Sigal

Gjatë vizitës së tij në Shkup të martën, Zëvendës Sekretari Amerikan i Shtetit, (DASH), John J. Sullivan deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të, “Angazhuara për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës Jug-lindore”, duke theksuar se Maqedonia është një pjesë e rëndësishme e këtij angazhimi ndaj stabilitetit dhe paqes në atë rajon.

Sipas një deklarate të Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me vizitën e tij në Maqedoni, diplomati i lartë amerikan u shpreh se zhvilloi një vizitë të frytshme në atë vend, ku zhvilloi bisedime me disa zyrtarë të lartë të qeverisë së Shkupit, përfshirë Kryeministrin, Zoran Zaev dhe Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Nikola Dimitrov. Zyrtari amerikan nënvizoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës, e cila do të bëjë të mundur që Maqedonia të zërë vendin që i takon në Aleancën e Atlantikut Verior, NATO dhe në anëtarësimin e saj eventual në Bashkimin Evropian: me emrin Republika Veriore e Maqedonisë. Është kjo një marrëveshje, shtoi ai, e cila kontribuon ndaj stabilitetit, sigurisë dhe begatisë rajonale. Ne e konsiderojmë Maqedoninë si një ndër vendet kryesore të rajonit, bazuar në angazhimin e saj për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim, është shprehur diplomati i lartë amerikan, John Sullivan. Ai pati fjalë lavdëruese për Kryeministrin, Zaev dhe Ministrin e Jashtëm, Dimitrov si dhe për udhëheqësit dhe anëtarët e guximshëm të parlamentit maqedonas, siç i quajti ai, të cilët tetorin që kaloi, me votën e tyre, hodhën hapat e nevojshëm drejt një të ardhme më të mirë, më të begatë dhe më të sigurt për Maqedoninë dhe për të ardhmen e qytetarëve të saj.

Zëvendës Sekretari Amerikan i Shtetit, John Sullivan u bëri thirrje anëtarëve të parlamentit të atij vendi, ndërsa vazhdojnë procesin e zbatimit të Marrëveshjes së Prespës, që të lënë mënjanë interesat partiake dhe personale e të përqendrohen në realizimin e objektivave të përbashkëta strategjike për vendin e tyre. “Tjetër alternativë nuk ka”, ka theksuar ai. Por nënvizoi diplomati i lartë amerikan, “është gjithashtu kritike që Maqedonia të vazhdojë të përqendrohet në zbatimin e reformave kryesore në sistemin ligjor, promovimin dhe mbështetjen për pavarësinë e sistemit gjyqësor, përmirësimin e qeverisjes dhe të kapacitetit të institucioneve qeveritare, në shërbim të qytetarëve”, ka rekomanduar përfaqësuesi i lartë i DASH. Ai u ka thënë zyrtarëve më të lartë të Maqedonisë se Shtetet e Bashkuara ndajnë me ta angazhimin e tyre për paqe dhe siguri në rajon dhe në botë, ndërkohë që Washingtoni pret që, në të ardhmen, të zhvillojë marrëdhënie edhe më të ngushta me Shkupin.

Gjatë shkëmbimit pyetje-përgjigje me gazetarët në Shkup, diplomati i lartë amerikan tha se marrëveshja e Prespës është një marrëveshje midis dy palëve – Greqisë dhe Maqedonisë – ndërsa theksoi kurajën e kryeministrave të dy vendeve për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. John Sullivan tha se, marrëveshja në fjalë është thellësisht në interesin e të dy palëve dhe shtoi se, “Jemi dakord edhe me kolegët tanë grekë mbi rëndësinë e marrëveshjes së Prespës, për rëndësinë që ajo ka për të ardhmen e Greqisë”, ka thënë ai. “Marrëveshja, që ata kanë nënshkruar për të mirën e dy vendeve të tyre dhe për Rajonin, është diçka për të cilën Shtetet e Bashkuara janë krenare që e mbështesin dhe kjo është pikërisht edhe arsyeja që unë jam sot këtu”, u ka thënë ai gazetarëve.

