Evdal Nuri: Grumbullo armët, o shtet, po na vrasin!

311
Sigal

Me hapjen e depove të ushtrisë në vitin ’97, rreth 800 mijë armë luftarake ranë në duart e popullatës 

Me forcën e armëve grupet kriminale kanë gjunjëzuar shtetin me vjedhje spektakolare në banka, aeroporte e kudo

Shteti ushtron forcën nëpërmjet ligjeve. Forca krijon të drejtën. Me kalimin e kohës kjo e drejtë kthehet në kulturë. Këtë kanë zbatuar shumë shtete, duke e pasur të shenjtë zbatimin e ligjit. Flasim për armët ! Në mbrëmjen e Vitit të Ri, një 59-vjeçar vret dy motrat me kallashnikov që e mbante që prej 23-viteve në pusetën e shtëpisë. Në Vlorë, po atë ditë, me armë, plagoset një tjetër . Një sasi tritoli iu vendos ditët e para një objekti që po ndërtohet në Krujë. Kjo situatë po na shoqëronë që nga ‘97-ta!                                                                        Rama në fund viti deklaroi: “Shqipëria është bërë një vend më i sigurt, ku janë regjistruar më pak vrasje me dashje. Numri i vrasjeve me dashje vijon të jetë në rënie, shifra janar-nëntor 2020 ishim 45 vrasje, 7 më pak se një vit më parë.” Kujt t’i besojmë asaj që shikojmë, apo asaj që dëgjojmë ? Kjo që tha Kryeministri mund të jetë e vertëtë, por hesapet s’bëhen kështu. Pse ? Vetëm jeta e njerëzve nuk matet me dashje, pa dashje? Me përqindje, më pak apo me shumë herë në këtë vit nga një vit më parë. Po, importet , eksportet, prodhimi i drithërave, mund të thuash kaq më shumë e kaq më pak, por jo jeta e njerëzve. Ajo është e shenjtë e s’matet as me përqindje, as me herë!

Bilanc lufte!                                                                

Nga ‘97, kur u hapën depot , rreth 40% e familjeve shqiptare morën armë, e përkthyer në shifra, afërsisht 4 në 10 familje! Armët fshihen kryesisht në banesa në qytet, dhe në territorin jashtë shtëpive në fshat. Armët përdoren gjatë konflikteve, duke filluar në familje fisi, fshat, qytet, brenda vendit e jashtë tij. Vrasjet nga armët kanë kaluar shifrën e mbi 7000 vetave. Armët përdoren dhe për kanosje, për të përfituar apo realizuar kërkesat e njëri- tjetrit.

Në 2017 doli një nismë për dorëzimin vullnetar të armëve. Fillimisht puna eci mirë. U dorëzuan mbi 63 mijë armë, municione e tjerë. Kjo  nismë theksonte s’e pas një afati për dorëzimin vullnetar, kontrolli do të bëhet shtëpi për shtëpi. Fillimisht pati një situatë sensibilizuese. Ky vendim që të vihej në jetë kërkonte punë bindëse e sqaruese jo vetëm nga Ministria e Brendëshme, por nga pushteti lokal, shoqëria civile, organizatat e ndryshme shtetërore e shoqërore, por ja që nuk u bë! Mungesa e drejtësisë sociale dhe e papërgjegjshmërisë institucionale sollën dështimin e kësaj nisme. Mungesa e një shteti të fortë ka shkaktuar përsëri një seri vdekjesh!                                                                     Vendimet që merr shteti duhen të mendohen mirë para se të merren, pastaj e ka për detyrë shteti t’i çojë deri në fund. Në fakt kur ka patur dëshirën e mirë punët i ka çuar deri në fund. Fjala vjen, në muajin mars –prill, në luftë kundër pandemisë ku u mbyllëm dy muaj në shtëpi . Asnjeri s’shikoje rrugës. Kështu më vonë, e tani për orën policore. U binda që shteti vërtet paska forcë. Ka forcë se ka “gurin dhe arën”. Ka gurin, por ja që s’po e përdor këtë “gur” për grumbullimin e armëve. Me hapjen e depove të ushtrisë në vitin ’97, rreth 800 mijë armë luftarake ranë në duart e popullatës. Më të shumtat ishin automatikët kallashnikovë dhe pistoletat TT. Ato i gjen lehtësisht e për pak para, ndofta me çmimin e një celulari! Sot flitet për rreth mbi 200 mijë armë që gjenden në duart e shqiptarëve. Një rrezik para të cilit s’mund të mbyllësh sytë, kur kujton viktimat që kanë shkaktuar.

