Engjëll Musai: Solidaritet, forcë dhe kurajë në këtë 28 Nëntor

533
Sigal

28 Nëntori ditëlindja e 15 e Gazetës “Telegraf”

Dita e sotme shënon edhe një ngjarje të veçantë për stafin e gazetës “Telegraf”. Jo pa qëllim kjo ditë përkon edhe Ditën e madhe të Flamurit, Ditën e paharruar të Pavarësisë Kombëtare. Kjo ditë meritonte shumë më shumë aktivitete dhe festime, në nderim të lexuesit dhe dhjetëra qindra gazetarëve, korrespodentëve, analistëve dhe qytetarëve që e kanë parë redaksinë e “Telegraf”, si shtëpinë e tyre. Por ngjarjet me të fundit pas tërmetit që preku Shqipërinë tonë të dashur, humbjet e jetëve të dhjetëra qytetarëve, qindra të plagosurve dhe dëmtimet e shumta të objekteve që la pas ky tërmet na detyruan që të merrnim vendimin për ta anashkaluar ceremoninë. Jeta e shqiptarëve, tragjedia kombëtare dhe solidariteti me familjet e prekura janë dhe do të mbeten prioritet i këtyre momenteve. Ndaj në këto moment në emër të stafit të gazetës Telegraf dhe botuesit të saj Agim Çiraku, shprehim keqardhjen e madhe për këtë fatkeqësi dhe mbështetjen për ta kapërcyer sa më shpejtë këtë situatë dramatike dhe gjendje të rëndë psikologjike. Shqiptarët kanë treguar se edhe në ditët më të vështira kanë ditur të gjejnë zgjidhjet, për të qenë solidarë, të bashkuar dhe një Komb i pamposhtur. Zoti e bekoftë Shqipërinë! Zoti i bekoftë shqiptarët brenda vendit dhe kudo në botë!

Engjëll Musai

Drejtor i gazetës “Telegraf”