Evdal Nuri: Historiku i lëvisjes së popullsisë nga fshati në qytet

1520
Sigal

Migrimi i brendshëm i popullsisë shqiptare – Nga 21%, në 78% banorë në qytet…!?

Ne shqiptarët të çudisim! Fjala vjen për krimet, drogën, vrasjet pa arsye, emigrimin, gjakmarrjen, lëvizjen nga fshati në qytet e tjerë! Të flasim për këtë të fundit.
1- Në vitin 1950, vetëm 21% e shqiptarëve jetonin në qytet, pjesa tjetër në fshat. Arsyeja e qartë. Qytetet ishin të vogla, kryesisht mbaheshin me punime artizanale e zejtari. Dhe po të donin, s’kishin ku të vinin. S’kishin shtëpi e duhej bërë pashaportizimi. Më e vështirë ishte për të jetuar në Kryeqytet. Atje mund të shkonin vetëm “kuadrot” që kishte nevojë Partia. Tek ne tendenca për të shkuar në qytet filloi pas vitevë 60, me ngritjen e veprave industriale. Më kujtohet, se e kam jetuar këtë periudhë. Në Berat me ngritjen e Kombinatit të Tekstileve patëm një rritje të ndjeshme të popullsisë, por dhe kjo e organizuar. Erdhën nga Lushja, Fieri, aty dhe nga Korça. Me mijëra vajza u strehuan në konvikte e s’mund të sillnin familjet e tyre!
Pas viteve 90-të, filloi ndryshimi i madh

Dy ishin tendencat kryesore, emigrimi jashtë vendit dhe migrimi i brendshëm. Banorët e zonave rurale, sidomos në veri dhe zona malore u zhvendosën drejt qendrës së Shqipërisë. Emigrimi i jashtëm, në drejtim të Greqisë, Italisë, por dhe më gjerë.
Në vitin 2008, për herë të parë popullsia u barazua 50-të me 50-të, fshat- qytet! Teksa qytetet po zgjerohen me shpejtësi vazhdon dhe migrimi i brendshëm. Në 2018-n, popullsia që banonte në fshat zbriti në 40% kjo solli që pesha e bujqësisë të bjerë. Tirana dhe Durrësi u bënë pritësit më të mëdhenj të banorëve që erdhën nga zonat rurale dhe kjo tendencë po vijon edhe sot. Sipas INSTAT, nga përllogaritjet e popullsisë në 1 Janar 2018 rezulton se vetëm tri qarqe të vendit shënuan një rritje të popullsisë krahasuar me një vit më parë, ndërsa nëntë prej tyre shënuan një rënie të saj. Rritja më e madhe u vu re në Tiranë (+25,1 për 1000 banorë), pastaj Durrësi. Uljet më të mëdha të popullsisë u vunë re në Gjirokastër (-45,3 për 1000 banorë), pastaj Dibra e Berati.
2- Pse kjo lëvizje e pakontrolluar…?
Një lëvizje pa kriter, artificiale e çoroditur! Vërtet demokracia na solli lëvizjen e lirë të njerëzve, por jo pushto e zapto tokat e të tjerëve. Shit e bli pronën e tjetrit! Nëse do të lëvizësh, blije tokën, ajo është e dikuj tjetër! Ky pushtim ka krijuar një problem social, me mijëra të vrarë për çështe pronësie! U la bujqësia e blegtoria e “marshim” për rreth apo drejt qytetit. 1990-1995 patëm zhvillime të rëndësishme. Në këtë periudhë popullsia totale u ul me 4.73%, normë kjo e ulët krahasuar me vitet e mëparshme, për shkak të dy faktorëve kryesorë, emigracionit dhe uljes së lindjeve. Tashmë njerëzit ishin të lirë të zgjidhnin, nëse dëshironin të jetonin në qytet apo në fshat dhe lëvizja e tyre nuk ishte e kontrolluar. Mundësia për një jetë më të rehatshme dhe akoma më tej, shpresa më të mëdha për punë, bënë që popullsia në fshat të binte në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa numri i banorëve të qytetit të ishte në rritje.
Gjatë dy dekadave të fundit, Shqipëria ka përjetuar një ndryshim të dukshëm të popullsisë. Jo vetëm që popullsia banuese ka pësuar rënie nga 3.18 milionë banorë në vitin 1989 në

2.8 milionë banorë në vitin 2011. Në periudhën 2001-2011, rreth 230 mijë individë që jetonin në Shqipëri kanë ndryshuar qarkun e vendbanimit të zakonshëm. Thuajse gjysma e këtyre migrantëve të brendshëm janë vendosur në Qarkun e Tiranës, ku banojnë 1/3 e popullsisë vendit. Nga 373 komuna dhe bashki në vend, 48 prej tyre kanë humbur më shumë se gjysmën e popullsisë në periudhën 2001-2011. Kjo shifër është e barasvlershme me 13% të tyre. Këto ulje kaq të mëdha të popullsisë kanë ndodhur vetëm për shkak të migracionit të jashtëm në shkallë të madhe. Shumica e komunave shqiptare kanë pësuar ulje të konsiderueshme të popullsisë. Tirana ka tërhequr historikisht numrin më të madh të migrantëve të brendshëm. Ajo kombinon zhvillimin ekonomik, faktin që është qendra e jetës shoqërore e kulturore, si dhe mundësitë për arsimim më të mirë. Emigrimi i brendshëm priren të lëvizin sa më pranë që është e mundur drejt destinacionit të dëshiruar. Këto ndryshime në strukturat e migracionit të brendshëm kanë të ngjarë të reflektojnë tërheqjen që ka Tirana, krahasuar me qendra të tjera në Shqipëri apo alternativa për jashtë vendit. Në pjesën qendrore të Shqipërisë, ku mbizotërojnë flukset hyrëse, shumica e migrantëve të brendshëm përqendrohen në Tiranë dhe Durrës. Më pak domethënëse kanë qenë flukset migratore përgjatë zonave bregdetare. Të marrim Beratin, mbase për atë “më dhemb” më shumë. Mes migrantëve të brendshëm që janë larguar nga Berati gjatë dekadës së fundit, rreth 40-50% e tyre kanë migruar drejt qarkut të Tiranës, 10-20% drejt qarqeve të Durrësit dhe Fierit.

3- Fundi i një lëvizjeje! Të ikim nga fshati, por ku të vemi…?
Në 2020-n, raporti i popullsisë urbane mendohet të jetë 60% e popullsisë dhe pas 2035-s, ky raport do të jetë mbi 70%. Në vitin 2050, mendohet vetëm 22% e shqiptarëve do të jetojnë në fshat, aq sa jetonin në qytet në vitin 1950, duke e përmbysur tërësisht strukturën e popullsisë. Shifra të “frikshme”! Shqipëria do jetë bosh. Të gjithë shqiptarët do të rendin drejt qyteteve, duke “braktisur” fshatin…! Pyetja që bën secili: Në ketë bujqësi “primirive”, mundet që 22% e popullsisë e fshatit të prodhojë produkte bujqësore, blegtorale për të mbajtur 78% të popullsisë të qytetit…?! Kjo ka ndodhur, por në vendet e zhvilluara me një bujqësi intensive. Tek ne është e pamundur…! Moshat tona do të jenë në Botën tjetër, por nipërit e mbesat do t’na dënojnë!