Shteti ka dhe vendime për armët: “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake dhe e municionit pa lejen e organeve kompetente shtetërore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. Mbajtja e armëve në banesë, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet!” Ky vendim ka mbetur në letër. Nuk shohim asnjë kontroll! Provoje o shteti im, pas një periudhe, fjala vjen dy mujore për dorëzimin vullnetar të armëve. Tani vetë njerëzit janë mërzitur me armët. E para, frika se mos i zbulojnë e i dënojnë. Tjetër, me to po vrasin veten e njeri-tjetrin!

 

                                                                                                                                 Atëhere, ku ngec puna?                                                             

Armët i kanë ata, që s’duhet t’i kenë e me të cilat vrasin, vjedhin, kryejnë akte kriminale, duke të dëmtuar dhe ty o shtet.Në një sebep (ku dhe atje s’mungonë politika) diskutoja me dy vëllezër. Ai në të majtë ngulmonte se kot e ka shteti, s’i mbledh dot armët, kurse tjetri ish ofiicer i nderuar kishte besim, se shteti po u angazhua seriozisht i mbedh. Më vështirë do ta ketë në veri theksoi,  mbasi kam punuar andej. Kjo për arsye të zakonit, traditës, gjakmarrjes, por po të jetë dëshira e mirë grumbullohen. Ka 23-vjet që asnjë qeveri s’është kujtuar për ta çuar deri në fund zgjidhjen e këtij problemi. Kjo odise s’do të mbarojë kurrë, nëse shteti s’tregon forcën e tij! Atëhere pse s’e përdor këtë forcë o shtet ? Armët kanë vrarë gjyqtarë, komisarë, policë, motrat, vëllezërit, prindërit, fëmijët tanë! Janë vrarë njerëz të pafajshëm të të gjitha moshave, sekseve, për larje hesapesh, prishje pazaresh, motive të dobëta, si për xhelozi, zënkë, një vijë uji, një copë toke, një parkim makine, ose pse më pe e pse të pashë! Arma ka bërë trim dhe frikacakun. Të gjithë për krimet e kryera janë penduar e kanë deklaruar se e kanë kryerë nga gjaknxehtësia. Të gjithë këto vrasje, s’do kishin përfunduar në vdekje nëse s’do të kishin armët. Do të godisnin njeri-tjetrin e kaq. Me to kemi vrarë veten nga pakujdesia, por dhe njeri-tjetrin.Duhet të kemi të qartë. Kush ka armë në shtëpi s’është i mbrojtur, por është më afër vdekjes sa një tjetër që s’e ka. Me forcën e armëve grupet kriminale kanë gjugjëzuar shtetin me vjedhje spektakolare në banka, aeroporte e kudo. Ti o shtet, i ke dënuar mbajtësit e tyre, por më pas i ke liruar në format nga më të ndryshmet. Ai prapë ta ka bërë “gjëmën”. Shpesh kemi dëgjuar, se u kap x-si i dënuar më parë, po për këtë arsye. Këto i di se me këto punë meresh, por sikur s’të vjen mirë kur t’i thonë të tjerët. Edhe pse është problemi më shqëtësues, asnjëherë nuk kam dëgjuar ta zënë në gojë!

Na njofton e jep kronika për vrasje, vjedhje, por s’e kupton se me këto na shqetëson e dëshpëron të gjithëve. S’i s’të vjen keq për viktimat? Edhe shtetin e bëjnë njerëz që kanë familje e jetojnë në këtë vend të pasigurt. Pse s’thua se kur do marrë fund kjo histori ?       Keq e kishim në diktaturë. Shteti na burgoste vetëm për disa fjalë kundër tij. Por nëse mbyllje gojën, s’të gjente gjë. Jetën e kishe të sigurt, s’të vriste njeri. Edhe po t’ja kishe bërë borxh dikujt, s’kishte me se të vriste. Do të të qëllonte me një grusht, gurë apo diçka tjetër, por  hakën ta merte shteti dhe nuk futeshe në gjak me tjetrin si tani. Prandaj dhe vrasjet ishin shumë të pakta dhe ishte  zhdukur fenomeni i gjakmarrjes i gjallëruar kaq shumë tani.     Këtë indiferentizëm s’jam në gjendje ta kuptoj! Mblidh armët. Shpëto jetën e njerëzve, që kanë besim e shpresë vetëm tek ty, o shtet. Ky është shqetësimi, jo vetëm i imi!     Ku të ngec puna? Na e thuaj që dhe ne të mbledhim mendjen e “të qajmë hallin”….!  Ti e di mirë, nëse janë mbledhur 63 mijë armë, ke dhe mbi 140 mijë për t’u mbledhur      Për një gjë jam i sigurtë: “Po të duash ti o shtet, i grumbullon ato për 24 orë”! Por pse s’i mbledh, vetëm një Zot e di! Unë s’di s’i ta kuptoj e shpjegoj këtë indiferentizëm …!