Engjëll Musai: Pse turqit zgjodhën të ndërtojnë në zemër të identitetit kombëtar

1163
Sigal

Engjëll Musai

Drejtor i Gazetës “Telegraf”

Në datat 22 shtator dhe 26 nëntor të vitit që sapo u mbyll Shqipëria u prek nga dy tërmete të fuqishme, ku ai i nëntorit padyshim ishte një nga më fuqishmit e 40 viteve të fundit dhe për nga kohëzgjatja disa nga ekspertët e llogarisin të ngjashëm me atë të viteve 1200. Dhe në kësi rastesh, kur fatkeqësia njerëzore shoqërohet ndjeshëm me atë ekonomike, shkatërrimin e pallateve dhe banesave kërkohet solidaritet dhe mbështetje nga të gjithë ata që besojnë në vlerat qytetare dhe humanizmin njerëzor. Dhe një shprehje e vjetër popullore thotë: ‘Miku i mirë, dallohet në ditë të vështira”. Kjo shprehje nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me faktin që dikush po të ndihmon për të kapërcyer këtë situatë. E rëndësishme është se si po të ofrohet kjo ndihmë, me ç’qëllim dhe çfarë fshihet pas saj. Sa i sinqertë është ai që të ndihmon dhe të mos ndodhë që ndihma të kushtëzohet, pasi do të dalim tek një tjetër thënie e urtë, e cila thotë që “Mos ia shtri dorën atij që natën të vret dhe ditën të qan”. Sigurisht që këto postulate të hershme popullore po kaq të lashta sa vetë kombi ynë, nuk janë 100% të sakta, për situatën që po kalojmë, por po të analizojmë zhvillimet e fundit shohim që edhe disa të vërteta qëndrojnë në këto ditë të vështira për kombin dhe shqiptarët. Po marrim rastin e nënshkrimit dy ditë më parë të një marrëveshjeje midis Qeverisë shqiptare dhe asaj turke, për rindërtimin e disa apartamenteve dhe banesave, vendim i marrë në parim pas takimeve Rama-Erdogan në Turqi. Në njoftimin zyrtar ku me këtë rast u nënshkrua edhe marrëveshja thuhet: “Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj është takuar me ministrin e Mjedisit dhe Urbanizimit të Turqisë, Murat Kurum, me të cilin kanë vendosur se kur do të përfundojë procesi i rindërtimit të 500 banesave që Turqia ka marrë përsipër në zonat e Laçit, Thumanës, Krujës dhe Lezhës. Afati i përfundimit është vendosur në muajin korrik. Ahmetaj thotë se ‘qyteza’ dhe objektet që do të ndërtojë Turqia në këto zona nuk do të jetë vetëm një proces rindërtimi, por një pol i ri zhvillimi ekonomik dhe urbanistik që përfshin edhe Bashkitë e tjera, objektet social-kulturore dhe shkollat e saj”. Për të gjithë njerëzit e thjesht deri këtu nuk ka asnjë gjë të keqe. Aq më tepër që qytetarët janë në nevojë, pa banesa, në çadra dhe në të ftohtin e acartë që ka mbërthyer vendin. Por a është kaq e sinqertë qeveria turke me këtë bujari, ndaj shqiptarëve? Normale do të ishte që qeveria turke të bënte projektet në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe të ndërtonte me specialistët, inxhinierët, teknikët dhe punëtorët vendas objektet e parashikuara. Madje do të ishte mirë që edhe familjarët që do të marrin banesat, të regjistrohen për punët vullnetare, pasi në këtë mënyre do të ulej kostoja e banesave dhe qytetarët që do përfitonin nuk do ishin 500, por mbase edhe 600 familje. Pasi paratë që do paguheshin për punëtorët me pagesë do të kurseheshin nga kontributi i vetë qytetarëve që do strehohen.

Pse Turqia zgjodhi qytetet Krujë-Laç-Lezhë? Rastësi apo e qëllimshme?

