Evdal Nuri: “Hall mbi hall, ka Shqipëria…!?”

1225
  • “Halli hallit nuk i ngjan!”
Sigal

Ne shqiptarët kemi shumë halle! Të gjitha ia kemi bërë vetes! Aq e vërtetë është kjo, sa “s’jemi të qetë pa halle”! Në këtë situatë të rënduar e të trazuar njerëzit më tepër qajnë halle! Hall kishin dy vëllezërit Koçi, që në të njëjtën ditë i hoqën nga puna për bindje politike, duke lënë pesë fëmijë rrugës. Hall kemi, kur të vdes gruaja në pleqëri, ose kur të hahet e s’ha dot, se je i sëmurë! Kemi halle shpirtërore, ekonomike etj! Pra, shumë veta janë, një hall s’kanë! E keqja është se shumica e halleve s’janë në dorën tonë! Banorët e “Unazës së Re” kanë hall mbi hall. Ikën nga vendi i tyre, për një jetë më të mirë. Ti i pranove, o shtet. I bëre kontratën e ujit, dritave, të paguanin taksat. Do t’i legalizoje, iu premtove në fushatë. Vjen një ditë e i thua: Largohuni! Hall mbi hall kemi, kur të vdes fëmija, kur të digjet e prishet shtëpia, të humbet fëmija, kur të burgos qeveria! Hall mbi hall kishte gruaja në emisionin:”Koha për t’u zgjuar “, që bërtiste duke qarë e kërkonte ndihmë se po vdes për bukë!

2- “Kemi dhe halle të përbashkëta”

Këto na rëndojnë e shqetësojnë. Në formë ndryshojnë, por në përmbajtje janë njësoj. Fjala vjen, varfëria, protesta e studentëve, janë halli i përbashkët. Janë të varfër e s’kanë mundësi ekonomike për të vazhduar shkollën me këto tarifa kaq të larta studimi. Ata detyrohen të mësojnë e të punojnë. Pedagogët shesin libra çdo vit. I ngelin në provimin e parë dhe mbi pagesën, ia japin të dytin! Kushtet e jetesës të papranueshme etj. Hallet që ka ky vend janë të shumta, prandaj themi :”Hall mbi hall, ka Shqipëria!” I shohim çdo ditë! Shpesh dëgjojmë: “S’i do vejë halli”? Meraku për situatën e nderë politike na shqetëson e dëshpëron!. Gdhihemi e ngrysemi duke parë e diskutuar vetëm për halle! Në shtëpi, rrugë, kafene, institucione, pyesin: “Si do i vejë halli?“ Diskutojmë se politika ndikon për mirë, apo për keq në jetën tonë.

3-“Mohimi i halleve, justifikimi më i mirë!”

Mohohet nga pushtetarët varfëria, papunësia, rritja e pensionet e tjerë! Shpesh gjendet rruga e justifikimit. Me këto retorika të përditshme vërtet u çmendëm! S’kemi çfarë të shohim! S’kemi ku të shkojmë! Kujt t’i besojmë? Në takime, televizion, gazeta shohim e lexojmë të njëjta fjalë e të njëjta fytyra! Si s’e kuptojnë, se na jenë mërzitur me këtë politikë konfliktuale e “pabereqet”? Akuza e kundër akuza! Ne pyesim e merremi shumë me ta! Po politikanët pyesin për ne? Unë kam qenë mësues. Isha i detyruar të shpjegoja të njëjtën temë në disa klasa paralele. Kur vinte ora e tretë apo e katërt, më dukesh sikur përsërisja veten! Është me të vërtetë bezdi të dëgjosh me dhjetëra herë në javë, qindra herë në muaj të njëjtat shprehje! E kemi mësuar përmendësh, të vegjël e të mëdhenj. Flasin gjoja në emër të popullit, kur vet s’janë populli. A janë shqetësuar politikanët ndonjëherë për varfërinë, papunësinë, shëndetin e kaq halle që ka ky popull? A janë mbledhur qoftë dhe njëherë për shqetësime e këtij populli? Asnjëherë!

4- Pse kjo politikë kaq konfliktuale!

Kemi arritur në një pikë të jetës që s’duhet të humbasim më tepër kohë për ata që na shqetësojnë ditë e natë! Së fundi, të gjithëve na është sosur durimi, për të gjithë ata që s’e meritojnë durimin tonë! Atëherë, pse historikisht kaq keq? Këtë s’jam në gjendje ta kuptoj! Është koha që të bëjmë diçka për të ndryshuar shoqërinë tonë e ashtuquajtur “e lirë”! Kemi 28-vjet që po kalojmë një periudhë të mbushur me korrupsion, me padrejtësi, me kriminalitet, me pasiguri jete, me varfëri, me ikje truri. Në momentin politik që po kalojmë, kemi një polarizim të tejskajshëm, një konfliktualitet që e ka bllokuar, madje po e dëmton rëndë jetën tonë shoqërore, politike, ekonomike, kulturore, imazhin tonë, të ardhmen tonë evropiane. Cila është përgjegjësia e politikanëve për këto? Të zihen apo të gjejnë gjuhën e përbashkët në dobi të të njëjtit popull që i ka lindur e rritur! Cili është roli i intelektualëve pranë partive e liderëve në këtë konflikt? Këto e shumë pyetje të tjera, t’i japë përgjigje klasa politike. Dëgjova këto ditë, se politika është gjynahqare ndaj këtij populli. Vërtet ka shumë mëkate, por ç’ka bërë politika në 28 vjet? Të rinjtë 50% janë të papunë! Sipas Gallup 1.7 milionë e shqiptarëve duan të largohen na vendi! Jemi të fundit në Evropë për të ardhura e konsum për frymë! Mos kemi lindur në vendin e kohën e gabuar…?! Më bëri përshtypje një pankartë tek protesta e studentëve: “Ah ku na hodhi Zoti”! Në 28 vite tek ne është mbjellë një | “farë e keqe”. Kjo farë tani është rritur e veselitur aq shumë, sa dhe po u larguan ata që e kanë mbjellë, ajo është në gjendje të infektojë filizat e reja të pastra që duan të jetojnë me ndershmëri në tokën që i ka falur Zoti.