Ndërsa pyetjes se nëse kritikat ndaj kësaj marrëveshjeje, sidomos ato që kanë ardhur nga Moska, e cila haptazi kundërshton këtë marrëveshje, diplomati amerikan John Sullivan u përgjigj se, Washingtoni nuk e nxiti marrëveshjen – ishte krejtësisht midis dy palëve – midis Athinës dhe Shkupit por, “Shtetet e Bashkuara janë krenare të mbështesin qeverinë e Maqedonisë dhe popullin e Maqedonisë për atë që dëshirojnë vetë, e që është anëtarësimi i vendit të tyre në NATO dhe në Bashkimin Evropian, pasi ata kanë vendosur se kjo gjë është në interesin më të mirë të vendit të tyre”.

Zëvendës Sekretari Amerikan i Shtetit, John Sullivan siguroi Maqedoninë dhe shtetet e tjera të rajonit se për sa i përket influencës dhe ndërhyrjes së Rusisë, jo vetëm në Maqedoni por edhe në rajon se, “Ne do të mbështesim edhe të tjerët të cilët janë të bashkuar, për t’u ballafaquar dhe për të ekspozuar influencën qëllimkeqe të Rusisë, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në këtë rajon dhe në Evropë ose kudo tjetër që Moska përpiqet të ushtrojë ndikim të dëmshëm, për të minuar proceset legjitime demokratike si dhe qeveritë që kanë marrë vendime në interes të popujve të vet, ashtu siç ka bërë me këtë rast Maqedonia. Ne do t’i mbështesim ato qeveri, ne do të kundërshtojmë ndikimet e rrezikshme ruse, duke bërë çdo gjë të mundur për t’i kundërshtuar dhe për t’i ekspozuar ato”, kudo qoftë.

Ndërkaq, gjithashtu në një frymë angazhimi dhe mbështetjeje amerikane për rajonin, pikërisht për Kosovën, por edhe shqetësimi për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, Shtëpia e Bardhë, në një letër që i dërgoi ditët e fundit Presidenti Trump, Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, theksohet partneriteti midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës: “Kosova është një partner vendimtar në përpjekjet tona për të garantuar paqen dhe stabilitetin për të gjithë Evropën.” Presidenti Trump, kërkon gjithashtu nga presidenti Thaçi dhe udhëheqësit e Kosovës që të shfrytëzohet ky moment unik, që të bashkohen dhe të bashkëpunojnë, “që të flasin me një zë”, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë.
“Unë, ju nxis Juve dhe liderët e Kosovës, që ta shfrytëzoni këtë moment unik, të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe dhe të përmbaheni nga veprimet, të cilat mund ta vështirësojnë arritjen e marrëveshjes. Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë për suksesin e Kosovës, si një shtet i pavarur dhe sovran. Ne duam që vendi i juaj të vazhdojë të zhvillohet”, ka shkruar Presidenti Trump në letrën drejtuar Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa ka shtuar se, “Ne jemi të gatshëm që t’u ndihmojmë në përpjekjet tuaja për të arritur një marrëveshje, e cila reflekton në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë. Një marrëveshje e tillë është e arritshme”, thuhet në letrën e Shtëpisë së Bardhë.

Me gjithë këtë letër të Shtëpisë së Bardhë, nuk besoj që Shtetet e Bashkuara të kenë marrë ende ndonjë qëndrim zyrtar në lidhje me bisedimet e tanishme ose në të ardhmen, për një marrëveshje “përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse”, midis Kosovës dhe Serbisë. Administrata e Presidentit Trump, ashtu si dhe disa anëtarë të Kongresit Amerikan nuk kanë mbështetur natyrën ose modelin e ndonjë marrëveshjeje të mundshme midis Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, por janë shprehur në favor, që të dy palëve t’u jepet hapësirë për arritjen e një marrëveshjeje, e cila do të mbështetej si nga Republika e Kosovës ashtu dhe nga Serbia.