Flet Ilmi S.Qazimi: Kupa po derdhet, po “gropa” kur do mbushet ? Çmimi i energjisë nuk mund të mbuloi paaftësinë e qeverisë

203

Së fundi, kryeministri,pa kursyer  faktin e servilosjes e vartësisë absolute ndaj Amerikës, qetëson me lajmin” se ajo po na ndihmon me gaz të lëngshëm!?

Sigal

Kryeministri ynë tashmë afër dhjetëvjeçar, ka tetë vjet që  na tregon gropën e madhe të cilën gjeti kur erdhi në krye të qeverisë.Gropë në shumë degë të ekonomisë e financës, në politikë dhe …kudo! Madje edhe në …korent!

Sot, tetor 2021, kapitalin botëror, ( ku nuk përjashtohet aspak Shqipëria jonë e vogël),po e kap për fyti,kriza komplekse pandemike,energjike,psikologjike, sepse kapitalizmi i prodhon vetë krizat ciklike deri në  asgjësimin e tij të plotë. Pikërisht, sot, kryetari Edi Rama thotë: “sektorin e energjisë e morëm jo në gropë,po aty ku nuk ngrihej më dhe përpiqemi ta ngremë sa më lart duke investuar në burime të tjera energjie si uji, dielli dhe era, por edhe nga gazi i lëngshëm për futjen e të cilit në Shqipëri po bashkëpunojmë me Sh.B.A.” Kjo fjali e gjatë, sofizmë e gjallë e tij, është si përgjigje ndaj një qytetari i cili, i thelluar apo i cekët, i paska bërë këtë pyetje të ashpër: “Enveri në 30 vjet bëri ato centrale që janë edhe sot. Në demokraci 30 vjet nuk keni bërë asnjë.Si nuk u vjen turp  e dilni para popullit?!”

Duke hyrë në këtë bisedë si pensionist që më rëndon mbi kurriz çmimi i lartë dhe krejt i papërballueshëm i korentit, them me forcë se fjalët e kryetarit tonë  nuk janë përgjigje  e sinqertë dhe e saktë, por përpjekje për të  mbuluar shumicën e 98 gënjeshtrave me dy të vërteta.I marrim me rradhë: qoftë edhe me pak fjalë,përse nuk e pohon kryetari të vërtetën  historike mbi tetë hidrocentralet, shtatë termocentralet  dhe 14 minihidrocentralet e ndërtuara në Shqipëri vetëm gjatë  sistemit ekonomiko-shoqëror”diktatorial të Enver Hoxhës”? Dhe pak më tej: që ata prodhonin 40.000.000 kw/orë në ditë, ndërkohë që nevojat maksimale të vendit ishin 14.000.000 kw/orë!? Së dyti,pse nuk e shpjegon kryeministri këtë thellinën që qenka poshtë gropës ku paska qenë sektori energjitik shqiptar? Në cilin vit dhe kush e hapi atë, në energjinë ujore, naftë, gaz e qymyr? Konkretisht me shifra  cilat lloj burimesh energjitike paskan qenë ato të poshtë-groposura dhe cilat janë ato burime konkrete që  krijoi qeveria  që kryeson ky  zotni i ardhur  në atë kolltuk me votat tona  më 13 shtator  2013, këtu e tetë vjet të shkuara? Së treti, pse nuk rrëfen për termocentralet që u shkatërruan,kur dhe kush i shkatërroi? Po për privatizimin e padrejtë të hidrocentraleve përse nuk flet?  Së katërti, pse nuk tregon për hidrocentralet që u bënë e nuk u bënë e pse s’u bënë në ditët  e  kësaj “demokracie”mbi lumejtë tanë-perla të rralla të natyrës? Pse nuk tregon se si shitet sot uji i Shqipërisë nëpër botë dhe në këto afera që përmendëm ku e ka vendin dhe rolin e tij si kryetar qeverie që mbron interesat e popullit të cilin ,siç shprehet ” ai e shikon në sy”?

Edhe në diktaturë 30 vjet u bënë ato centrale që janë edhe sot. Në demokraci 30 vjet nuk keni bërë asnjë.Si nuk u vjen turp  e dilni para popullit?!”

 

 

Së pesti, si guxon e thotë fjalinë fyese për popullin: ” ne kemi bërë në këto vite, atë që duhej bërë me kohë e me vakt”? Cilat qenkan këto bëma të mëdha  të kësaj qeverie për energjinë që nuk i ditka populli?Për cilën kohë e cilat vite e ke fjalën o, z.kryetar, ulu dhe qëndro në hapësirë e në kohë , mjaft në havá!? Cila paskan qenë ato(!?) që  askush më përpara jush nuk i paska ditur se duheshin bërë dhe  Shqipërisë iu desh të vinit ju në kolltukun kryeministror  që ato të bëheshin,veç mbledhjes së parave të korentit të harxhuar nga konsumatori i thjeshtë?!Së gjashti, përse nuk tregon kryetari ynë,sa energji prodhohet sot në Shqipëri, sa  dhe si harxhohet nga ne brenda kufijve territorialë,sa dhe si paguhet harxhimi nga bosat  e bizneseve dhe bizneset e vërteta të bosave; po ashtu sa e si nga konsumatorët e shumtë me një televizor, një frigorifer, një sobë,një  lavatriçe  dhe shtatë llamba? Pa le, po na tregon se :”çmimin e mallit në treg e përcakton raporti në treg dhe jo shteti!”Këtë e di gjithkush, po se çfarë bën qeveria për të mbrojtur popullin që e ka votuar, pse nuk na i thotë kryetari ynë?Dhe së fundi, kryeministri,pa kursyer  faktin e servilosjes e vartësisë absolute ndaj Amerikës, qetëson me lajmin” se ajo po na ndihmon me gaz të lëngshëm!?”Kupa e mashtrimeve të qeverive shqiptare të deritanishme të të dy krahëve, po derdhet.Po “gropa” që   shqetëson kryetarin, kur do mbushet?

Mendoj se,pavarësisht nga lojrat skllavëruese të tregut ndërkombëtar të energjisë, çmimi i energjisë elektrike  në vendin tonë  nuk duhet të rritet,ndryshe do të ishte  paaftësi e plotë e qeverisë, në mos edhe më keq. Janë të tëra mundësitë, me një menaxhim më të  fuqishëm, me studime  e parashikime reale, me disiplinë  tepër të rreptë e sidomos me kërkesë llogarie shumë më të fortë të qeverisë në të gjitha nivelet e saj vartëse që lidhen me energjinë, deri tek ristrukturimet e shkurtime të hallkave të tepërta të  organizmave që merren me energjinë (madje,siç thuhet, që edhe luajnë me sponsorizime  fantazma)- këto  do të sigurojnë stabilitetin e çmimit të energjisë ujore e të tjerave.