënë se, “Besoj se nuk ka “makro schengen” shqiptar, pa “mini schengenin” ballkanik.

“Makro schengeni” shqipar, është i lidhur ngushtësisht me Schengenin rajonal sepse, nëse jemi konsistent në vazhdën e procesit të Berlinit dhe jemi të harmonizuar në ndërveprimin tonë, atëherë na hapet rruga e mbyllur, prej vitesh, për të patur një hapësirë të përbashkët mes dy shteteve, për të patur lëvizje të lirë mes nesh, jo vetëm të mallërave e kapitaleve, por dhe të njerëzve, çka deri dje ishte e paimagjinueshme…”, ka thënë Rama.

Duket se megjithë kundërshtimet e Kryeministrit Kurti dhe të Republikës së Kosovës, në përgjithësi ndaj “minishengenit ballkanik”, që mbështetet nga kryeministri shqiptar, madje edhe pa konsultime me qeverinë e Kosovës — Kryeministri Rama ka vendosur që në llogoren e tij të mbroj me çdo kusht idenë e “mini shengenit ballkanik”, me grykat e topit të tij drejtuar kundër Kosovës, duke mos lejuar asnjë shoshitje të mendimeve të lira e të kthjellta, për një çështje aq me rëndësi.

Padija kundër ish-Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe mosmarrveshjet e tija aktuale me Kryeministrin e ri të Kosovës, Albin Kurtin, janë të paprecedencë midis shteteve dhe jo më midis dy shteteve që i përkasin të njëjtit komb, siç janë Shqipëria dhe Kosova.

Nevojitet diçka dramatike nga ana e Tiranës zyrtare për të tejkaluar këtë krizë të madhe politike, ekonomike dhe kombëtare në marrëdhëniet midis vëllëzërve.  Si është e mundur që të jetë më lehtë për Tiranën që të arrijë marrëveshje dhe pajtim ideshë me Beogradin, Ankaranë e ku ta di unë se kë dhe jo midis vet shqiptarëve – Tiranës dhe Prishtinës zyrtare –pajtimin e ideve për realizimin e interesave të përbashkëta kombëtare, për të cilat ata duhet të luftojnë së bashku për realizimin e tyre?

Është e qartë, fatkeqësisht, se megjithë qëllimet e mira të Kryeministrit Albin Kurti, vizita e tij e parë si Kryeministër i Republikës së Kosovës në Atdheun Amë, nuk shkoi mirë dhe as në frymën vëllazërore që priste udhëheqsi i ri i Republikës së Kosovës. Kjo shihej qartë edhe në fytyrat e dy kryeministrave gjatë konferencës me shtypin.

Siç duket, Albin Kurti priste një takim me Kryeministrin Rama, si “vëllai me vëlla” dhe jo një vizitë të “politikës së jashtme” siç e cilësoi ai në portalin e tij, pasi, “Dy republikat tona nuk e kanë luksin ta shohin njëra-tjetrën me syzet e diplomacisë”, është shprehur Kurti. Tensionet gjatë takimit në Tiranë të martën, midis dy kryeministrave shqiptarë dhe delegacioneve të tyre në dhomën rreth tavolinës ku u takuan, dukeshin aq të thekësuara sa që edhe ajri mund të pritej me thikë, sipas një fraze amerikane — një atmosferë ku “body language”  fliste për pothuaj një atmosferë të pa tolerueshme midis dy palëve.

Se si mund të jetë diskutuar ndonjë gjë konstruktive midis tyre në interes të dy shteteve dhe të Kombit shqiptar, vetëm ata e dinë!Në atë mendjen time të vogël, unë nuk i shoh përfitimet që mund të vijnë për Shqipërinë nga ideja e Kryeministrit Rama për një “shëngen ballkanik”, pa Kosovën, e më pak për Kosovën, sidomos pa njohjen zyrtare të Republikës së Kosovës nga Serbia dhe mbrojtësja e saj historike, Rusia.

Unë kam qenë dhe jam i mendimit se lidhjet e Tiranës zyrtare me Beogradin, pa përjashtim, duhet të kalojnë gjithmonë nepër Prishtinë.  Të vjetrit na thonin se nuk ka Shqipëri pa Kosovë dhe nuk ka as Kosovë pa Shqipëri. Historikisht, kurrë më par nuk ka ekzistuar një periudhë historike më e volitshme se sot për të bashkpunuar dhe për të bashkrenduar politikat, jo vetëm midis dy republikave shqiptare, por edhe politikat e përbashkëta të Tiranës dhe Prishtinës — në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

“Për çështjet e rëndësisë kombëtare na duhet të flasim njëzëri”, është shprehur Kryeministri i ri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, duke shtuar se, “Dekada e tretë e shekullit XXI duhet të sjellë një fillim të fuqishëm, si asnjëherë më parë, të bashkëpunimit e bashkërendimit Kosovë-Shqipëri.  Nuk mohoj arritjet e së shkuarës, por jemi larg asaj çka dëshiron populli ynë, larg asaj që është brenda mundësive tona reale. Dy vendet tona janë prioritet i njëra-tjetrës dhe nuk ka çështje që presin, në asnjë fushë”, ka shkruar Kryeminsitri Kurti në portalin e tij, pas vizitës së parë të ij në Shqipëri, si Kryeministër i ri i Kosovës.

Ashtu edhe duhet të jetë!  Dy shtetet shqiptare duhet të jenë “prioritet i njëra tjetrës”.  Asnjë i ashtuquajtur “shengen ballkanik” nuk mund dhe nuk duhet të zëvendsojë vëllazërimin dhe bashkjetesën e shqiptarëve si Komb.  Që ata të shtohen e të rritën në harmoni me njëri tjetrin dhe në begati, të bashkuar nga idealet kombëtare që nuk mund t’i thyej askush.  Nuk ka gjë më të shenjtë se liria dhe pavarësia e një kombi dhe si e tillë duhet të mbrohet me gjithë mend e zemër nga çdo shqiptar, e sidomos nga prijësit e tij.

Ndjenjat dhe krenaria kombëtare duhet të rivendosen pa vonesë, forca e ndjenjës së vëllazërimit kombëtar e rilindasve duhet të kthehet, para se të keqësohen marrëdhëniet ndërshiqptare. Personat dhe zërat e kundërt ndaj pajtimit kombëtar, qofshin ata politikanë në pushtet ose jashtë pushtetit, teoricienë, akademikë ose tregtarë, nga veriu ose nga jugu, nga Shqipëria ose Kosova, të cilët venë pengesa dhe mbyllen në kullat e ideve të tyre në kundërshtim me rivendosjen e këtyre idealeve kombëtare, duhet të shpallen si persona me mendime të ndryshkura dhe të pa ndërgjegjshëm, nga pikëpamja kombëtare.

Para se të bëhet vonë, është në interesin kombëtar që shqiptarët të shërojnë plagët e vjetra e të reja.  Kanë nevojë për pajtimin e mendimeve të ndryshme dhe për ribashkim vëllazëror — sot më shumë se kurrë.

Pajtimi kombëtar do të realizohet gur themeli mbi të cilin do të ndërtohet një tempull i ri i lirisë kombëtare shqiptare, në liri, pavarësi, paqe dhe begati për të gjithë shqiptarët pa dallim, në marrëveshje — pikësëpari me njëri-tjetrin – por edhe në fqinjësi të mirë me të tjerët në rajon.