Engjëll Musai: Sulua i “Lulëkuqeve mbi mur” dhe “kaçaku” me uniformë i Sandër Lleshit

274
Sigal

 

Engjëll Musai

Drejtor i Gazetës ‘Telegraf’ 

Ekzekutimi makabër i një djaloshi të ri, në kulmin e moshës rinore dhe pikërisht në “Ditën Kombëtare  të Rinisë”, më shumë se një vrasje e zakonshme, është një genocid  i pastër. Nëse 30 vjet më parë menduam se Rinia shqiptare e përmbysi diktaturën gjakatare, dita e djeshme tregoi se falangjet e diktaturës dhe litari i diktatorit është ende jashtë “varrit”.  Ish – Bjellogardistë të Kuq, sot kanë kapur drejtimin e strukturave policore duke e ngarkuar me kompetenca që do t’i kishte zili edhe diktatura komuniste. Vrasja në mesnatë e Klodian Rashës dhe zbarkimi i strukturave të ministrisë Brendshme për ta etiketuar si person problematik, që njëherë u deklarua se mbante armë me vete, më vonë u deklarua se i drejtoi armën policit dhe në fund pas fillimit të hetimeve, na doli se mbante në duar dy kokrra hurma. Kaq ka mjaftuar  që “kaçakët“ me uniformë të dyshes Lleshaj-Veliu, ta ekzekutonin me plumb pas koke, njëlloj si në kohën e diktaturës komuniste. Nxitimi për të justifikuar dhe fshehur ngjarjen, fshehjen e provave, prishjen e tyre, na sjell ndër mend filmin e Kinostudios   Shqipëria e Re, “Lulëkuqet mbi mur”, ku një fëmijë jetim nga frika e një Kujdestari kriminel doli nga dera dhe u ekzekutua në muret e jetimores  nga “Këmishëzinjtë fashistë”.  Ngjashmëria e diktaturave nuk është rastësi, por është një realitet që ndodh,  si nga ekstremistët e kuq, edhe ata të zinj. Klodian Rasha u vra dje nga dora kriminale e qeverisë duke shkuar në banesë, edhe Sulua , fëmija jetim, u vra duke u futur në jetimoren e tij, sepse Kujdestari kriminel i mbylli portën. Sulua u vra në mesnatë nga patrulla fashiste, edhe Klodiani u vra nga “Kaçaku” i patrullës së policisë së neo-‘rilindasit’ Lleshi-Rama.  Sulua u vra pas shpine, edhe Klodiani u vra me plumb pas koke, çka tregon se  ka element të Veprës Penale. Shkaktar për vrasjen e Sulos ishte Kujdestari fashist, ndërsa për vrasjen e Klodianit, urdhërat  e biellogardistëve të kuq të ‘Rilindjes’. Fashistët donin ta fshihnin të vërtetën, duke deklaruar se nuk janë dëguar krisma dhe nëse ka pasur ndonjë krisëm, ajo ka qenë shumë larg. Edhe Policia e Lleshit dhe Veliut deklaroi se ka pasur në duar armë, por arma  u gjend 20 metra larg, më vonë arma u zhduk dhe në duart e djalit të ri u gjendën vetëm dy kokrra hurma. Të dy, si Sulua dhe Klodiani, u vranë në rrugicat e Tiranës dhe pranë portës së shtëpisë së tyre. Shokët e Sulos edhe pse fëmijë, të bashkuar e rrëzuan duke i thyer qafën Kujdestarit fashist. Po populli i Tiranës  si duhet të veprojë ? I ka kërkuar ministrit Lleshaj të japë  urgjentisht dorëheqjen.  Në të kundërt qytetaria e Tiranës, pavarësisht diktaturës  sanitare duhet të çohet në protesta për të rrëzuar drejtuesit  e “Kaçakëve” vrasës me uniformë, duke filluar nga drejtuesit e Policisë Shtetit, deri  tek ministri famkeq Sandër Lleshi. Kur liria nëpërkëmbet  dhe demokracia  kthehet  në tabu, e vetmja mënyrë për të rrëzuar neodiktaturat është Revolucioni Popullor.  Gjaku i 25 -vjeçarit Klodian Rasha kërkon drejtësi sot, pasi nesër do jetë shumë vonë.