Dihet që Turqia ka një potencial goxha të madh në industrinë e ndërtimit dhe sidomos në atë ë riparimit të pasojave post tërmet dhe kjo falë eksperiencës, por edhe faktit që Turqia është një nga vendet që shpesh herë është  prekur nga tërmetet. Ndaj do të ishte me vend që qeveria turke të merrte përsipër riparimet dhe sistemimin e Durrësit, pasi janë ndërtime të larta, një pjesë buzë detit dhe pjesa tjetër në kënetë. Por fakti që qeveria turke zgjodhi zonën Laç- Krujë –Lezhë-Thumanë ka ndoshta një prapavijë të mirëmenduar. Pikërisht midis Krujës dhe Lezhës qëndron zemra e Identitetit Kombëtar Shqiptar. Në Krujë është Kalaja dhe simboli i rezistencës antiotomane të shqiptarëve të udhëhequr dhe drejtuar nga figura më gjithëbashkuese kombëtare, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Përballë kalasë legjendare të Krujës qëndron Lezha. Pikërisht në këtë qytet nën drejtimin e Gjergj Kastriotit u zhvillua një nga ngjarjet më të rëndësishme të Kombit Shqiptar – Besëlidhja e Lezhës. Kjo Besëlidhje u tregoi shqiptarëve se duke qenë të bashkuar ata do jenë të pamposhtur. Po të jenë të përçarë, sikurse po tentohet sot me Mini Shengenin, që ka përjashtuar Kosovën, Kombi ynë mbetet i dobët dhe pa peshë rajonale dhe evropiane. Të mos harrojmë, se pikërisht në Lezhë ndodhet edhe varri i Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbe, ku 3 vite më parë një historian turk “derdimen dhe halldup” e cilësoi Heroin e Kombit, tradhtar duke harruar që Gjergj Kastrioti është shqiptar dhe në dejet e tij rridhte gjaku i Arbrit.

Midis Krujës dhe Lezhës ndodhet Laçi. Aty është një nga Kishat simbol të krishterimit shqiptar, Kisha e Shna Ndout. Zona e Thumanës është pranë Kepit të Rodonit, pikërisht aty ku ka qenë edhe porti kryesor që lidhte Shqipërinë me Italinë e Perëndimin. Pra, sikurse shihet, jo rastësisht qeveria turke ka zgjedhur këtë zonë simbol të Identitetit Kombëtar, të cilën ajo ndoshta ka menduar ta përçajë, duke goditur Heroin e Kombit Gjergj Kastriotin-Skënderbe. Por gabohet rëndë, sepse shqiptarët sot e 600 –vjet, Heroin e Kombit e kanë simbolin e bashkimit dhe pavdekësisë së tyre. Në lidhje me ndihmën turke duhet pranuar bujaria e saj, por të mos harrojmë se Turqia ka marrë bankat dhe në zotërim dhe pasuri të saj; Albtelekomin, Eagle, HEC e Bistricës, Ulzës dhe së fundmi edhe Kalivaçin që janë objekte strategjike për Sigurinë Kombëtare. Ka marrë minierat, Kurumin, çimenton e shumë të tjera. Vetëm nga banka,Turqia fiton 80 milionë euro në vit. Kështu që 10 milionë eurot ndihma, janë qesharake. Licenca e aviacionit që fshihet pas emrit “Lasgushi” dhe marrja nga biznesmeni turk i ekipit të Flamurtarit të Vlorës, që simbolizon Pavarësinë Kombëtare, janë të tjera fakte domethënëse . Po e mbyll me një thënie të “Rilindësve” të vërtetë që u shkon për shtat edhe rilindësve të sotëm fals: “Është tragjike ajo që na ndodh në jetë, na duan ata, të cilët nuk mundëm t’i duam dhe na ofrohen ata që nuk na deshën kurrë”…